Ndërsa të atin e arrestuan dhe e torturonin me metoda mesjetare, nënën, me 7 fëmijë, ku Vullneti ishte vetëm 3 vjeç, e lanë në mëshirë të fatit, duke i marrë çdo pasuri dhe pronë. Sigurimi nuk do i ndahej gjithë jetën Vullnetit, derisa e arrestuan me një akuzë të paqenë dhe në burg i sollën një letër ku thuhej se gruaja kërkonte divorcin. Vullnet Çekrezi dëshmon përndjekjet e familjes që nisën pak pas vendosjes së diktaturës dhe morën fund në vitin 1990, kur u kthyen nga internimi. Ishin 44 vite vuajtje, por në fund të tyre, Vullneti i është mirënjohës Zotit që i la gjallë.
Dëshmia e plotë
Unë vetë jam i datëlindjes ’43. Lindur në Cërrujë të Gramshit. Rrjedh nga një familje e mesme, fshatare. Babai i ynë është marrë gjatë kohës së përparshme të Zogut, me nënpunësit e Financës. Ka qenë këtu në Elbasan, nënpunës finance. Në kohën e Luftës, “mbasi u çlirua” thonë këta se për ne nuk ka qenë çliruar, u zaptua nga regjimi komunist dhe me thirrjen që bëri krimineli Enver që: “çdo atdhetar që nuk ka lyer duart me gjak, të rikthehet për ndërtimin e vendit”, babai ynë, ngaqë e ndiente veten shumë të pastër, nuk kishte kryer asnjë akt kundër popullit dhe vendit, u kthye.
Nga u kthye?
Nga Prizreni, ku punonte në drejtorinë e Ministrisë së Financave.
Pas sa kohësh e arrestuan?
Aty nuk e mbushi dot vitin, u arrestua nga regjimi, duke punuar Sigurimi i Shtetit, kriminelët.
Përse u dënua?
U dënua me motivin “kriminel lufte”, “armik populli” dhe më vonë “kulak”. Dhe gjithsej, në burgun e parë, se e dënuan dy herë, ka bërë rreth 7 vjet e gjysmë burg. Nuk e mbaj mend saktësisht si ditë, po ka qenë 7 vjet e gjysmë. Është dënuar nga ’46-a e nga mesi i ’53-shit u lirua.
Po herën e dytë sa u dënua?
Nuk kaloi shumë nga lirimi, rreth 3 vjet e gjysmë, në ’57-ën, u dënua për propagandë e agjitacion me 8 vjet burg. Nga këto, ka bërë 7 vjet e ca. Tani duhet t’i themi ato se duhet t’i dinë njerëzit se si është sjellë regjimi me fëmijët, bashkëshorten dhe me farefisin e tij.
Çfarë pasojash pati familja?
Një: si punë e parë, u konfiskua çdo gjë që kishte. U shtetëzuan edhe pronat. Kuptohet që mbetëm gati në mëshirë të fatit, me një nënë me 7 fëmijë. Më i madhi ka qenë 13 vjeç.
Keni dëgjuar gjë nga babai juaj si e kanë trajtuar gjatë hetuesisë?
Po, kam dëgjuar. Me të thënat e tij, edhe karrige me llamarina, me pikim uji nga lart, i lidhur. Edhe me vezë të ziera, edhe me thupra, fjalët e tim eti, jo të miat: dhe me thupra në thonj.
U vërtetua ndonjë nga akuzat ndaj tij?
Kriminel lufte, armik populli edhe shfrytëzues, kulak që, këto, nuk ishin asnjë. Se do të të tregoj: për shembull si ishte babai im i pasur dhe kulak? Në burgun e dytë që ishim ne më të rritur, unë prapë i vogël isha, por ishte vëllai tjetër më i madh, kur ka dalë në gjyq këtu, në Elbasan, i ka dalë një bujk dëshmitar, dhëndri i mbesës edhe daja. Daja bëri një vit birucë, birucë. Vetëm për të dëshmuar se kush është filani. Dhëndri i motrës së babait bëri 6 muaj, bujku nuk bëri. Por problemi ishte, ç’ishte pyetja dhe çfarë doli nga ajo? Kur i thonë dajës tim që është bërë për rrahmet se vdiq në burg edhe ai: “Si e njeh këtë? A e njeh?, ai këtë përgjigje jep: “Si ka mundësi që mos ta njoh! Kam 7 nipër e mbesa. Ky është burrë i mirë”. “Po ke thënë kështu, shiko dokumentet”.
Daja është detyruar të flasë nga torturat?
E nga torturat. Me një fjalë, ai e tha jo se ishte kriminel ose ke bërë këtë, ke bërë atë. I thonë dhëndrit: “Po ti?” – i thonë. “Unë- thotë- e njoh për burrë të mirë”. I thonë bujkut: “Po ty a të ka shfrytëzuar”? “Jo-thotë- nuk është e vërtetë”. Ndërsa daja nuk vazhdoi shumë i lirë, ra në burg dhe si pasojë e kësaj që tha u dënua 10 vjet. Nuk bëri 2-3 vjet burg dhe vdiq nga marazi. Por më e keqja e dajës sim ishte kjo, që ia morën djalin ushtar dhe e vranë.
Ndërkohë familja juaj u dëbua nga Elbasani për në Dumre.
Po.
Si ishte jeta e familjes në Dumre?
Jeta e familjes sonë fillimisht, kur vajtëm në Dragot, siç e dinë të gjithë, na futën në disa kasolle si mos më keq.
A ka pasur tentativa nga Sigurimi për t’ju bërë bashkëpunëtor?
Atë unë e kam vuajtur vetë në kurrizin tim dhe nuk më vjen mirë, më vjen zor, e them me veten time: si mund ta bastardosh një njeri të ndershëm aq poshtë, t’i thuash: “Ti do të punosh për mua, po deshe të jap edhe fëmijën”, deri këtu ka arritur. Dhe sinqerisht edhe dajak kam ngrënë, vetëm për t’u bërë punonjës, bashkëpunëtor me Sigurimin. Nuk e kam pranuar dhe nuk mund ta pranoja se vetë geni familjar, ndërgjegjja ime nuk ishte, për shembull, gjak krimineli. Se që të bëhesh spiun, të vrasësh tjetrin, do të thotë të jesh kriminel. Unë vetë jam dënuar edhe me burg për rrahjen e një brigadieri që nuk ka ndodhur edhe sot. Dhe në burg më erdhi vetë, sigurisht nga Sigurimi, nga gjykata nuk e di, më sollën një fletë për ta firmosur që “gruaja nuk të do”. Unë një herë, me gjithë ato hidhërime që kisha, e vura buzën në gaz. “Po mirë- i thashë atij zotërisë që ma solli- po ti nuk e di që po nuk më deshi një herë ajo, nuk e dua 100 herë unë”? Se njeriu me zor nuk jeton. Pastaj si moshë e re që ishim, u nxituam se më vonë provat nuk dalin kështu, e firmosa që gruaja të shikojë punën e vet.
Domethënë regjimi ju ka detyruar të ndaheni pa dëshirën tuaj?
Derisa... Pa dëshirën time po e po. Për atë nuk mund të them se nuk kam bërë takime.
Kur u kthyet nga internimi
Në jemi kthyer në vitin ’90.
Si ka qenë jeta juaj pas atij viti?
Unë them vetëm një gjë: i kënaqem Zotit, jo njeriut! Jo njeriut brutal, por Zotit që nuk na la rrugës të vdekur ndonjë.
Nga arkiva e familjes Doko/kujto.al
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.