Dashuri e ndaluar në kohën e errësirës

0
908
blank

Drama e një 21 vjeçari të burgosur në diktaturë. Ëndrra u ndal atë ditë që u arrestua. Ndërsa vajza që kishte zgjedhur do të kishte një tjetër udhëtim jete, Agimi nisi rrugën e gjatë të kalvarit të vuajtjeve në burgjet e diktaturës

"Në hetuesi u thashë: Pse nuk më pyesni për atë femrën e vërtetë me të cilën kam marrëdhënie, sepse unë nuk kam pse mbaj sekrete për kësi gjërash, se të kesh marrëdhënie me një femër nuk është krim. Por atë nuk e kanë përfshirë fare në këtë proces. Ajo ishte e një familjeje të mirë. Kishte komunistë në familje. Atje nuk donin të preknin ata, sepse rëndoheshin gjërat”

Agim Akcani, ishtë një djalë i ri në Baldushk në vitin 1975. Ishtë 21 vjeç dhe punonte si brigadier në fermën e lopëve në Baldushk. Punonte me përkushtim dhe e jetonte jetën si të gjithë të tjerët me ato mundësi sa lejonte diktatura dhe me aq ëndrra sa mund të kishte një i ri në atë kohë të errët. Agimi dashuronte një vajzë dhe jeta dukej se shkonte normalisht. Një ngjarje e sajuar nga diktatura do ta kthente përmbys gjithë qetësinë,  shpresën dhe planet e tij për jetën. Krejt paprtimas e në një situatë krejt të paqartë kishin ngordhur 98 lopë në fermë dhe për këtë arsye kishte zbarkuar Sigurimi i Shtetit dhe organet e tjera të diktaturës në Baldushk. Për Agimin ishte tërësisht e paqartë. Edhe për të tjerët. Ndërsa regjimi e dinte shumë mirë çfarë po ndodhte sepse e gjithë ngjarja ishte inskenuar për të shpikur një grup armiqësor për arsye terrori.

blankAgimi do të dënohej si fajtor me 21 vite burg, u pushkatuan dy persona dhe gjashtë të tjerë u dënuan me 115 vite burg gjithsej. U quajtën anëtarë të “grupit sabotator të Baldushkut”, që siç konkluduan hetuesit e çështjes, këta tetë fshatarë të zonës morën pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë.

Agim Akcani do të kalonte një kalvar të gjatë vuajtjesh duke nisur me hetuesinë ku dhe do të gjendej në kushte mizore të padurueshme. Ai ka rrëfyer mizorinë e hetuesisë dhe procesin e montuar me dëshmitarë të rremë të vënë gjithashtu nën presion për të zbatuar procesin e montuar nga diktatura. Do të ishin dy punonjëse të fermës që në kushte terrori iu shfaqën Agimit në hetuesi duke dëshmuar për fakte të rreme. Duke përdorur të gjitha mjetet antinjerëzore, hetuesit dhe Sigurimi i Shtetit sajuan lidhje intime me dy motrat mjelëse ndërkohë që refuzuan të thërrasin në përballje vajzën që kishte pasur lidhje dashurie. Skema e Sigurimit të Shtetit nuk e përfshinte familjen e saj, e cila quhej familje e mirë sepse kishte disa anëtarë partie në rrethin familjar.

“Më nxorën dëshmitare një femër. Ishte mjelëse. E më pyetën: “Si i ke marrëdhëniet me këtë femër?”. “Marrëdhëniet me këtë femër i kam siç mund t’i ketë drejtuesi i një kompleksi me mjelësen. Thjesht marrëdhënie pune.” “Po marrëdhënie intime, ke?” - më pyeti hetuesi. “Absolutisht jo, - i thashë. -Dhe e para e punës, pse nuk më pyesni për atë femrën e vërtetë me të cilën kam marrëdhënie, sepse unë nuk kam pse mbaj sekrete për kësi gjërash, se të kesh marrëdhënie me një femër nuk është krim. Atë nuk e kanë përfshirë fare në këtë proces. Ajo ishte e një familjeje të mirë. Kishte komunistë në familje. Atje nuk donin të preknin ata, sepse rëndoheshin gjërat”, rrëfen Agimi Akcani.

Pa dyshim që lidhja e tij e dashurisë kishte marrë fund atë ditë që Agimi u arrestua. Ndërsa vajza e ëndrrave do të kishte një tjetër udhëtim jetë, Agimi nisi rrugën e gjatë të kalvarit të vuajtjeve që do t'i shkatërronin gjithçka.

blank

“Unë e humba gradualisht nocionin e kohës. Muajt jo e jo, por as se çfarë dite ishte nuk ia kisha idenë më. Për fatin tim të mirë, unë e mora vesh që ishim në mars prej plepave: në burgun 313 ka pasur disa plepa të gjatë dhe kur dilja në ajrosje, shihja plepat dhe mendoja se duhej të ishte mars. Kurse për të parë veten, mbusha një kovë me ujë në banjo dhe e lashë ujin të qetësohej pak për ta përdorur si pasqyrë. Pashë se isha bërë gjysmë njeriu; aq i dobët, sikur të ishte dikush tjetër. Shihja të tjerët në birucë dhe qetësohesha disi sepse ishim të gjithë njëlloj. Por ka pasur edhe të tjerë që trajtoheshin më mirë, pra edhe atje kishte diferencim në trajtim”, rrëfen Agim Akcani.

Akuza dhe dënimi

Pas hetimeve të nisura më 10 nëntor 1975 për ngordhjen e lopëve, u publikua akt-akuza e formuluar më 7 dhjetor 1976 mbi grupin e arrestuar, me këto pika:

– Kanë marrë pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor.

– Kanë zhvilluar agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor dhe kanë kryer aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë.

– Krime këto të parashikuara nga neni 70 dhe 73/1 në kombinim me nenin 76 të kodit penal”.

Çështja u gjykua fillimisht në Gjykatën Popullore të Tiranës. Procesi i gjykimit ka filluar më 24 deri në 27 janar për të përfunduar më 31 janar 1977 me vendimin përkatës:

1.- Rifat Daja, i vitlindjes 1949, ndihmës mjek, (vëllai i Latif Dajës) dënuar me vdekje me pushkatim, në vitin 1976.

2.- Nuri Allmuça, i vitlindjes 1939, infermier, dënuar me vdekje me pushkatim në vitin 1976.

3.- Selman Balla, i vitlindjes 1944, përpunuesi i ushqimit, dënuar me 22 vjet burg.

4.- Bashkim Allmuça, i vitlindjes 1918, arsimtar me shkollë të mesme, dënuar me 18 vjet burg.

5.- Agim Akcani, i vitlindjes 1953, brigadier, dënuar me 21 vjet burg.

6.- Emine Shima, e vitlindjes 1955 (mami), dënuar me 15 vjet burg. Vdiq në burg.

7.- Nadire Shima, e vitlindjes 1952, mjelësja e lopëve, e motra e Emines, punëtore, dënuar me 14 vjet burg.

8.- Latif Daja, ish-përgjegjës i sektorit, në momentin e arrestimit ishte punëtor. U dënua me 25 vjet burg. blank

Shënim: Pjesë nga intervista e Agim Akcanit është marrë nga libri “Zërat e Kujtesës” publikuar nga ISKK, intervistues Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here