Demonstrata e 28 janarit 1990/Ndërkombëtarët: Lironi të burgosurit

0
352
blank

Një demonstratë e heshtur që fliste për ndryshimet që priteshin, por që solli arrestime dhe dhunë. Autoritet ndërkombëtare kërkonin lirmin e të burgosurve, ndërsa shteti shqiptar vazhdonte t’i mbante në biruca

Pasditen e 28 janarit 1990 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u zhvillua një demonstratë e heshtur. Një grumbullim masiv njerëzish ishte protesta e parë e popullit të kryeqytetit, shenja se viti 1990 do të ishte me ndryshime. Në prag të kësaj ngjarjeje, më 22 janar 1990, nga plenumi i 9-të i KQ të PPSH-së, Ramiz Alia deklaroi se në vendet e Lindjes, në Poloni, Hungari, Çekosllovaki, RDGJ, Bullgari e Rumani, “kanë ndodhur ndryshime të mëdha”, ato po “zgjeronin lidhjet me Perëndimin, sidomos në marrëdhëniet ekonomike”. Sipas tij vendet perëndimore po nxisnin ndryshimet politike në Europën Lindore, për zgjedhje të lira, pluralizëm politik, duke kërkuar “të shkatërrohet çdo gjë që mund të kujtojë socializmin”. Alia u betua se “armiqtë tanë me siguri do të dështojnë me turp” dhe se nuk kishte ndryshime. Si rrugëdalje shihte rritjen e vigjilencës dhe propagandës, “veçanërisht brenda vendit, por edhe me botën e jashtme”. Alia këmbëngulte se thirrjet për pluralizëm partish donin të thonin “ringjallje e Ballit Kombëtar dhe e Legalitetit, ose krijim organizatash të ngjashme politike, antisocialiste e antikombëtare”. Demonstrata që do zhvillohej kishte rënë në sy të regjimit disa ditë para saj. U çel një dosje agjenturore-operative. U miratua “plani i masave operativo – ushtarake për parandalimin e goditjen e veprimtarisë armiqësore e keqbërëse të mundshme nga një grup personash të organizuar në qytetin e Tiranës”. Para dhe pas datës 28 janar 1990, u arrestuan 110 persona. U veçuan 16 prej tyre, duke u mbajtur disa ditë të izoluar. Si pasojë e zhvillimit të ngjarjeve, për të mos krijuar një përshtypje të keqe, procedimi penal vijoi vetëm kundër Vasil Dhimitrit, Zeqir Gollopit dhe Faruk Picës. Hetimi kish nisur më 25.1.1990, ndërsa deklarimi i arrestimit për tre të përmendurit ishte dy ditë më pas. Ata u akuzuan në bazë të neneve 55/1 dhe 13 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë. U bashkuan në një çështje, pavarësisht se nuk e njihnin njëri-tjetrin.

Gjykata e Rrethit Tiranë me vendimin nr.285, datë 21.6.1990, i deklaroi fajtorë të pandehurit duke i dënuar si vijon:

-Vasil Qirjako Dhimitri, lindur më 1954 në Tiranë, mekanik remonti.

2 vjet burgim.

-Zeqir Isuf Gollbani, lindur më 1955 në Tiranë, mekanik, i papunë, 1 vit burgim.

-Faruk Ymer Pica, lindur më 1958 në Tiranë, elektricist pranë uzinës “Dajti”, 9 muaj burgim.

U la në fuqi me vendimin nr.71, datë 30.7.1990 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Për këtë rast, erdhën reagime ndërkombëtare si rrallë më parë, të gjitha me telegrame. Ngelet një e panjohur e madhe kush i organizoi ato. Nga Austria, Elfride Alfred Schierer më 29.6.1990 i shkruan kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, se ishte i shqetësuar për lajmet mbi arrestimin dhe dënimin e tre personave të përmendur, punëtorë të kombinatit të autotraktorëve në Tiranë, të cilët ishin “rrahur rëndë” nga forcat e regjimit. Schierer kërkonte të dinte arsyet e dënimit dhe lirimin e tyre nëse ishin pjesëmarrës në një miting të qetë e pa dhunë. Një telegram tjetër nënshkruan Franz Jozef po nga Vjena dhe në të njëjtën datë me të njëjtën përmbajtje.

Më 3.7.1990 një telegram tjetër vjen në Tiranë nga Berlini, shkruar nga Hort Reiman. Ai i kërkonte Ramiz Alisë lirimin e të përmendurve, duke evidentuar keqtrajtimin e tyre. Shkruesi thotë se për çështjen e tyre ishte biseduar me Amnisty International.

blank

Seksioni zviceran i Amnisty International me qendër në Bernë, më 3.7.1990 i shkruan Ramiz Alisë me telegram duke kërkuar lirimin e tre të përmendurve, duke denoncuar dhunën e përdorur ndaj tyre.

blank

Seksioni australian i Amnisty International, i shkruan Ramiz Alisë më 9.7.1990. Pak a shumë i njëjti tekst si të tjerat.

Të dhënat bëjnë fjalë se kanë ardhur edhe telegrame të tjera, por që nuk janë administruar dhe kabineti i Ramiz Alisë i asgjësoi ato. Në asnjë telegram, R.Alia nuk ka lënë shënime dhe as i ka konsideruar ato. Të dënuarit e demonstratës së heshtur u liruan nga kushte të tjera. Vasili dhe Zeqiri u liruan më 10.1.1991. Faruku u lirua më 18.10.1990. Të gjithë emigruan jashtë Shqipërisë dhe sot banojnë në shtete të ndryshme.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here