Diogjeni i Shallvareve

0
169
blank

Gjergj Komnino, studiuesi i njohur që përfundoi në burg bashkë me të shoqen, Veronikën, pasi i shkroi një letër OKB-së, ku denonconte diktaturën në Shqipëri. Agim Musta mezi e njohu profesorin e tij në burg, ku vuajtjet e kishin shndërruar. Jeta mizerabël vazhdoi edhe pas burgut, kur studiuesit nuk iu ofrua asnjë mundësi jetese, veç një bodrumi te “Shallvaret”. Musta përshkruan jetën e pazakontë të "mësuesit, shokut dhe bashkëvuajtësit" mendjendritur që diktatura e mbylli në errësirë 

Nga Agim Musta

 

Në një ditë të ngrohtë tetori të vitit 1962, për herë të parë pas dënimit, dilja në oborrin e burgut të Tiranës. Një mori të burgosurish, të të gjitha moshave, po bënin pajtosin. Njerëz kockë e lëkurë, me fytyra të drobitura, veshur me lecka të arnuara me lloj-lloj ngjyrash, tërhiqnin me mundim këmbët e lodhura. Në dritaret e katit të dytë, ku ndodhej drejtoria e burgut, shiheshin turli hetuesish dhe oficerë të Sigurimit, që me buzëqeshje cinike i tregonin njëri-tjetrit viktimat e tyre. Midis të burgosurve, më tërhoqi vëmendjen një njeri i shkurtër, me syze të trasha miopi, që mbante në kokë një peshqir në formë turbani indian. Nga pamja dukej intelektual që kish pësuar traumë të fortë psikike. Kur unë u ndodha pranë tij, ai u ndal dhe më vërejti me kujdes nga koka në këmbë. Me hetonte me një mënyrë të habitshme dhe pas disa minutash më pyeti:

-A mos je Agimi ti? Me njeh mua?- dhe vazhdoi mě zhbironte me një vështrim gjithë frikë. Ishte e pamundur ta njihja ketë njeri të shndërruar në një qenie gjysmë njerëzore dhe gjysmë shtazore. Vetëm timbri i zërit të tij ishte njerëzor dhe i njohur për mua. Këtë zë e kisha dëgjuar shumë kohë përpara, për një kohë të gjatë. Nga timbri i veçantë ky zë më ishte ngulitur në mendje dhe, megjithëse kishin kaluar shumë vjet, e njoha. Ky ishte zëri i mësuesit tim të letërsisë, Gjergji Komninos. Gjergji Komnino, mësuesi im elegant në gjimnazin Qemal Stafa të Tiranës, si të paskan katandisur kështu?! Kush janë ata “Kompraçikos” të shek. XXI?! Sa mllef paskan pasur kundër teje?! Ç'mund të kesh bërë ti o shpirt njeriu, që janë hakmarrë kaq mizorisht?! Mezi mblodha veten dhe e pyeta me zë të dridhur se kur ishte dënuar dhe sa.

Me dënuan me vdekje më 1956-ën. Gjashtë muaj duke ngrënë si qeni, në koritë, gjashtë muaj me duar e këmbë të lidhura me hekura, gjashtë muaj duke urinuar në tesha, gjashtë muaj… U mundua të drejtonte duart, por më kot. Të shkuara, i thashë. Jo, më tha me irritim, s'ka të shkuara, as të harruara! Diktatura ka qenë, është dhe do të jetë sa të jetë gjallë Satani!

Jo, or Gjergj, çdo gjë ka një fund dhe fundi po afron. I dhashë disa biskota që më kish sjellë atë ditë familja. I hëngri me nofulla se në gojë s’i kish mbetur asnjë dhëmb, asnjë dhëmballë. Nuk desha ta lodhja me pyetje. Do kisha kohë për të mësuar tragjedinë e tij. Ato pak ditë që qëndrova në burgun e Tiranës prej tij mësova se kishte punuar në Institutin e Shkencave, në degën e folklorit. Ishte denoncuar nga një i afërt dhe e kishin arrestuar për një raport që kishte hartuar për gjendjen reale në vend. Ishte një kronikë, një kronikë e zezë, por e vërtetë. Puna e tij si mbledhës i folklorit i kish dhënë mundësi që ta njihte mirë Shqipërinë, nga jugu në veri, nga perëndimi në lindje. S'kishte lënë njeri pa takuar dhe skutë pa u futur. Si pjesëmarrës i Luftës Nacionalçlirimtare, ishte i zhgënjyer. Si idealist ishte deziluzionuar plotësisht.

“Çdo gjë gënjeshtër, prapaskenë, kurth, antikombëtare, antihumane qysh nga fillimi dhe vazhdon, vazhdon” dhe e mbylli bisedën me ekslamaconin:

-Deri kur, o prapësi, o dreq, deri kur, o mallkim?!” Sytë i shkreptinin dhe mjekra I dridhej. Kalova me Gjergjin disa vjet vuajtje nga një burg në tjetrin. Ai s'e hiqte turbanin nga koka dhe trastën e librave nga qafa. Nëpër kampet me punë të detyruar gardianët  e ngacmonin vazhdimisht dhe e shihnin me përçmim si dembel që “hante supën e qeverise kot”. Ai fshihej me kujdes nga sytë e tyre përgjues dhe s'pushonte për asnjë çast të filozofonte me bashkevuajtësit për Kantin, Volterin, Bejkonin. Pirandelon. me të cilin kishte mbrojtur diplomën në Universitetin e Zagrebit, paçka se shumë prej tyre s'e kuptonin dhe disa vagabondë mundoheshin edhe të talleshin me të. Vuajti 15 vjet burgim, pa ndihma, vetëm me supën e burgut, nga një kamp në tjetrin, duke ndërtuar veprat e socializmit. U lirua në fund të vitit 1971, në moshën 53 vjeç. Pushteti popullor nuk i siguroi as punë. as pension. E strehuan në një dhomë të braktisur, ku ç'binte jashte, hynte brenda. U struk si Diogjeni në strofkën e vet. Dilte vetem natës për të mbledhur letra në kazanët e plehrave, autori i parë te ne i monografisë voluminoze për poetin tonë kombëtar Naim Frashërin. Pas shembjes së diktaturës komuniste në Evropën Lindore, ishte gjallëruese së tepërmi. Për asnjë çast nuk pushonte së agjituari me njerëz të çdo moshe dhe profesioni. Fliste për drejtësinë, për humanizmin, për të vërtetën. “Lektorati i tij i preferuar” ishin policët. U lutej si Krishti që të mos përdornin dhunë dhe i bënte të stepeshin edhe ata me fanatikët, Shkoi gjithë entuziazëm te merrte pjesë në grevën e urisë së studentëve në shkurt 1991, por ata ia kundërshtuan kërkesën, për shkak të moshës së tij të thyer (74 vjeç). Me lekët e bukës së gojës u drejtua në postën më të afërt, për t'i dërguar telegram solidarizimi komisionit të grevës. Tri ditë para se të largohej nga Atdheu më erdhi në shtëpi. Kishte hartuar një program për shoqatën e ish-të burgosurve, t’internuarve dhe të persekutuarve politikë. Sytë i shkëlqenin dhe timbre i zërit ishte më kumbues se asnjëherë tjetër. Kurrë s'e kisha parë aq dinamik. “Ne jemi opozita e vërtetë -më tha,- dhe s'jemi pak. por me dhjetëra mijëra, me qindra mijëra. Ne dhe fëmijët tanë duhet të rrokim flamurin e lirisë dhe të demokracisë, meqë dhamë jetën, rininë dhe gjithçka për lirinë dhe demokracinë. Ne, që u persekutuam, u burgosëm, u torturuam, u pushkatuam dhe u shpërndamë si zogjtë e korbit në pesë kontinentet. Ne.... dhe fliste e fliste me një zjarr që më bëri të dyshoja se mos ishte prekur përsëri nga ndonjë krizë psikike. U mundova ta qetësoja, duke e vënë në dijeni se shoqata po formohej dhe punët e saj po ecnin në rrugë të mbarë. U ndamë miqësisht, si gjithmonë. Pa kaluar as pesë ditë, mbeta i shtangur para ekranit të televizionit, kur RAI UNO po jepte lajmet e orës 23.00. Ato ditë kishte ndodhur eksodi masiv nga Vlora dhe Durrësi. Fytyra e Gjergjit doli në ekran duke u intervistuar nga një gazetar italian. Fliste me kokë e me duar për Shqipërinë. Fliste ashtu siç dinte ai midis asaj morie refugjatësh.

O Gjergji, o vëlla! Në çfarë trysnie psikologjike u ndodhe kur i ktheve krahët Atdheut, që ti e deshe aq shumë! A mos vallë t'u kujtuan prangat, torturat, kazanët e plehrave? A mos vallë të erdhi ndër mend thënia e San Zhystit: Një popull i shtypur nuk ka aspak atdhe? A mos vallë u nise si misionar për t'u treguar vëllezërve arbëreshë plagët e Nënës? Për një gjë jam i sigurt, o mësuesi im i shumëvuajtur, se kudo që të ndodhesh, do të mbetesh një atdhetar i flaktë.

 

Marrë nga libri “Mandelët e Shqipërisë” i autorit Agim Musta

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here