Vendi i ngushtë 1 me 2 metra, aq i ftohtë sa ndonjëherë të dënuarve iu ngrinin rrobat në trup, ishte një nga torturat më të rënda për të dënuarit politikë në kamp-burgjet e komunizmit. Luan Myftiu përshkruan birucat e Spaçit, kampit ku ka vuajtur për disa vite
Nga Luan Myftiu
Biruca ishte një nga ato hijet e frikshme që endeshin edhe në gjumë në vetëdijen e të dënuarit. Ajo nuk shërbente si mjet për të qetësuar me anë të izolimit atë që kish dalë nga vetja dhe bëhej i rrezikshëm për të tjerët. Aty mbylleshin kryesisht ata që, për nga bindjet i tyre, komanda i quante të pandreqshëm. Dhe pretekste kishte plot. Mjafton që pa pasur mendjen aty të haje një biskotë në fjetoren e mbushur me baltë; a të qepje një pullë në xhaketë, kur na lexohej në mënyrë të organizuar një vepër e Enver Hoxhës dhe të priste ndëshkimi i rrahjes me 11-13 policë, i shoqëruar ky ndëshkim edhe me një muaj birucë.
Birucat qenë dhomëza 1X2 m, me dyer të grisura. Ato qenë ndërtuar prej kohësh në buzë të përroit, ku frynte era ditë e natë. Kur të fusnin në të për ndëshkim, të hiqnin nga trupi çdo veshje, përveç atyre që të kish dhënë kampi, të cilat ishin beze të ngjyrosura. Në orën dhjetë të mbrëmjes të jepeshin dy batanije të trepsura, të cilat të merreshin në pesë të mëngjesit. Shtatëmbëdhjetë orë të tjera duhej të vrapoje për të përballuar një të ftohtë që në dimër arrinte shumë gradë nën zero. Të dënuarit i quanin “birucat e vdekjes”, sepse të gjithë ata që hynin atje, sidomos në dimër, do të parapëlqenin, ndoshta, edhe vdekjen më mirë se atë torturë, që kërkonte përpjekje mbinjerëzore për ta përballuar.
Ata që silleshin aty të masakruar nga skuadra e ndëshkimit, përgjithësisht, nuk ishin në gjendje të hanin vetë, prandaj ushqeheshin si fëmijë prej shokëve të birucës. Shpesh edhe rrobat u ngrinin në trup. Të gjithë, kur dilnin prej aty, kishin ngjyrën e dheut dhe, me vështirësi, përshtateshin në jetën e kampit.
Edhe i sëmurë, i ndëshkuari kurohej në birucë, por, edhe kur ishte shumë rëndë e duhej të shtrohej në infermieri, do të plotësonte doemos, kur të përmirësohej, ditët e birucës që kishte lënë mangët.
Të gjithë, komanda, mjekët, madje, edhe shumë të dënuar të privilegjuar bashkoheshin në kor kundër një të dënuari, që ankohej se vuante nga ndonjë sëmundje që s’kishte simpotma të qarta, duke e quajtur simulant dhe vetëm kur ai vdiste nuk e përmendin … Vdekja ka një pushtet të tillë mbi të gjallët sa shuan çdo lloj urrejtje…
Im atë në burgun e Burrelit kishte vdekur pikërisht nga një mospërfillje e tillë kriminale. Në një kohë që vuante nga peritonitis e kuronin për enterokolit dhe, vetëm kur u duk sheshit që po vdiste, e dërguan për operim në Tiranë, ku mbaroi aq shpejt sa s’pati kohë as të shihej me ndonjërin prej nesh. Procesverbalet e të vdekurve për “pakujdesi” përpiloheshin me një kujdes të tillë, sa historia do të detyrohet t’i lavdërojë komunistët për humanizëm. Kurse ne të vdekshmit do t’i marrim në varr shprehjet cinike të këtyre kanibalëve që për çdo rast të tillë vdekjeje thoshin: “Një armik më pak!”, duke shprehur jo vetëm papajtueshmërinë me ata që i quanin reaksionarë, por edhe moskokëçarjen ndaj çdo proteste të të dënuarve, të cilët dëshpërimi shpesh i shpinte në greva urie, a vetëvrasje të paramenduara.
Marrë nga libri “Nën terrorin komunist” i Luan Myftiut, botim i ISKK
Skicat: Nga ekspozita "Jeta në Spaç", realizuar nga artistja Ina Elezi, si projekt i Hartës së Kujtesës, mbështetur nga KAS Albania
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.