Aqif Përmeti, portreti i një patrioti të pushkatuar

0
811
blank

I lindur për Shqipërinë, i vrarë nga komunistët. Aqif Përmeti ia kushtoi jetën atdheut, por do të vritej si armik i tij

 

Shteti i pavarur shqiptar u lind ditën kur ai mbushi 28 vjeç dhe me siguri në 28 nëntorët e tjerë, atdhetari Aqif Përmeti, ka festuar ditëlindjen e Shqipërisë së pavarur më shumë sesa të tijën. I ishte bërë zakon të vinte atdheun të parin. I ri, la Stambollin, ku i graduar gjeneral që në moshën 27-vjeçare, zotëronte prestigj dhe reputacion dhe erdhi në Shqipëri, pa mundur të mos ndiente frymëzimin e drejtpërdrejtë të atij kthimi legjendar të vitit 1443. Betejat dhe përpjekjet shekullore ishin kurorëzuar pikërisht atë nëntor të 1912-ës dhe Aqif Përmeti ndjeu që duhet të ishte në Shqipëri për të dhënë ndihmën që i takonte, për shtetin e sapoformuar.

Për mëmëdhenë

Në një çast tjetër kritik për Shqipërinë, vitin 1920, ai sërish lë vendin ku ndodhej, këtë herë Amerikën, për të ardhur në krye të një trupi vullnetarësh, në mbështetje të ushtrisë së shtetit shqiptar, territoret e të cilit në Jug, po kërcënoheshin nga ekspansioni grek. Një grup i madh burrash, nga 20 në 40 vjeç, përshkuan gjysmën e globit për t’i ardhur në ndihmë vendit të tyre të vogël që mezi dukej në hartë, por iu zinte vendin më të madh në zemër. Një pjesë përbëhej nga anëtarët e bandës muzikore, e cila e përdori muzikën për të ndezur patriotizmin në shpirtrat e dëgjuesve. Pjesa tjetër përbëhej nga vullnetarët e mbledhur për t’u përballur drejtpërdrejt me armikun. Ishin rreth 160 apo 200, siç shkruan në një studim të saj Dr.Ariola Prifti, të veshur me uniforma të gjelbra me shirtin e dallueshëm kuqezi në mëngë dhe jakë, ku ndodheshin dhe shkronjat e bronzta T V, nistore të “Trupit Vullnetar” siç u quajt kjo ushtri para se të emërtohej “Garda Civile.”

blank
Vullnetaret e Vatres. Ne qender, Aqif Permeti
blank
Uniforma ruhej ne Fondet Etnografike të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe historia e saj eshte bere e njohur nga nje studim i Dr.Ariola Priftit

Në krye të tyre qëndronte Aqif Përmeti. Ata u nisën nga New York-u, lundruan me vaporin “Canada” dhe zbarkuan në Durrës mbrëmjen e 3 prillit 1920.

E mbajtën frymën në Korçë, për t’u bërë ballë mësymjeve të Greqisë në atë zonë, duke e vazhduar misionin deri në gusht, kur u vendos që trupat në kufi do të zëvendësoheshin nga ushtarë të rregullt. Disa prej vullnetarëve u kthyen në Amerikë, por disa qëndruan. Një prej tyre ishte edhe komandanti Aqif Përmeti, i cili iu bashkua ushtrisë së rregullt dhe për katër vjet me radhë, drejtoi batalionin që vepronte në kufirin me Greqinë, duke organizuar, falë aftësive të rralla, ushtarake mbrojtjen e këtyre kufijve, siç shkruan Eugen Shehu në shkrimin "Aqif Përmeti me vizion atdhetar".

Në Revolucionin e Qershorit përkrahu Fan Nolin, por pa e braktisur detyrën në Jug, duke menduar që ajo çfarë ndodhte me ushtritë në kufi, ishte më jetike për Shqipërinë sesa ajo që ndodhte me qeveritë në Tiranë. Me dështimin e qeverisë së Nolit, Aqif Përmeti u largua nga Shqipëria, por do të kthehej shumë shpejt për të marrë një tjetër detyrë me përgjegjësi. Ahmet Zogu, tashmë në krye të shtetit shqiptar, si edhe në disa raste të tjera, ua besoi detyrat kyçe njerëzve më të aftë për t’i përmbushur ato, pavarësisht që ata mund të ishin kundërshtarët e tij politikë. Ai ngarkoi Aqif Përmetin për të organizuar xhandarmërinë, duke ia njohur mirë aftësitë nga bashkëpunimi i gjatë që si ministër i Brendshëm kishte pasur me të gjatë viteve kur ushtaraku brilant drejtonte mbrojtjen e kufijve të jugut. Edhe në këtë detyrë të re, Aqif Përmeti dha një kontribut të vyer duke ngritur një xhandarmëri moderne e duke dhënë përvojën e tij në përgatitjen e brezave të rinj në shkollën e xhandarmërisë në Shkodër.

Lufta e fundit

Aqif Përmeti ishte lindur në një datë që do të bëhej historike për Shqipërinë dhe jetoi në disa periudha të tilla. Por kjo e Luftës, do të ishte e fundit. Kur në Shqipëri, fituesit e saj komunistë, morën në dorë vendin, nisën të arrestonin të gjithë figurat që i quanin bashkëpunëtorë me pushtuesit apo që nuk kishin mbështetetur Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Një ndër të parët që arrestuan nëntorin e 1944-ës, pasi morën Tiranën, ishte Aqif Përmeti, i cili që prej vitit 1943 ishte Komandant i Mbrojtjes Kombëtare. Mbajtja e postit të rëndësishëm në Shqipërinë e pushtuar shërbente për ta kategorizuar bashkëpunëtor dhe për ta arrestuar automatikisht. Kështu 32-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe 60-vjetorin e vet, ai e kaloi në birucat e burgut të Tiranës, nga do të dilte në pranverën e vitit pasardhës për të përshkuar rrugën drejt ish-kinema “Kosovës”, tani edhe ish-Teatrit Kombëtar, ku u zhvillua “Gjyqi Special për Kriminelët e Luftës dhe Armiqtë e Popullit”. Ky gjyq zgjati disa ditë, por sigurisht jo për t'i dhënë kohë shqyrtimit të fakteve dhe provave. Ndryshe, nuk kishte si Aqif Përmeti që gjithë jetën kishte mbrojtur Shqipërinë, të dënohej me pushkatim si vegël e pushtuesit. Asgjë nuk të mbush dot mendjen që do të kishte shërbyer si shkak, për këtë ushtarak në prag të pleqërisë, të vepronte në dëm të Shqipërisë për të cilën kishte sakrifikuar gjithmonë karrierën e lavdishme apo jetën e qetë, por ndoshta mëkati i tij i pafalshëm nuk ishte ky, por deri diku e kundërta. Gjatë kohës që ishte komandant i Mbrojtjes Kombëtare, krahas figurave të tjera, të cilët kush me vendime gjyqi e kush me atentate u eliminuan nga komunistët, Aqif Përmeti, si shkruan edhe Eugen Shehu, kishte ndërmarrë mbrojtjen e kufijve kombëtarë, veçanërisht në Veri e Lindje. Për të, si gjithmonë, kryesorja ishte mbrojtja e Shqipërisë. Nuk ishte hera e parë që fundin e një konflikti më të madh, fqinjët kërkonin ta shfrytëzonin për përfitime vetjake në kurriz të trojeve shqiptare. Nuk ishte hera e parë as për Aqif Përmetin të përballej me këto pretendime, mirëpo këtë herë, matanë kufijve ishin aleatët e atyre që do të merrnin në dorë pushtetin në Shqipëri. Është i njohur  ndikimi jugosllav në ato vite të para të pasluftës, në bazë të të cilit u vranë dhe dënuan dhjetëra patriotë shqiptarë. Aqif Përmeti që, gjatë luftës, nuk kishte pranuar bashkëpunimin me forcat komuniste, por i ishte kushtuar veprimtarisë patriotike në Kosovë, duke organizuar shkollat shqipe, si dëshmon mbesa e tij Mirjam Deponte dhe së fundi, i ishte rikthyer detyrës ushtarake, duke u dalë si pengesë jugosllavëve, ua kishte dhënë vetë emrin hartuesve të listave me armiq, si në Jugosllavi dhe në Shqipëri. Dhe kur komunistët morën pushtetin, ato lista ishin përmbi çdo provë. Çdo mbrojtje dhe arsyetim ishte e pavlerë.

blank
Tirane, prill 1945. Gjyqi special. Mes te akuzuarve, Aqif Permeti, me koken mbeshtetur ne dore

Megjithatë Aqif Përmeti, i qëndroi deri në fund së vërtetës. Ai duke mohuar akuzat, tha se kishte luftuar vetëm për kombin dhe atdheun e tij. Kjo ishte e vërteta e jetës së vet. Një e vërtetë që do të jetonte edhe pas gjeneralit. Megjithatë gjyqi komunist e dënoi me pushkatim. Pushteti e dënoi edhe të mos kishte një vend prehjeje ku mund t’i bëheshin homazhe në këtë 100-vjetor të misionit vullnetar që erdhi të ndihmonte qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës apo çdo nëntor, kur Shqipëria e pavarur dhe ai kanë ditëlindjen. Një dënim i rënë si një pikë bojë mbi faqet e historisë, nga duart e atyre që donin ta fshinin e ta ribënin atë dhe mbetur si një njollë e errët aty.

a.çano/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here