Beqir Ajazi: Në kampin e Jubës, ku hapnin kanale politikanët e burgosur nga regjimi

0
643
blank

Ish-i dënuari politik Beqir Ajazi, në dëshmitë e tij për kohën kur ishte i  burgosur në Tiranë, e përshkruan kështu punën në kampin e Jubës, ngritur në prill 1946,  në fshatin Jubë në lindje të qytetit të Durrësit.

“Një ditë prilli të vitit 1946, kur sapo kishim hyrë nga pajdosi dhe të burgosurit kishin rënë në një farë qetësie, kush duke studiuar, kush duke luajtur shah, apo domino, filloi një zhurmë e pazakontë të dëgjohej aty ndër mjediset e burgut... Më në fund, llozi u hap me një tërsëllëmë të madhe dhe një oficer i ri u duk me një letër në dorë...

- Vini re! - thirri ai. - Të gjithë ata që do të dëgjojnë emrin, të lidhin teshat, t’i bëjnë deng dhe me to në kurriz, shpejt e në oborr, një minutë e më parë.

Pastaj, ai filloi të na lexonte një listë që s’kish të sosur. Kur e mbaroi, më shumë se gjysma e kaushit e kishin dëgjuar emrin. Po në të njëjtën kohë, porta e madhe e burgut që shikonte nga rruga “Mine Peza”, ishte hapur dy kanatesh dhe disa kamionë gumëzhinin aty, duke manovruar që të kthenin drejtimin. Kur kishin dalë të gjithë në oborr, dera që komunikonte me burgun u mbyll e u sigurua. Një palë policë na grumbulluan në njërën qoshe dhe filluan të na lidhnin grupe-grupe me një litar të gjatë. Me qëllim që ky deng litar të mund të lidhte një numër sa më të madh të burgosurish, lidhjen policët na e bënin fare afër njëri-tjetrit.

Kështu u bëmë disa grupe me nga 62 të burgosur me një deng litari.

blankKomandanti i kampit të Jubës, një farë Vangjel   Mihali, që deri dje kishte qenë kamerier në Korçë, u mërzit dhe u bë nevrik nga mefshtësia që po tregonin policët e tij në këtë punë. Prandaj, për të dhënë vetë shembullin personal, ai hipi në kamion dhe duke i shtyrë të burgosurit me shqelma si të ishin kërcunj me miza, i hidhte poshtë njëri pas tjetrit. Ndodhte ngandonjëherë që i rrëzuari mbetej i varur në litarin që e mbante të lidhur me shokët që ishin ende në kamion. Kështu e pësuan të gjithë këta të mjerë deri tek ai që ishte në fund të litarit. Kur erdhi radha tek unë, ai më dha një shqelm të fortë nga pas, vrulli i të cilit më hodhi poshtë mua, si dhe shokun që kisha pranë. Duke i kujtuar ato çaste, kam i sigurt që, nëse duke na flakur kështu nga kamioni, ne shpëtuam pa thyer këmbë a dorë, kjo i detyrohet faktit që, duke rënë njëri mbi tjetrin, trupat tanë si prej mishi që ishin, krijonin për njëri-tjetrin një farë amortizatori shpëtimtar.

Dhe, kur mori fund procesi i zbritjes, ata na vunë të gjithëve në rresht dhe filluan të na numëronin, jo me emra por si njësi. Na sistemuan nga 6 veta në një çadër. Kush kishte dyshek, e kishte problemin të zgjidhur se shtrihej mbi të, ai që nuk kishte, shtrihej mbi tokën lakuriqe, por ama në vendin që i kishin caktuar. Ai kishte një fitim se nuk e lagte shiu. Meqë ashtu si neve këta sollën dhe nga Elbasani, Vlora e Berati, përfundimisht u bëmë aty rreth 800 veta. Që të nesërmen na nxorën në punë. Detyra jonë ishte të gërmonim kanalin e Jubës, për të shpëtuar fushën nga përmbytja.

Meqë ishte fare në fillim, gërmimi bëhej me traktor, kurse ne kishim si detyrë që të largonim dheun deri në atë distancë që e kërkonin kushtet teknike. Organizimin e punës e kishte bërë një rus i bardhë. Thuhej se ai kishte qenë apo dhe ishte i burgosur si ne, prandaj, me qëllim që të fitonte pikë me autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai nuk orientohej veçse drejt asaj që t’u pëlqente autoriteteve. Sipas këtij organizimi, çdonjëri duhej të mbushte dy karro dore. Gjatë ditës së parë, sistemi i punës së detyruar nuk m’u duk dhe aq i tmerrshëm, nga sa e kisha nxjerrë nga leximet. Punuam normalisht dhe askush nuk na trazonte dhe as na nxiste. Në nëntëshen time bënin pjesë: Demir  Vila, Koço Kota, Et’hem Cara, Enver  Hasa, Ahmet Ndroqi, Qazim Merlika, Hasan Kalaja, Reshit Ishmi dhe unë.

Të nesërmen dolëm në punë më me kurajë, se na dukej që ia kishim marrë dorën. Por, kur u kthyem nga puna e ditës së dytë, situata kishte ndryshuar fare... Përpara portës së madhe të kampit, mbërthyer e ngërthyer me tela me gjemba, kishin sjellë një lloj tjetër teli me gjemba, të cilin as e kisha parë dhe as kisha dëgjuar kurrë të flitej për të. Ky lloj teli ishte thurur në formë tubi, me diametër pak a shumë 70 cm. Këtë e kishin vendosur në formë rrethi përpara portës dhe përmasat e këtij, arrinin sa ato të një lëmi të madh. Ndërsa njerëzit, të lodhur, prisnin që të hynin në kamp dhe të shtriheshin secili në vend të vet, një listë emërore na u lexua. Ata nuk do të futeshin në kamp, të tjerët, po...

Të tërë ata të listës ishin personalitete të spikatura të regjimeve të kaluara, si prefektë, ministra, gjeneralë e kështu me radhë... Këta i detyruan të futeshin këmbadoras në tub të telit dhe të ecnin gjunjas nëpër të. Mjerë ai që ndalej, sepse, që nga kuadratet boshe, dajaku i policëve bënte kërdinë mbi mish njeriu. Të burgosurit e mjerë duhej të ecnin duke gjetur boshllëqe për të vënë gjunjët dhe duart, që të avanconin. Gati për çdo hap, gjuri i shkretë ose pantalloni i gjerë ngecte në grep të telit. Sa përqendroheshe në çlirimin e gjurit nga kjo ngecje, grepi që ishte nga sipër, të ngulej në këmishë ose dhe në kurriz. Dhe këtë ushtrim gjimnastikor komandanti i kampit, Vangjel  Mihali, e vazhdonte deri në mesnatë.

Kur ktheheshin për t’u shtrirë e për të fjetur, trupi i tyre kullonte gjak, këmisha dhe pantallonat ishin zgripur, si t’i kishin çukitur laraskat...

Ditën e tretë, Koço Kotës, Ibrahim Biçakçiut dhe Et’hem Carës u vunë dhe nga një polic enkas prapa, detyra e të cilëve ishte që, tërë ditën e ditës, këta të mos bënin gjë tjetër, veçse të godisnin me bisht të lopatës, secili myshteriun që i ishte caktuar, pa marrë parasysh nëse punonte apo nuk punonte.

Kur e kuptova lojën mizore që luhej në kurriz të këtyre të mjeruarve, më pllakosi një trishtim i madh në zemër, i cili më bëhej si ankth në fyt dhe s’më linte të merrja frymë. Duke e ndjerë veten të pafuqishëm, për të protestuar me vepra kundër kësaj mizerje që ishte ngritur në sistem, shpirti dhe zemra ime qanin përbrenda dhe shkriheshin riga nga kjo e keqe, të cilën nuk ma kishte marrë mendja se mund të bëhej në faqe të dheut. Ç’është më e keqja, ky lloj presioni që bënte vullneti mbi shpirtin tim të zhuritur, më bluante dhe më rëndë përbrenda dhe më shkrinte fare. E dija se, po të kisha qarë ashtu me lot e me dënesa, sa të dëgjohej jashtë, e keqja që më gërryente në heshtje, do të më ishte më e lehtë. Po kjo nuk ishte në dorën time...

Ishte fundi i tetorit të atij viti kur komunistët u kujtuan të na kthenin nëpër burgje. Ne kishim lindur me jetë të gjatë se, pikërisht atë natë që u kthyem dhe qe boshatisur fare Kampi i Jubës, nisi ai shiu katastrofal që nuk pushoi ditë të tëra dhe që solli atë përmbytje historike që shkriu shtëpitë prej qerpiçi, rrëmbeu prodhimet e fushave, si dhe njerëzit që gjeti përpara i rrëmbeu e i çoi në det. Këtë fat do të kishim pësuar dhe ne, në rast se nuk do të kishte rastisur të na kishin hequr një ditë më parë. Me çadrat, me të burgosurit si dhe me policët, bashkë me Vangjel  Mihalin në krye, do të kishim përfunduar në Gjirin e Lalëzit, ku të na hanin përbindëshat e detit, kurse, sigurisht që Vangjel  Mihalin do ta kishte ngrënë ndonjë gjarpër ciklop, se gjarpër ciklop, ai ishte me të vërtetë.

            Kur u kthyem në burgun e Tiranës, pamë se mënyra e administrimit aty kishte ndryshuar. Na futën në burgun e vjetër në rrugën “Mine Peza”. Kur patëm marrë rrugën e Jubës, aty nuk kishte mbetur më as një e treta e të mjeruarve, kurse tani që u kthyem, e gjetëm veten të shtrënguar si kokrrat e shegës. Holli qendror plot e përplot dhe gjithë korridoret ishin plot me të burgosur, ngjeshur e stivosur njëri pas tjetrit si fishekët në qese. Në fund të këtij vargu që s’kishte të sosur, pikërisht te zgara e hekurt, në krye të shkallës së birucave kishin vënë Hafiz Ibrahim Dalliun”.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here