Tri procese gjyqësore politike, që zbatonin telegramet e shkëmbyera mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, vendosën ekzekutimin e 11 personave dhe dënimin me dhjetëra vite burg për të tjerët
Më 26.1.1945 u pushkatua në Shkodër Dedë Prek Shabani. Për disa ditë u kryen disa arrestime, kryesisht bazuar në autorizimin e kryetarëve e anëtarëve të këshillave të këshillit nacionalçlirimtar të Bërdicës. U organizuan tre procese gjyqësore.
Procesi i parë
Një proces i madh i përbërë prej 13 të pandehurish u zhvillua në Shkodër. Në dosje administrohet edhe autorizimi i këshillit nacionalçlirimtar të Bërdicës për Dedë Shabanin, i gishtvulosur nga të akuzuarit për ta emëruar atë si komandant vendi. Pra, kjo fletë ishte akuza kryesore. U akuzuan në bazë të nenit 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944.
Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korparmatës së 3-të Shkodër, e drejtuar nga nënkolonel Esat Ndreu, me pjesëmarrjen e prokurorit Sotir Dodoni, me vendimin nr.15, datë 31.1.1945, i deklaroi fajtorë dhe e dënoi me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë, si vijon:
-Lush Paloka, lindur më 1890 në Bërdicën e Sipërme
-Veli (Pashk) Sala, lindur më 1865 në Bërdicën e mesme (80 vjeç)
-Hidër Duli, lindur më 1909 në Bërdicë të sipërme
-Shaban Dani, lindur më 1891 në Bërdicë të mesme
-Taip Halil Halili, lindur në Shkodër më 1880
-Martin Rroku, lindur më 1915 në Bërdicë të poshtme
Pjesë e dënimit me vdekje ishte edhe Haxhi Ahmeti, lindur më 1907 në Bërdicën e Sipërme, por ai në kohën kur do pushkatohej mundi të arratisej. Nga ky proces, Dan Veliu, Shaban Dini, Martin Lohja, Faik Lami, Kin Shuku, u dënuan me nga 30 vjet burgim. U la në fuqi me vendimin nr.21, datë 28.2.1945 të Gjykatës së Lartë Ushtarake, disa ditë pasi ishin kryer ekzekutimet.
Procesi i dytë
Një tjetër proces u zhvillua ndaj 16 të pandehurve, të akuzuar si bashkëpunëtorë të Dedë Shabanit për kryengritjen e 20 janarit 1945. U akuzuan në bazë të nenit 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944. Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korparmatës së 3-të Shkodër, e drejtuar nga major Hamit Keçi, me pjesëmarrjen e prokurorit Sotir Dodoni, me vendimin nr.21, datë 5.2.1945, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë, si vijon:
-Gjon Marku, lindur më 1900 në katundin Ishe, banues në katundin Malkolaj.
-Nikoll Keçi, lindur më 1912 në Malkolaj
-Nikoll Baci, lindur më 1908 në Malkolaj
-Palok Uci, lindur më 1913 në Hot
Po ashtu, pjesë e dënimeve me vdekje ishin edhe Nikollë Toma, Zef Toli, Kolë Gjeto, Gjel Gjoni, Kolë Marashi, të cilëve dënimi iu kthye në dënim me 30 vjet burgim. Pavarësisht se formalisht kjo u ligjërua me vendimin nr.36, datë 28.2.1945 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.
Procesi i veçantë
Po me të njëjtin grup, por me proces të veçantë, u përfshi edhe shtetasi:
-Xhemal Sulejman Mlika, lindur më 1896 në Shehër të Lezhës. Ky akuzohej se ishte në marrëveshje me Hasan Isufin dhe Jup Kazazin. Për të shenjohej “qëndrimi armiqësor” gjatë luftës dhe njohja e tij me Abaz Kupin. U akuzua në bazë të nenit 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944 dhe neneve 15, 18, 19 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945.
Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korparmatës së 3-të Shkodër, e drejtuar nga nënkolonel Esat Ndreu, me pjesëmarrjen e prokurorit Sotir Dodoni, me vendimin nr.16, datë 31.1.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.29, datë 28.2.1945 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.
Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha caktojnë dënimet
Në të vërtetë dënimet ishin vendosur sipas telegramit të datës 9.2.1945 të Mehmet Shehut për Enver Hoxhën. Aty janë shënuar emrat e 12 personave që do ekzekutoheshin dhe ata që do dënoheshin. Hoxha miratoi një ditë më pas propozimet e Shehut për këto dënime. Më pas u formualizuan vendimet gjyqësore të shkallës më të lartë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.