1946/Muzikologu Ramadan Sokoli u burgos se kishte dijeni për lëvizjen e Postribës

0
615
blank

Në listën e gjatë të intelektualëve të dënuar nga regjimi komunist, bën pjesë edhe muzikologu i njohur Ramadan Sokoli (1920-2008). Pasi mbaroi, në vitin 1940, liceun e Shkodrës, në vitet 1940-1943, ndoqi studimet e larta për muzikë në Firence të Italisë, por i ndërpreu ato se erdhi në Shqipëri për të kontribuar si antifashist. Mbarimi i luftës e gjeti në Shkodër. Në qytetin e lindjes, shpejt u konsiderua nga regjimi se bënte pjesë në listën e personave që etiketoheshin si kundërshtarë të tij. Si pasojë e këtij përcaktimi, duke marrë shkas nga ngjarja e kryengritjes së Postribës, ai u arrestua më 24.9.1946. Në paraburgim, u pyet nga hetuesit: kapiten I Zoi Shkurti dhe Pjerin Kçira. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit: Maliq Xhemal Bushati (nuk është ish-kryeministri, por person tjetër), Kolë Kurti, Xhabir Dibra, Rifat Barbullushi, Fuat Rrashi, Terezina Pali, Karlo Suma, Zef Toni, Zef Zorba. Të gjithë bëheshin fajtorë si pjesëtarë të organizatave kundërshtare në lidhje me anglo-amerikanët, si dhe me kryengritjen e Postribës. Për Sokolin, veçanërisht, akuza ishte për pasje dijeni dhe moskallëzim. Në hetuesinë e tij, Sokoli mohoi të kishte dijeni për ngjarjen e Postribës. U akuzua në bazë të neneve 2, 3 (1,2,7,14), 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Për fajet kundër shtetit dhe popullit”.

Në një promemorie për “grupin e 9-të” (si duket të të pandehurve të Postribës), midis të tjerash, për Ramadan Sokolin thuhej:

“Gjatë luftës ka qëndruar indiferent. Mbas çlirimit bashkë me vëllanë e tij (Brahim Sokoli, i rreshtuar), kanë filluar aktivitetin e tyre reaksionar duke propaganduar kundër pushtetit të sotëm. Ka rënë në lidhje me Syri Anamalin, Maliq Bushatin, Syri Golemin, Xhevat Metën, Ruzhdi Çobën, etj, me të cilët ka formuar grupin e të rinjve. Ka bërë shumë mbledhje në rrugë, kafe, shtëpinë e tij e gjetkë. Kanë komentuar lajmet e radiove të Perëndimit. Në popull kanë propaganduar një luftë të tretë. Ka pas lidhje me kriminelin Asim Abdurrahmani, me të cilin është takuar disa herë. Ka marrë vesh mbi ngjarjen që do të bëhej më 9 shtator 1946. Aktiviteti i tij ka vazhduar deri ditën që është arrestuar”.

Gjykata Ushtarake e Zonës Ushtarake Shkodër, me vendimin nr.418, datë 10.12.1947, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 5 vjet burgim e punë të detyruar, heqjen e të drejtave civile dhe me konfiskimin e pasurisë. Ramadan Sokoli u lirua nga burgimi më 26.11.1950.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here