1953/Arratisja e bujshme në Korfuz e motobarkës “Dinamo”

0
551
blank

Në komunizëm, shqiptarët janë mësuar me histori të sajuara letrare rreth vigjilencës revolucionare. Mbi të gjitha mbeti filmi artistik “Duel i heshtur”, i cili në fakt është një ngjarje e stisur larg së vërtetës (ngjarja e vërtetë ndodhi në vitin 1947). Por një histori gati e ngjashme nga format e përgjithshme është ajo e arratisjes së motobarkës “Dinamo” më 15.1.1953 (data sipas një dokumenti në gjuhën ruse).

Gazeta “Shqipëria”, dimër 1954, organ i Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, në numrin e jashtëzakonshëm, botonte shkrimin “Dy djelmosha të guximshëm shqiptarë dalin në botën e lirë”, kushtuar arratisjes spektakolare të dy vëllezërve Nikolla. Me një skenar të thjeshtë ata mundën të kryejnë një arratisje pa kosto. Thanas Nikolla vuri në gjumë personelin e motobarkës, mori dhe të vëllain dhe të dy kaluan në Korfuz. Ushtarakëve u doli gjumi në Korfuz. Gazeta botonte fotot e tyre para dhe pas arratisjes, për të vënë në dukje ndryshimet e mëdha.

blank

Shkrimi në gazetë

Dy djelmosha shqiptarë, vëllezërit Thanas dhe Kristaq Nikolla, pa marrë parasysh rrezikun, dalin në botën e lirë. Të dy djelmoshat shqiptarë e kishin përgatit me kohë planin e arratisjes së tyre. Thanas Nikolla shërbente si mekanik në motobarkën “Dinamo”, që atë ditë ishte destinue

të transportonte një sasi mielli prej Vlore në Sarandë. Personeli i barkës përbëhej prej kapitenit, dy ushtarëve rojtare dhe mekanikut. Thanasi kishte ngelë në fjalë me vëllanë e tij Kristaqin që të qëndronte diku në buzë të detit gjatë natës që barka do të kalonte prej andej. Plani i vëllezërve Thanas dhe Kristaq Nikolla filloi me këmbë te mbarë sepse barka u nis pikërisht në kohën

e parapame prej tyre. Meqenëse Thanasi ishte i ngarkuem edhe me shërbimin e ushqimit të ekuipazhit, aty nga mbramja shërben ushqim dhe pije personelit, por pija nuk ishte ajo që u kish shërbye edhe herë të tjera.

Këtë herë Thanasi i kish hedhë brenda pak nga bari narkotik që kish marrë me vedi, për t'i vënë në gjumë të vazhdueshëm, në mënyrë që të mund të realizonte planin e arratisjes. Dhe me të vërtetë ashtu ngjajti. Një gjumë i rëndë e zuri kapitenin e barkës ashtu edhe të dy ushtarët, ndërsa Thanasi mbet i vetmi që drejtonte barkën.

Mbas disa kohë lundrimi, kur barka ish largue disa milje nga limani i Vlorës, në një cep të bregdetit, dukej një dritë e zbehtë që i jepte shenja barkës. Ishte Kristaqi që priste Thanasin

ta merrte në barkë. Nata ish e errët, ujët ish i ftohtë, por Kristaqi nuk u friksua. Hoqi teshat dhe e çau detin e ftohtë me not deri sa mbërrini në barkë, ku Thanasi e ndihmoi të hipi dhe i dha të veshi një palë tesha që ia kish ba gadi.

Kapiteni dhe dy ushtarët ishin ende në gjumë, kur të dy vëllezërit e kishin drejtuar motobarkën në ujërat e Korfuzit, në drejtim të botës së lirë. Kur kapitenit dhe ushtarëve u doli gjumi ishte tepër vonë, se Thanas dhe Kriataq Nikolla e kishin hedhur rrezikun dhe me armët e ushtarëve rojtarë që i kishin çarmatos gjatë rrugës iu drejtoheshin.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here