Kostandin Nikolla Kondololi, i vitlindjes 1904, nga Sopiku i Gjirokastrës, minoritar grek, me profesion blegtor, por i cilësuar edhe kulak, rezulton i vdekuri i parë i ardhur nga Reparti nr.303 Spaç. Kostandini ishte arrestuar më 3.7.1960 në kohën kur bëheshin arrestimet e mëdha të komplotit imagjinar, por tejet të pamundshëm të organizuar gjoja nga çamët e minoritarët, në bashkëpunim me agjenturat e huaja që ishin kundërshtare të njëra-tjetrës, te i cili Teme Sejko njihet si më kryesori. Një akuzë krejt skizofrene, e cila ishte e pamundur të realizohej dhe koordinohej, në të cilën sigurisht anëtarët e “organizatës” as e njihnin njëri-tjetrin.
Ai u përfshi në një proces së bashku me shtetasit Llambro Sotir Vangjeli dhe Thanas Sotir Vangjeli nga Skora e Gjirokastrës. U akuzuan në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 14 të Kodit Penal, për tradhti ndaj atdheut, se “në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjithmonë të udhëhequr nga motive kundërrevolucionare, qysh nga viti 1947 e deri në vitin 1960...”, janë vënë në shërbim të zbulimit grek dhe kanë kryer një seri detyrash agjenturiale”.

Gjykata Ushtarake Gjirokastër, me vendimin nr.30, datë 21.11.1960, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.92, datë 28.12.1960 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U sëmur rëndë nga tuberkulozi (TBC) kur vuante dënimin në Repartin nr.303 Spaç. Në këtë gjendje u soll në spitalin e burgut në Tiranë, ku vdiq më 15.4.1969, në moshën 65 vjeçare. Kësisoj ai rezulton i vdekuri i parë nga Spaçi, në vitin e parë të funksionimit të kampit.






