Dëshmia/Halil Halilaj: Vuajtjet në kampe, nën tokë dhe mbi tokë

0
483

Halil Halilaj ka vuajtur 15 vite burg: 10 me akuzën e arratisjes dhe 5 të tjerë që iu shtuan për pjesëmarrjen në revoltën e Spaçit, ku vuante dënimin në vitin 1973. Ishte kampi ku provoi punën e rëndë të minierës, por jo të vetmen. Halil Halilaj dëshmon për kujto.al punët e rënda që ka bërë në kampe, nga nxjerrja e mineralit, te tharja e kënetës, hapja e kanaleve dhe ndërtimi i godinave. Dhe ndërkohë që rraskapiteshin, ushqimi nuk u mjaftonte kurrë dhe kushtet e fjetjes dhe trajtimi ishin mizerabël.

Dëshmia e plotë

Kur keni lindur dhe si ka qenë jeta juaj përpara se t’ju dënonin?

Kam lindur më 26 maj 1943 në Kuçovë. Babai im ishte punëtor në puset e naftës. Ne ishim 5  fëmijë: 2 djem dhe 3 vajza. Në vitin 1950, motra ime e madhe u martua në Elbasan edhe prej asaj u zhvendosëm në Elbasan. Kam ardhur 7 vjeç në Elbasan, këtu u rrita. Në vitin 1961, kam shkuar në Tiranë në shkollë, mbarova 2-vjeçaren tek rezervat e shtetit, edhe erdha dhe fillova punë në kombinatin e drurit në Elbasan. Në ’60-ën më vdiq mamaja, në ’63-shin më vdiq babai.

Keni ngelur jetim në moshë të re...

Unë ngela me vëllanë tim, ne ishim të dy beqarë në atë kohë. Mua më rriti më tepër motra, vajta banoja te motra. Në 1965, unë me një shok tjetër, Robert Bishqemin, biseduam për t’u arratisur jashtë shtetit: ai do të shkonte në Itali se kishte një motër, unë do të shkoja në Amerikë se kisha një xhaxha edhe bëmë muhabet për të ikur. Dhe u nisëm nga ana e Librazhdit...nga kufiri i Qarrishtës. Udhëtuam 3 net se ditën flinim shkurreve që mos të na shikonin njerëzit dhe barinjtë. Arritëm në kufi natën e tretë, menduam se e kaluam kufirin dhe ndezëm zjarr, poqëm ca patate dhe ramë të flinim. Aty na kapën ushtarët e postës. Mbasi na rrahën, na shqepën, na çuan në degën e Librazhdit. Edhe aty e njëjta histori: na rrahën, pastaj na çuan në Degë të Elbasanit. Në Degë të Elbasanit filloi hetuesia.

Cili ka qenë hetuesi juaj?

Hetuesi ynë ka qenë Thanas Cako, shefi i hetuesisë në atë kohë. Përveçse arratisjes që ne e kishim fakt të kryer që e kishim pranuar, ai kërkonte shumë për vëllanë tim dhe për burrin e motrës sime, Bardhyl Mirakun: e dinë ata apo s’e dinë? Këtu ai më ka ngushtuar jashtëzakonisht shumë se unë po të tregoja për ata dy, edhe vëllai që ishte me familje, edhe burri i motrës që ishte me fëmijë, ishin të martuar, do të merreshin në qafë. Ai insistonte me të madhe që e dinë ato apo s’e dinë. Unë me atë kokën time nuk pranova: “nuk e dinë” deri në fund, pavarësisht se ai më çonte natën, më lidhte me hekura, por tortura të tjera më të këqija nuk më ka bërë. Ato ishin bërë vite më parë që më tregonin të burgosurit. Gjatë kësaj kohe unë bëra 6 muaj hetuesi. Kërkonin të thosha që e di Bardhyl Miraku, e di vëllai im, Muhamedi.

Plus që kërkonin edhe për shoqërinë: “me kë ke ndejtur? ç’ke bërë muhabet? “e dinë, s’e dinë?” për të gjithë shokët e mi. Kërkonin gjëra kështu që të mësonin edhe kjo ishte arsyeja e zgjatjes së hetuesisë.

Në ç’vit ju dënuan?

Në ’65-ën.

Sa vjet ju dënuan?

Mua më dënuan 10, atë shokun tim e dënuan 11.

Për tentativë arratisjeje?

Po.

Mbasi ju dënuan, ku ju çuan?

Na çuan fillimisht në burgun e Tiranës, në kaush. Aty mbasi ndenjëm nja 2 javë, na hipën në një autobus, nja 25 veta kështu të lidhur ngushtë shumë, na sollën në fabrikën e çimentos në Elbasan. Aty po bëhej fabrika me të burgosur, ishte kamp, ishte me numër 303. Aty punuam 6 muaj, pastaj prej aty, mua e nja 120 vetë na çuan në Fushë-Krujë dhe aty ishte fabrikë çimentoje, po aty punonin edhe të burgosur ordinerë edhe na përzienë dhe me ata. Pas 4-5 muajsh, gjithë kampin e Elbasanit e sollën prapë në Fushë-Krujë. Aty ndenjëm gati 10 muaj. Mbaroi Fushë-Kruja si objekt edhe shfrytëzim, edhe na sollën sërish në kampin e Elbasanit dhe këtu ishim në fabrikë.

Si ishin kushtet e fjetjes dhe jetesës?

Flinim në kapanone, kapanonet ishin me 2 kate, rifuxho si ta them unë, dërrasa poshtë, lart, pa ndarë: 200, 250 veta në një kapanon, kështu flinim. Me orar, normalisht, ishin të gjitha gjërat. Po të kishe ndihma, jetoje më mirë, po mos kishe, do jetoje me gjellën e kazanit. Punë na kërkonin me normë, norma ishte e fortë, por sidoqoftë jashtë ishe, në ndërtim edhe punonim.

Pastaj ku shkuat?

Mbasi mbaroi fabrika e çimentos, na çuan në Spaç. Ka qenë prilli i ’68-ës: gjithë kampi i Elbasanit iku në Spaç. Edhe hapën burgun e Spaçit për herë të parë. Unë si i ri që isha, më caktuan minator. Mbasi bëmë nja 5 ditë instruksion, mua më dhanë një front atje, dy vagonistë, të burgosur kuptohet, edhe fillova punë, por puna ishte jashtëzakonisht e rëndë, nëntokë, minierë, ato formacionet e piritit, se miniera e Spaçit nxirrte pirit se e merrte fabrika e Laçit dhe Laçin e kanë bërë të burgosurit, po unë nuk kam qenë në atë kamp. E merrte ajo dhe ne e nxirrnim, po formacionet e galerisë ishin jashtëzakonisht..., atje ishte me rrezik të madh se shembeshin gjithmonë, edhe gazra kishte.

A ka pasur aksidente gjatë punës?

Ka pasur shumë edhe mua më ka zënë një herë, po fatmirësisht qe blloku i vogël. Madje kam një të çarë këtu në kokë edhe shpëtova mirë. Kishte shumë veta atje, ishte tmerr.

Afërsisht sa të burgosur ishit në burgun e Spaçit?

Kur kam qenë unë, rreth 1000.

Spaç si ishin hushtet e fjetjes?

E njëjta gjë si kampet e tjera, por vetëm aty ushqimin e kishim pak më të mirë sesa ndërtimi dhe bujqësia për arsye se ishte minierë dhe kishte normë më të lartë.

Ju mjaftonte ushqimi?

Jo, nuk na mjaftonte për atë punë që bënim, nuk na mjaftonte.

Ju kanë ardhur familjarët t’ju vizitonin?

…unë s’kisha prindër, prindërit më kishin vdekur. Më kanë ardhur motrat në burg, sidomos njëra më ka ndjekur shumë. Ajo kur erdhi njëherë atje më tha: “Vëlla, unë nuk të vij dot më këtu se mua as shoferët nuk më marrin dhe unë po pata ndonjë lek do të ta çoj me postë, kështu që mos më prit këtu”. Kjo qe edhe iku, po vuanin shumë. Ajo vuajti dy ditë që të vinte atje.

I duheshin dy ditë për të ardhur në Spaç?

Ajo ishte e martuar në Fier. Në atë kohë, nga Fieri, vuajti dy ditë që erdhi atje edhe fjeti një natë kur iku, prapë rrugëve, që vajti në shtëpinë e saj. Kjo ishte shumë e vështirë.

Zakonisht shoferët nuk pranonin t’i merrnin?

Ai shoferi që mori motrën time e mori për mëshirë se i kishte thënë që “ne zakonisht nuk marrim se biem në sy, por po të marr se qënke femër dhe pak e moshuar”, po zakonisht nuk i merrnin.

Ç’ndodhi me të afërmit tuaj në momentin që u dënuat?

Unë kam pasur një vëlla futbollist, po ai ishte shofer nuk kishte as shkollë, as përgjegjësi, luante futboll me Labinotin. Kur rashë unë në burg, atë nuk e nxorën jashtë shtetit më, kjo qe një persekutim për të, kurse shofer vazhdoi. Fëmijëve nuk u jepnin bursë, kjo ishte.

Sa vjet burg bëtë gjithsej?

Unë bëra 15 vjet burg: dhjetë isha dënuar, u dënova edhe 5 vjet në revoltën e Spaçit.

Ku e kaluat pjesën e mbetur të dënimit?

Dy vjet i kam kaluar në kënetë në Nartë, në tharjen e kënetës dhe atje ishte një ferr i vërtetë, të mbysnin mushkonjat. Do të hyje në ujë, me lopatë, një grusht llum nxirrje, as dhe nuk nxirrje. Mbaroi gjysma e tharjes së kënetës që u bë kripore pastaj, ne na çuan në Ballsh, në Ballsh kam punuar në ndërtim pastaj, të njëjtat kondita si në kampet e tjera: vuaj ashtu, vuaj kështu.

Keni qenë në shumicën e kampeve të dënimit në Shqipëri.

Jo, kishte edhe kampe të tjera, po s’e pata fatin të shkoja në kampe të tjera.

Kushtet ishin të njëjta?

Të njëjta, të njëjta. Dua të theksoj se në ’73-shin, kur u bë revolta, pati një shtrëngim shumë të madh nëpër kampe, u ndërprenë takimet, kontrollet shumë të shpeshta, një ashpërsi e madhe.

Cila ishte jeta juaj mbasi mbaruat dënimin?

Mbasi mbarova dënimin, erdha në Elbasan. Unë e kisha mbaruar shkollën për saldator edhe mendoja kështu shumë me anë miqësish, me anën e vëllait se vëllai kishte një farë krediti jo sportist, jo shofer ambulance. Andej-këtej hyra te metalikja, saldator edhe atje vazhdova. Deri në ’97-ën atje kam qenë.

Krijuat familje?

Unë familjen e kam krijuar në 1990. Për arsye se mua nuk më jepnin dhe nuse me thënë të drejtën se isha i dënuar për politikë. Unë jam martuar 47 vjeç. Linda një vajzë, nuk bëra dot më fëmijë.

(Nga arkiva e familjes Doko)

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.