“Ashtu si ferri i Dantes, komunizmi ka nivele të ndryshme të tmerrit dhe mizerjes”

0
3111
blank

Si përshkruhej arratisja e Panajot Plakut nga revista amerikane Time Magazine e datës 3 qershor 1957 si dhe rrëfimet e bashkëshortes Vjollca Taja për kalvarin e  vuajtjeve të familjes Plaka

Zëri i një gruaje po dëgjohej korridoreve të hetuesisë në Ministrinë e Brendshme, afër mesnatës së 16 majit 1957: “Jam e pafajshme! Unë kam fëmijë! Pse po më merrni në qafë?”. Ishtë Vjollca, bashkëshortja e Panajot Plakut, gjeneralit që kishte luftuar për çlirimin e  Shqipërisë, por atë ditë kishte braktisur familjen e vatanin për t'i shpëtuar arrestimit si armik i popullit. Në qelinë afër ku gjendej Vjollca, ishin të arrestuar tre të rinj shkodranë, të akuzuar për grup armiqsor kundër pushtetit popullor. Ndrek Bazhdari ishte njëri prej tyre dhe e rrëfen kështu atë natë kur në hetuesi ishte Vjollca Taja, bashkëshortja e gjeneralit. “Një natë, aty nga ora 11 e gjysmë, mbasi kishin mbaruar procesin, na morën dhe na vunë në një dhomë që ishte më e madhe se ato dhomat e zakonshme të hetuesisë. Aty shohim një gjeneral, i cili na mori në pyetje, ndërsa këta të tjerët, na kërcënonin e na gjuanin me ndonjë grusht a ndonjë shqelm sipas zakonit, por ky, gjenerali, i ndaloi. Aty, në atë dhomë, ndodheshin edhe hetuesit e Shkodrës.

Pas tri ditëve, në koridorin e gjatë me qeli, dëgjuam një zë femre që qante. Për të komunikuar njëri me tjetrin, ne kemi pasur një sinjal, një kod: këndonim “Venite Adoremus” dhe mbështesnim veshin në tokë për të dëgjuar rojën, e kur ai largohej pak për të ndejtur me rojën tjetër, ne i fishkëllenim njëri-tjetrit, e merreshim vesh. Pyesnim “Karlo? Niko? Ç’është kjo gruaja që qan?” Karlo, që e kishte më afër, më thotë: “Është e shoqja e Panajot Plakut.” “Po ç’ne Panajot Plaku?”- e pyeta unë. Panajot Plaku ishte ai gjenerali që na kishte marrë në pyetje para tri ditësh, e tashmë ishte arratisur”, rrëfen Ndrek Bazhdari, ish-i burgosur politik.

Pas rënies së diktaturës, Vjollca Taja e ka rrëfyer atë natë dhe gjithë ngjarjen pas arratisjes së bashkëshortit të saj, Panajot Plaku.

Në emisionin “Histori me Zhurmues” në Tv Klan, ajo e rrëfen kështu njohjen me Panajotin, arratisjen dhe vuajtjet që e pasuan familjen e saj: “Unë e kam njohur përmes një shoqeje Panajotin më 1950. U fejuam dhe në janar të ’51 u martuam. Në atë kohë ishte nënkolonel, por pati një ngritje të shpejtë.

Arratisja ndodhi më 1957. Ditët e fundit përpara se të arratisej ishte i shqetësuar, por kishte ndodhur edhe vdekja e vëllait të tij, Kalos që e kishte tronditur shumë. I kërkova të mërrnim një mjek, por ai bërtiti dhe me këmbëngulje refuzoi.

Më pas, ai na tha se po bëhej gati për shërbim, ai shkonte herë pas here dhe më kërkoi t’i bëja valixhen gati. Të nesërmen u takuam dhe u nis për të shkuar, bëri një copë rrugë dhe u kthye prapë. Na bëri një fotografi dhe iku. Të nesërmen na erdhi lajmi se ishte arratisur. Mamaja e Panajotit e cila e kuptoi më tha: Mos qaj shumë, ne do ta qajmë gjithë jetën.

Unë nuk e besoja që do ta bënte kurrë këtë, i kundërshtova shumë ata të degës. Më morën në pyetje dhe më kërkuan që të tregoja kush hynte dhe dilte në shtëpinë tonë dhe unë i shkruajta.

Pas arratisjes së tij, jeta jonë qe e mundimshme. Pasi më mbajtën 10-12 ditë në komisariat, na internuan në Skrapar. Atje kërkova punë dhe fillova në një punishte reçeli ku duhet t’i hiqja bërthamat qershive. Më ndihmuan shumë shoqet atje. Më pas na sollën në Durrës dhe për 6 vite kam qenë e dëbuar. Pas arratisjes së Panajotit, babai im kërkoi që të bëhej ndarja duke thënë se ne nuk kishim faj. Pas arratisjes së tij, unë nuk dija asgjë se çfarë ndodhte me të, por kur vdiq unë isha në ndërmarrje, dy shoqe më dhanë lajmin. Ato ishin të dyja komuniste dhe unë iu thashë: Që kur është arratisur ai për mua ka vdekur”, tha Vjollca Taja.

Panajot Plaku kishte qenë partizan, më pas ishte gjeneral-major i ushtrisë shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së. Kishte qenë mik i ngushtë me gjeneral Dali Ndreun, i cili ishte arrestuar e dënuar nën akuzën: agjent i Jugosllavisë. Ishin dënuar shumë miq të Panajot Plakut dhe radha ishte e tij në maj të vitit 1957. Me sa duket ai kishte kuptuar se çfarë e priste dhe kështu vendosi arratisjen nga Shqipëria.

“Ashtu si ferri i Dantes, komunizmi ka nivele të ndryshme të tmerrit dhe mizerjes. Javën e kaluar, një ministër kabineti i qeverisë thellësisht staliniste shqiptare, gjeneral-major Panajot Plaku, u arratis nga atdheu i tij duke rendur në mes të natës nëpër shtigjet që pat mësuar së pari si partizan në Luftën e Dytë Botërore, për të kaluar në Jugosllavi. Plaku është komunisti i rangut më të rëndësishëm mes 5-6 mijë shqiptarëve që i janë larguar errësirës së atdheut të tyre, që nga koha e luftës…”, kështu përcillej ngjarja në Shqipëri nga revista amerikane Time Magazine e datës 3 qershor 1957.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here