I gjendur në vështirësi të fabrikimit të provave, regjimit i kishin mbetur në dorë vetëm dëshmitarët e rremë. Pas një përndjekje të gjatë, vjen edhe çasti i arrestimit. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Vilson Blloshmit është gjetur edhe një ditar i vogël në gjuhën frënge që mesa duket ka vërtetuar aspektin “agjenturor” të poetit Vilson Blloshmi. Është një ditar normal që mund të mbajë çdo njeri në çfarëdo kushtesh që ai mund të jetojë. Përgjithësisht nga koha kur punonte në minierë.
I pyetur nga hetuesi Merdar Hasa më 8 gusht 1976, Vilsoni tregon për jetën e mundimshme që ka bërë. Gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak ka nisur të mësojë intensivisht frëngjisht.
Duke shprehur pakënaqësinë pse ai ishte i vetmi nga të 208 nxënësit e diplomuar që nuk u ishte dhënë e drejta të jepnin mësim, kishte shkruar një poezi, ndërsa përpara hetuesit shprehet me fjalët:
“Kam shprehur mërzitinë time dhe dëshpërimin tim për mos sistemimin tim në punë, mbasi vitet kalonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. Këtë e konsideroja si thyerje para dëshirës sime, u bëra pesimist. Unë Vilsoni, për sa i takon sistemimit tim në punë, nuk u llogarita midis njerëzve e shokëve që mbaruam bashkë, por midis klasave të vdekura, njerëzve të vdekur, sepse siç e thashë, merret për bazë e kaluara e familjes sime dhe qenia kulak. Për poezinë e mësipërme unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit”.
Hetuesi: Na shpjegoni i pandehur çfarë literature tjetër të huaj keni lexuar vitet e fundit, si keni reflektuar ndaj përmbajtjes së tyre dhe me kë keni diskutuar me to?
Vilson Blloshmi: Nga literatura e huaj kam lexuar Stendalin, Hygon, Myze, Zolan, Balzak, Bodler etj. Qëllimi që unë i kam studiuar këta autorë të huaj ka qenë për të rritur horizontin kulturor, apo për të krahasuar në përkthime tekstin në shqip me origjinalin në gjuhën frënge, dhe nga ana tjetër për kuriozitet. Veç autorëve, unë u kam marrë gjërat pozitive dhe nuk kam marrë asgjë negative. Lidhur me sa kam mësuar nga studimi i këtyre shkrimtarëve të huaj, nuk kam diskutuar me njeri...
Hetuesi: Na shpjegoni çfarë keni biseduar me persona të ndryshëm, duke krahasuar artin dhe letërsinë borgjezo-revizioniste me artin dhe letërsinë tonë?
Vilson Blloshmi: Nuk kam biseduar me asnjë njeri, duke krahasuar nivelin e artit e të letërsisë borgjeze me artin dhe letërsinë tonë...
Hetuesi: Pse dhe me çfarë qëllimi keni marrë disa pjesë nga Bodleri dhe i keni hedhur në bllokun tuaj, kur i keni marrë dhe nëse keni biseduar me njeri këto pjesë?
Vilson Blloshmi: Një sonet nga Bodleri e kam marrë me qëllim krahasimi me përkthime të Nolit dhe të tjerat më tepër për kuriozitet. Aty kam marrë edhe poezi ku kam për qëllim anën konstruktive të strofës (anës teknike). Këtë e kam bërë para 2-3 vjetësh, d.m.th. nga viti 1972-1973. Këto pjesë nuk i kam diskutuar me asnjë njeri....
Hetuesi: Na shpjegoni ju i pandehur mbi përvetimet që keni bërë ju vetëm e në bashkëpunim me persona të tjerë.
Vilson Blloshmi: Unë nuk kam vjedhur asgjë në pasuri të kooperativës, as vetëm dhe as në bashkëpunim me persona të tjerë. Në lidhje me librat që janë në shtëpinë time dhe janë me vulë, unë them se në kohën që i kam marrë dhe i kam lexuar më kanë ngelur pa i dorëzuar. Kështu që më kanë ngelur në shtëpi....
Plani i masave i Sybi Sulçes
Sybi Sulçe ishte një njeri i dalë nga e ashtuquajtura “drejtësi komuniste”. S’ka dyshim që nga ajo që shkruan është një komunist fanatik, padyshim mitoman e huqali teksa grafomaninë e tij e ka shprehur në shënimet në lidhje me këtë proces. Partia i ka dhënë dorë të lirë. I entuziazmuar, gjykatësi Sybi Sulçe harton planin e masave për një gjykim që do të zgjasë një javë. Për problemet organizative ai shkruan:
“I.Problemet organizative
1.U bisedua me shokët e partisë së rrethit. Në mbledhje të sekretariatit mori në analizë organizimin e gjykimit më datë 28 prill 1977. Gjyqtari i çështjes bëri më parë relacionin e çështjes. Në këtë mbledhje veç sekretarëve të Komitetit të Partisë, mori pjesë kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit, sh.Hysen Faqolli, si dhe titullarët e degës së punëve të brendshme, prokurorisë dhe gjykatës.
2-U konkludua që gjykimi të bëhet në kinemanë e qytetit me pjesëmarrjen e personave që do të caktohen si kuadrot e kooperativës bujqësore, aparatit të Komitetit të Partisë, Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit si dhe kuadrove e punonjësve të ndërmarrjeve dhe institucioneve qendrore.
3-Për përgatitjen e opinionit shoqëror do të merren këto masa:
a-Nën drejtimin e Komitetit të Partisë do të bëhen mbledhjet e organizatave bazë të partisë dhe kuadrove të sektorëve të kooperativës bujqësore Bërzeshtë.
b-Një instruktor i Komitetit të Partisë Librazhd bashkë me një punonjës të gjykatës do të përgatiten disa persona për të diskutuar në gjyq.
c.Diskutimet do të bëhen në këto drejtime:
-Të zhvillojmë drejt e me vendosmëri luftën e klasave. Të rrisim vigjilencën revolucionare ndaj elementëve armiq e keqbërës.
-Mbi problemet e letërsisë është fryma reaksionare e dekadente e letrave dhe shkrimeve të të pandehurve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, lufta që duhet të bëjmë kundër tyre.
-Mbrojtja dhe forcimi i parreshtuar i diktaturës së proletariatit, detyrë e rëndësishme për etapën që kalon vendi ynë. Ku synonte veprimtaria e grupeve të reaksionit.
-Mbi mbrojtjen e bazave ekonomike...
-Mbi ndryshimet e mëdha që janë arritur në vendin tonë, në rreth, kooperativë bujqësore të Bërzeshtës dhe si e kanë paraqitur këtë grupi i sabotatorëve.
-Roli dhe figura morale, aksionet, shkolla revolucionare, edukimi i rinisë. Si i kanë shtrembëruar këto grupi armiqësor.
4.Të përgatitet vendi ku do të zhvillohet gjyqi – kinemaja, të pajiset me gjithë materialet e nevojshme si dhe materialet propagandistike, parulla e citate nga materialet e partisë e sh.Enver, kryesisht mbi luftën kundër armiqve, forcimin e diktaturës së proletariatit, vigjilencën revolucionare, luftën e klasave.
5.Do të bisedohet paraprakisht me prokurorin e rrethit që do të marrë pjesë në gjyq për të:
-Bashkërenduar veprimet që gjykimi të zhvillohet në lartësinë e duhur e të bëhet gjyq politik e ideologjik në radhë të parë.
-Lidhur me ndërhyrjet që prokurori do të bëjë gjatë gjykimit, të përcaktohen momentet dhe përmbajtja e tyre.
II-Problemet juridiko – ligjorë (shpjegohen deri në interpretim idiot pikat e kodit penal – shënim)
III-Probleme politiko – shoqërore.
1.Pasi u bisedua me sekretarin e parë të KP të Rrethit dhe titullarët e degës, prokurorisë dhe gjykatës, u konkludua që vendimi të punohet në të gjithë rrethin në bazë fshati e lagje. Vendimi do të punohet nga punonjësit e komitetit të partisë, pushtetit në rreth, gjykatës, prokurorisë dhe degës.
2.T’i bëhet relacion Gjykatës së Lartë:
-Zhvillimin e gjykimit dhe përfundimin.
-Pikësynimet e grupit të sabotatorëve dhe përvetësuesve.
-Rrjeti i gjerë i personave që janë përfshirë në veprime armiqësore dhe anormale.
-Ku i kanë drejtuar veprimet armiqësore të pandehurit.
-Mbi komprometimin e shumë kuadrove dhe kuadrove.
-Mbi vigjilencën e ulët që ka ekzistuar në sektorin e Bërzeshtës, zbutje të luftës së klasave.
-Mbi të metat e dobësitë e theksuara në hetimin e përfundimit të çështjes penale të sektorit të Sigurimit dhe hetimit të degës.
-Mbi jehonën që ka bërë ky gjyq në gjithë Rrethin e Librazhdit dhe pjekuria politike e ideologjike që manifestohet në gjyq.
-Mbi kërkimet e pjesëmarrësve në gjyq, për dënimin kapital të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës.
3.T’i bëhet relacion Komitetit të Partisë së Rrethit:
-Mbi disa të dhëna kryesore që rezultuan në gjyq.
-Mbi vigjilencën e ulët, zbutjen e luftës së klasave që kanë ekzistuar në kooperativën bujqësore dhe sektorin Bërzeshtë.
-Komprometimin e shumë komunistëve dhe kuadrove të kësaj kooperative dhe kuadrove të saj dhe veprimet keqbërëse.
-Mbi personat që kanë bërë veprime kriminale në kuadrin përvetësimeve të kryera që nuk janë proceduar dhe duhet të demaskoheshin e këshilluar prapë.
-Mbi disa të meta e dobësi lidhur me ruajtjen dhe administrimin e prodhimeve bujqësore.
-Mbi disa masa që duhen marrë për të metat e dobësitë që janë vërejtur në këtë kooperativë.
-Mbi të metat e dobësitë e parregullsitë e sektorëve të Sigurimit dhe Hetuesisë së degës punëve të brendshme Librazhd.
Gjyqtari
Dënimet e dhëna
Gjykata Popullore Librazhd e drejtuar nga Subi Sulçe, me pjesëmarrjen e prokurorit Qani Lavdari, me vendimin nr.45, datë 13.6.1977 vendosi:
-Vilson Blloshmi i arrestuar 5 gusht 1976, dënohet me vdekje, pushkatim
-Genc Leka i arrestuar më 31 gusht 1976, dënohet me vdekje, pushkatim.
-Bedri Blloshmi arrestuar më 3 prill 1976, dënohet me 25 vjet heqje lirie.
U la në fuqi me vendimin nr.202, datë 2.7.1977 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Vendimi u la në fuqi më 16.7.1977 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Për ekzekutimin doli urdhri nr.438/2, datë 16.7.1977 i ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i cili urdhëronte veprimin më 17.7.1977 ora 24.00 në vendin e quajtur Përroi i Firarit në Librazhd. Eshtrat e poetëve u gjetën në vitin 1994 nga Bedri Blloshmi.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.