Stalini bëhej shkak të dënoheshe edhe kur kishte vdekur. Edhe pa folur, por vetëm për një qeshje. Regjimi nuk mund ta duronte që në fytyrat e njerëzve të çelte edhe një gëzim i ndrojtur apo i fshehur. Antikomunistët e pritën me mjaft gëzim vdekjen e tij. Por ishin nën vëmendje ata që mund ta shfaqnin këtë ndjenjë. Pati ndër ta që u dënuan në ditët e zisë që pasoi 5 marsi i vitit 1953. Njëri ndër ta, ishte Kajtaz Resul Gaba, lindur në vitin 1926 në Lazarat, banues në Tiranë, mekanik. Ai nuk e mbajti dot gëzimin për vdekjen e diktatorit sovjetik. Për këtë arsye, u arrestua, por edhe u rëndua në akuza, në mënyrë që mos të dënohej me pak vite burgim, por maksimalisht. Ai përshkruhej nga organet e punëve të brendshme si i përfshirë në “veprimtari të theksuar armiqësore”, por duke i shtuar edhe veprën e tentativës së arratisjes, e cila nuk ekzistonte.
Kajtazi u arrestua më 13.3.1953. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 dhe nenit 72 të Kodit Penal. Në përfundim të procesit, neni 64 u zëvendësua me nenet 4 dhe 7 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Për fajet kundra popullit dhe shtetit”. Midis të tjerash, në vendim, për të thuhej:
“Kanë dëgjuar radiostacione të shteteve imperialiste. I kanë komentuar këto lajme dhe kanë konkluduar në ndryshimin e situatës. Veç kësaj me rastin e vdekjes së shokut Stalin, në një kohë kur gjithë populli ynë vajtonte dhe lotonte për humbjen e pazëvendësueshme të shokut Stalin, figura ndërkombëtare e paqes, e socializmit dhe e demokracisë, i pandehuri, bashkë me rrethin e tij armiqësor, gëzohej dhe fërkonte duart se me humbjen e këtij do të dobësohej kampi socialist, do të merrnin guxim imperialistët dhe do të ndryshonte situata e do të kthehej e kaluara, do restaurohej regjimi i urisë, i shtypjes dhe i shfrytëzimit”.
Gjykata Ushtarake Territoriale Tiranë, e drejtuar nga kapiten I Theofan Naçi, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten II Thoma Nako, me vendimin nr.102, datë 23.6.1953, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet burgim, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet. Meqë nuk kishte pasuri do llogaritej koha me punë korrektuese. Dënimin e vuajti në kampet e punës së detyruar. U lirua nga burgimi më 22.9.1964 nga Reparti nr.307 Rubik. Të dënuarit ishin vendosur atje për të ndërtuar uzinën e bakrit të atij qyteti. E gjithë kjo histori ishte vetëm për një qeshje. Pas dënimin kishin ndodhur shumë ngjarje, ndër të tjera edhe dënimi i stalinizmit dhe kultit të individit nga Hrushovi në Bashkimin Sovjetik (edhe në Shqipëri, në kongresin e 3-të të PPSH-së u dënua stalinizmi), e më pas prishja e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike, por burgimi nuk i ndryshoi kurrë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.