Historia e rrallë e një ish-të burgosuri politik që, pasi doli nga burgu, pati për mik në jetë vetëm qenin, Balo
Askush nuk mund ta llogarisë saktë sesa janë të burgosurit që, për shkak të dënimit politik, humbën familjen dhe miqtë dhe në fund, u shuan të izoluar dhe të vetmuar, për të humbur edhe vetë. I njëjti fat e priste dhe Ali Hoxhallarin, por një rrjedhë e pazakontë ngjarjesh bëri që emri, historia dhe eshtrat e tij të mos humbnin.
Ish-i dënuari politik, Shkëlqim Abazi e ka sjellë historinë e bashkëvuajtësit në librin me kujtime “Spaçi”, ku tregon edhe sesi rodhi jeta e Aliut dhe sesi iu gjendën eshtrat, bashkë me ato të qenit, mikut të vetëm që pati pas daljes nga burgu.
Aliu ishte një bari nga Sazhdani i Bogdanit, në zonën e Tomorit. Kishte përfunduar në burg me akuza politike, kur ai nuk e dinte fare çfarë ishte politika. Konkretisht mbesa e tij ishte grindur në shkollë me vajzën e sekretarit të Partisë dhe kishin nisur t’i përmendnin njëra-tjetrës fjalë që kishin dëgjuar në shtëpi për familjet respektive. Pas kësaj, Aliut i kishin hedhur prangat. I përmendën që kishte strehuar një të arratisur, që kishte bërë nuska te hoxha i Vodicës, por edhe që kishte tradhtuar Atdheun duke kapërcyer kufirin me Greqinë, kur në të vërtetë partia e kishte dekoruar që Aliu arriti ta kthente kopenë e bagëtive në atdhe, pasi ato, në një rast kur po kulloste në fshatrat kufitare, kishin kaluar matanë. Si përfundim e dënuan me 20 vjet burg.
Metamorfoza
Kur ia tregon këtë histori Shkëlqim Abazit, ishte fillimi i viteve ’70 dhe ndodheshin në Spaç. Aliu u lirua aty nga viti 1985. Bashkëshortja i kishte ndërruar jetë që kur ai ishte në burg. Ajo kishte pësuar një tronditje të fortë pas arrestimit të Aliut, kur e thirrën si dëshmitare dhe nuk mundi të jetonte më gjatë. Ndërsa fëmijët, vëllai, nipërit e mbesat nuk mbanin asnjë kontakt me të. Sapo doli nga burgu, ai mori vendimin për internim në fshatin Malinat, të mbushur me të internuar për krime ordinere, të cilët e provokonin pareshtur. Dy herë në ditë duhet të paraqitej në apel, ndërsa spiunët i kishte pas gjithë kohës. Në të tilla rrethana, ai bënte një jetë të izoluar. Të vetmin mik kishte qenin e tij besnik, Balon.
Në këtë kohë, e ndesh, për herë të dytë në jetë, Shkëlqim Abazi. I liruar prej kohësh nga burgu, ai punonte në fermë dhe në atë periudhë e kishin çuar në Malinat. E njeh Aliun që po rrinte ulur në një lirishte pranë përroit. Plaku kishte humbur shpresat.
“U çudita, e gjeta të tjetërsuar Liken optimist, të qeshur dhe gazmor. Fytyra e rrudhosur shprehte trishtim dhe dhimbje të thellë, kurse sytë iu shëmbëllenin gacave që tentonin t’iu fshiheshin mizorive të botës që e kishin flakur në Tartar”, shkruan Shkëlqim Abazi, në librin “Spaçi”, botim i ISKK.
Aliu i tregoi se jetonte vetëm, se djemtë nuk ishin bërë të gjallë prej vitesh dhe nuk e dinte ku ishin.
Në bisedë e sipër, atyre iu afrohet një qen i bardhë që nis t’i lehë të panjohurit. Ishte Baloja që, siç kujton Shkëlqimi, plaku e kishte ftuar të afrohej dhe kishte nisur t’i fliste si një miku. “Ruhu se vetëm ti më ke mbetur”, i kishte thënë. Kishin ironizuar të kaluarën e të tashmen dhe kur pa që po afroheshin njerëz, plaku ishte ngritur dhe ishte larguar me Balon nga pas, që shokun e tij të burgut, të mos e shihnin me të. Kjo ishte hera e fundit që Shkëlqim Abazi i pa ata dy miq, të gjallë. Vite më vonë do shihte eshtrat e tyre. Përsëri bashkë.
Skelete të përzierë
Eshtrat e Ali Hoxhallarit do të kishin humbur sikur një polic të mos kishte bërë atë që shumë kolegë të tij, ngurrojnë ta bëjnë.
Me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, pas rënies së regjimit komunist, Shkëlqim Abazi u emërua shef personeli në Degën e Rendit në Berat. Ai shkruan se si i mbijetuar i burgjeve, ishte interesuar për fatin e bashkëvuajtësve që e mbyllën jetën të braktisur edhe nga familjarët, sa s’iu dihej varri. Në këtë kohë, shefi i rendit i kishte kërkuar takim dhe qëllimi i bisedës ishte zbrazja e një barre që mbante në shpirt prej vitesh. Në Malinat, oficeri kishte qenë i ngarkuar për të mbajtur në kontroll të internuarit, sidomos ata politikë dhe atje dinte se ishin groposur një plak dhe një qen, pa një shenjë. Menjëherë, Shkëlqim Abazi përmend Ali Hoxhallarin duke i shkuar mendja se të groposur atje ishin ai dhe Baloja. Nga ky çast, nisin kërkimet për të afërmit.
Gjejnë fillimisht vajzën e vëllait dhe më pas takojnë vëllanë e Aliut, i cili në komunizëm e mbante veten për ish-partizan dhe të tjerët i druheshin duke e menduar spiun. Ai i kishte shkëputur marrëdhëniet me të vëllanë dhe tashmë justifikohej se e kishte bërë nga frika. Pas kësaj bisede, Shkëlqimin vjen ta takojë e bija e Aliut, me bashkëshortin e saj, të cilët jetonin në Elbasan. Grupi i të afërmve, bashkë me Shkëlqimin dhe oficerin që dinte vendin ku ndodheshin eshtrat e të moshuarit u nisën drejt Malinatit. Me ndihmën e banorëve, arrijnë ta gjejnë vendin dhe duke gërmuar zbulojnë eshtrat e burrit dhe qenit pranë e pranë. Një banor i vjetër tregon se Aliu kishte ndërruar jetë në atë vend për shkaqe natyrore dhe qeni i tij e ruante duke mos lejuar askënd t’i afrohej. Ai ishte bërë aq i egër sa gjahtarët u detyruan ta qëllonin me çifte dhe pasi kishin lajmëruar policinë, ishte urdhëruar që të mbuloheshin aty ku ishin.
“Pas ca ditësh, majë kodrës hapën dy varre, ku futën eshtrat e Aliut me shajak dhe portofolin ngjitur, si dhe të Balos me kafkën shqyer nga saçmat”, shkruan Shkëlqim Abazi.
Dy miqtë e pandarë prehen bashkë.
Mbështetur në librin me kujtime "Spaçi" i Shkëlqim Abazit, botim i ISKK.
Foto: Google
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.