Dëshmia e drejtuesit të lartë të Sigurimit të Shtetit: "Nuk di se ku shkuan këto para mbasi mua më nxorën në lirim. Shoku Koçi i kishte thënë shefit të seksionit për mua: nxirreni në lirim dhe çojeni në central ku ka qënë në rast se ka punë. Kështu që unë hyra në central si elektromontjer por me shumë zor, puna teme më bëri që pastaj të bëhem kryetar dege i centralit"
Ishte vitit 1944 kur Sigurimi i Shtetit nisi të përndjekë Lef Nosin. Një dokument i zbuluar në Arkivën e Shtetit konfirmon mënyrën se si u grabit dhe u persekutua Lef Nosi, atdhetar, veprimtar politik, arkivist, folklorist, etnograf, firmëtari i Pavarësisë. Të dhënat gjenden në një letër të një oficeri të Sigurimit të Shtetit, i cili kishte ndjekur Lef Nosin në vitin 1944. Atje ka detaje mjaft interesante të mënyrës sesi sillej Sigurimi me ata që përndiqte.
Dokumenti konfirmon sesi Sigurimi i Shtetit i drejtuar nga Koçi Xoxe grabiti dhe zhduku 10.000 napolona ari që Lef Nosi ia kishte dhënë oficerit të Sigurimit, i cili e kishte ndjekur dhe më pas arrestuar. Kur mori vesh oficeri se të hollat që kishte dorëzuar Lef Nosi, kishin përfunduar në duart e Koçi Xoxes, pa dokumentacion, ai raportoi pranë seksionit të Sigurimit të Shtetit në Elbasan. Pikërisht ky reagim do të ishte edhe nisja e përndjekjes së oficerit nga Koçi Xoxe. Letra e nënshkruar prej tij, drejtuar Komitetit Qendror të PPSH, dëshmon se si anëtarët e PPSH ishin edhe spiunë sigurimi dhe aktiviteti i tyre në ndjekje të “armikut të klasës”.
Letër drejtuar: Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë
Në vitin 1944 hyra në Sigurimin e Shtetit si oficer informativ i qytetit dhe i qarkut. Në atë kohë është bërë një punë e madhe dhe në vitin 1945 m’u njoftua grada toger. Vazhdova punën me shumë suksese dhe fitova një simpati të madhe, rregullova informacionin, u kapën shumë kriminelë dhe disa nga ata ishin për të punuar si informatorë për të na informuar për të tjerët.
Më dorëzuan 11 dezertues nga Guri i Zi nga Belshi dhe shumë të tjerë do të ishin dorëzuar, kur u dorëzua një kriminel nga Dumreja. Nuk pranonte t’i dorëzohej asnjeriu vetëm mua. Por shefi i seksionit u muar vesh me Koçi Xoxen dhe menjëherë Koçi më bani lirimin tim. Për kapjen e Lef Nosit isha unë në lidhje me Lefin dhe më dha 10.000 napolona, të cilat ia dorëzova shokut Jani N., i cili ishte shef i seksionit dhe napolonat ia shpuri shokut Koçi. Nuk di se ku shkuan këto para mbasi mua më nxorën në lirim. Shoku Koçi i kishte thënë shefit të seksionit për mua: nxirreni në lirim dhe çojeni në central ku ka qënë në rast se ka punë. Kështu që unë hyra në central si elektromontjer por me shumë zor, puna teme më bëri që pastaj të bëhem kryetar dege i centralit. Më pas, kur Ministria kërkonte një njeri, Komiteti i Partisë së qytetit më caktoi mua dhe ma vonë u bana drejtor i ndërmarrjes NISH elektrik i qytetit, ku jam akoma. Në ‘46 më erdhën disa informatorë nga Dumreja dhe më thanë: vishu e hajde se ty të dorëzohen të arratisurit. Kërkova nga seksioni të shkonja dhe Koçi nuk më la, por dha urdhër që informatorët të çarmatosen dhe shtëpitë e tyre të kontrollohen imtësisht. Kur u pushova unë më 1 prill, Koçi urdhëroi torturat nëpër fshatra dhe një njeri vdiq nga druri (e rrahura). Katër të tjerë dolën në arrati ku janë akoma. Kështu që puna në gjithë qarkun u pezullua gati fare, vetëm që u dorëzuan ata që i kisha unë në lidhje.
Prandaj unë i lutem atij Komiteti që të kërkohet llogari dhe për këto që unë thashë jam gati të dal edhe para gjyqit e t’i faktoj. Anëtari i Partisë së Punës së Shqipërisë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.