Dëshmia e rrallë e një 9-vjeçareje në kampin e internimit në Kamëz, 1951. Dy fëmijë të uritur e këmbëzbathur, 7 dhe 9 vjeçe, dëshmojnë udhëtimin pas nxjerrjes nga kampi i internimit në Kamëz, të vetme, duke kërkuar një strehë në fshatrat me dëborë të Korçës....ndërsa e ëma mbahej e mbyllur në internim, në kamp.
A e dini si torturoheshin të miturit e internuar nga diktatura komuniste? Këtë pyetje bënte një ditë dimri të vitit 1992, Xheviko Sina, 50 vjeçe, nga një fshat i Korçës, e cila ishte internuar nga regjimi komunist që në vitin 1945, kur ishte ende foshnje. Pothuajse gjysmë shekulli të jetës së saj e kishte kaluar në internim e në persekutim të vazhdueshëm. Kishte përjetuar për më shumë se 11 muaj torturat e paimagjinueshme qe mund të provojë një fëmijë në kampin e internimit në Kamëz, ku fëmijët ishin të izoluar totalisht, nën sundimin e urisë, të ftohtit, mungesës së plotë të kushteve higjienosanitare dhe nën kërcënimin e sëmundjeve vdekjeprurëse. Xheviko, atëkohë 9 vjeçe, së bashku me motrën e saj 7 vjeçe, i kishin mbijetuar këtij ferri, derisa një ditë rreth 100 fëmijë të kampit i kishin marrë dhe i kishin veçuar nga nënat e tyre, i kishin hipur në një kamion të hapur dhe nëpër shi kishin ushëtuar me orë të tëra pa e ditur ku po i çonin. Xheviko, vonë e kishte kuptuar se po i hiqnin nga kampi i internimit e po i hidhnin në rrugë. Si do të mund të mbijetonin ata fëmijë? A do të mund të gjenin rrugën për në shtëpi, atje ku s'kishin askënd që t’i priste? Ku do të flinin, ku do të hanin, a do të gjenin një derë që do të hapej për ta? Kjo traumë duket sa ka lënë gjurmën me të madhe tek Xheviko 9-vjeçare, e cila në fund të kalvarit të saj, pas 45 vjetësh, kujtonte me dhimbje pikërisht këtë përjetim të tmerrshëm dhe ndarjen e dhunshme nga nëna... Këtë dëshmi ajo e ka dhënë në vitin 1992 në gazetën "Liria", ndërsa ende jetonte në një kamp internimi dhe priste me shpresa të vakëta se ardhja e demokracisë do të hapte një derë edhe për ta...
A e dini si torturoheshin të miturit?
Për internimin e parë, 1945-1949, nuk mbaj mend, sepse isha e vogël, një vit e gjysmë. U lirova pesë vjeçe. Do të tregoj për internimin e dytë, më 1950, duke shpresuar se ky episod i jetës sime, që më vonë u pasua nga të tjerë, flet shumë edhe për bashkëmoshatarët e mi, një brez i tërë që provoi tmerret e diktaturës komuniste.
Ishte janar. S'kishim mbushur një vit që ishim kthyer nga interními i parë, në fshatin e lindjes. Shtëpinë e gjetëm të djegur. Jetonim në plevicë...Atë natë dimri, moti ishte i errët e i ftohtë. Oborri i shtëpisë ishte mbushur plot me ushtarë. Më kujtohet një oficer i gjatë që i zhvati nënës vëthët e unazat. U deportuan shumë familje edhe nga fshatrat përreth. Na çuan në kampin famëkeq të Kamzës. Ishte një kamp i gjatë, rrethuar me tela me gjemba. Mijëra vetë gëlonin aty brenda, burra, gra, pleq e fëmijë. Në kamp kishte edhe të huaj, gjermanë, grekë, italianë, të zënë rob gjatë luftës.
Jeta ishte e tmerrshme. Një WC e përbashkët për gjithë kampin. Më kujtohen njerëzit varg para kuzhinës, me gavetë në dorë, për të marrë ujë makaronash apo fasulesh.
Më kujtohet si sot dita kur na vdiq gjyshja. Ajo vdiq nga uria. Nëna e mori në kurriz të vdekurën dhe e varrosi në Kodër-Kamëz, atje ku është sot Universiteti Bujqësor. Qëndrova në kamp 11 muaj.
Pashë tmerre që nuk do të t'më shlyhen nga kujtesa. Në krye të 11 muajve, u dha urdhër të hiqeshin fëmijët nga kampi. Ku do t'i çonin?... Në rrugë të madhe, pa asnjë mbështetje! Erdhën kamionë të zbuluar. Binte shi. Shi i fortë dhe i ftohtë. Kampi i rrethuar me tela me gjemba mbi dy metra të lartë, ngjante si një varr gjigant, ku njerëzit ishin varrosur së gjalli. Fëmijët u grumbulluan te porta e kampit. Nënat, gjithashtu. Gardianët e burgut i rrëmbenin fëmijët dhe i hipnin nëpër makina. Ishin afro 100 fëmijë. Nënat qanin brenda telave. Ne përjashta, mbi makinat e zbuluara. Sa lot nënash! Sa lot fëmijësh të pafajshëm!
Makinat u nisën varg. Shiu nuk pushonte. Nënat, të mbështetura mbi tela, bëheshin më të vogla. Ku po na çonin?... Atë natë me shi të ftohtë fjetëm në xhaminë e Elbasanit. Se si u shpërndanë fëmijët sipas rretheve, s'më kujtohet. Mbaj mend se të nesërmen, unë dhe motra ime ndodheshim në qytetin e Korçës. Kishte rënë dëborë. Pas natës së Elbasanit, na u desh të gdhiheshim në agjencinë e udhëtarëve të qytetit. Të dy motrat, njëra 7 dhe tjetra 9 vjeçe u gdhimë të ngjeshura pranë njëra-tjetrës, që të ndjenim pak ngrohtësi.
Afër mëngjesit, patrulla e natës, na gjeti dhe na çoi në shtëpinë e tij, ku na ndezën zjarr dhe na dhanë për të ngrënë. Kërkoi, i shkreti, mos gjente ndonjë nga të afërmit tanë, por më kot. Një xhaxha ishte vrarë. Dy të tjerët ishin në burg. Gjyshi ishte pushkatuar. Nëna mbahej në Kamëz e internuar, ndërsa dajallarët ishin, gjithashtu, të internuar. Ku të na çonte? Na nisi për në fshatin e lindjes.
Udhëtuam 7 orë në këmbë, nëpër dëborë, derisa arritëm atje. Fshati nuk na mbajti dhe ne fjetëm përjashta. Të nesërmen ecëm përsëri 7 orë të tjera, për të arrritur në fshatin e nënës, ku kishin mbetur disa të afërm. Ecnim nëpër dëborë gjysmë të zbathura. Këmbët na kishin ngrirë. Më në fund, arritëm të kallkanosura fare. Fshatarët na pritën me dashamirësi. Vendosi të na mbante xhaxhai i nënës. Por jo gjatë. S'kaloi shumë dhe atë e cilësuan kulak. I dhanë urdhër të na dëbonte. Mbetëm përsëri rrugëve. Ku na zinte dita, nuk na zinte nata! Megjithatë, mbijetuam! Mbas një endjeje prej më se dy muajsh, më në fund, u dha urdhër përsëri të jetonim te xhaxhai i nënës. Aty jetuam deri në vitin 1954 kur, sipas një urdhri tjetër, do të bashkoheshim me nënën. Isha bërë 11 vjeç.
Shkuam në Gjazë të Lushnjës, pastaj në Savër, Plug, Shtyllas, Ferma Çlirimi e Fierit, deri në vitin 1958. Edhe pas kësaj nëna u end nëpër internime, deri në vitin 1965...
I shkrova këto pak radhë për vete dhe për bashkëmoshatarët e mi, që patën të njëjtin fat si ne. Midis atyre fëmijëve shëtitës, më kujtohen: Gëzim e Mersin Aliçkolli; Vaide, Minire e Mersin Spaho; Veterie e Shpëtim Aliçkolli, Ylvie, Boris dhe Edibe Kollçinaku, Fahrie e Xheviko... Shumë të tjerëve s'ua kujtoj dot emrat. Ka kaluar një kohë e gjatë me jo më pak të papritura për jetën tonë...
Ne, viktimat e hershme e të parritura të diktaturës, e mbështetëm demokracinë, sepse e dinim ç'desh të thoshte shtypje e lirisë, luftë e klasave! Nuk e kuptoj, për ç'luftë klasash llomotitet në «ZP»? Mos, vallë, për ata që ende jetojnë nëpër pallate dhe paguhen pa punuar? A e di «ZP» se ne jetojmë ende nëpër kasolle, ku po na grin kockat igrasia, pas gjithë atyre mundimeve që përshkrova e shumë e shumë të tjerave me vonë? A e di «ZP» se fëmijët tanë, që duruan aq shumë, sot janë pa shkollë, pa punë dhe pa asistencë?
Xheviko Sina e internuar që foshnjë dhe e persekutuar tërë jetën.
Dëshmi e lënë në vitin 1992 për gazetën "Liria"
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.