Vrasja e kundërshtarëve politikë nga komunistët: “Vini në komunikatë që u vra si spiun”

0
249
blank

Xhafer Sadiku sjell disa nga ekzekutimet pa gjyq të kryera nga komunistët në zonën e Përmetit gjatë viteve të luftës, me anë të të cilave vrisnin kundërshtarët politikë madje dhe personalë, duke i quajtur “spiunë”.

Nga Xhafer Sadiku

Pas largimit të Mustafa Matohitit nga zonat e Përmetit, gjendja për komunistët u bë edhe më e rëndë se më parë. Përgjegjësi i celulës, Alqi Kristo, në një raport dërguar qarkorit të Gjirokastrës, kërkonte dërgimin përsëri të Mustafa Matohitit në Përmet. Megjithë propagandën e komunistëve, populli i Përmetit nuk po i mbështeste. Arsyet, sipas celulës, ishin të shumta. Ballistët, theksohej në raportin e celulës, “kanë influencë personale”, fshatarët duke mos i vënë rëndësi, “tërhiqen njeri pas tjetrit…se populli nga lufta kanë frikë dhe natyrisht anojnë andej nga s’lipsen sakrifica; puna e jonë ka qenë më e pakët dhe tepër vonë”.

Çeta partizane kishte vetëm 12 veta “me një komandant të ri dhe me një zëvendës komisar gjithashtu të ri, që nuk ua zë synë fshatarëve përpara Ali Beut dhe Veliut”. Është nevojë e madhe të kthehet Marengleni (pseudonimi i Mustafa Matohitit, -shënimi im, -Xh.S), me disa partizanë prej andej, këmbëngulte ai, “se çeta këtu nuk frymëzonte besim dhe pa çetë është më keq…”.blank

Duke parë dobësinë e celulës së Përmetit, qarkori i partisë dërgoi në rajonet e Përmetit çetën partizane “Koto Hoxhi” me Komisar Themo Vasin. Pas një ekspedite në fshatrat e Përmetit, as çeta nuk arriti ndonjë sukses të dukshëm.

Komunistët, për të kthyer situatën në favor të tyre, përdorën terrorin. Në fakt, ekzekutimet e para të kryera nga komunistët në qarkun e Gjirokastrës janë të vitit 1942, ku midis të ekzekutuarëve ishte edhe nënprefekti i Gusmarit. Gjatë muajve maj e qershor 1943, do të intensifikoheshin vrasjet e kundërshtarëve politikë.

Gjeografia e vrasjeve, personat që do të ekzekutoheshin dhe momenti i kryerjes së tyre ishin studiuar mirë: më 10 maj 1943 u vra në Delvinë Dervish Shamo; më 18 maj Sevo Ciko nga Lekëli i Tepelenës; më 2 qershor Kiço Shqevi nga Vodhina e Dropullit të Sipërm; më 10 qershor në rrugën Kalasë-Delvinë vritet Nusret Shaqiri nga Çamëria; më 22 qershor 1943 avokati I njohur Petro Dilo nga Lunxhëria. Të gjithë të ekzekutuar si “spiunë të fashizmit”.

Vrasjet bëheshin edhe për inate personale dhe kërkohej mbrojtja e Partisë Komuniste. Kështu, vrasësi i Dervish Shamos, një komunist me pseudonimin “Bistrica”, i bindur se viktima e tij nuk ishte spiun dhe i trembur nga hakmarrja e të afërmve të të vrarit, kërkonte ndihmën e komitetit qarkor të Partisë Komuniste: “…vini në komunikatë sa më shpejt që u vra si spiun. Lajmëroni gjithashtu “Tërmetin” t’i tregojë me anë të këshillës së fshatit…që ai u vra nga populli si spiun e të mos kërkojë hakmarrje nga mua. Doemos nevojitet ndonjë ultimatum. Ndonjë ultimatum edhe pë rata nga Fushë-Bardha. Çështja është urgjente se mundet dhe të na atakojnë, mbasi edhe mua më kërkojnë ata; prandaj bëni ç’të jetë e mundur për të më liruar nga ajo padi; formon rrezik për mua e për gjithë fisin tim…”.

Vrasja e Dervish Mekos

Që të nesërmen e mbledhjes së 21 shkurtit 1943, celula iu përvesh punës për përhapjen e ideve komuniste në Përmet. Më 24 shkurt u bë një mbledhje me nacionalistët e qytetit, ku tema kryesore ishte krijimi i këshillit nacionalçlirimtar të krahinës. Pati ngurrime të shumta nga shumica e të pranishmëve dhe mbledhja nuk dha rezultat. Të dërguarit e qarkorit e panë se me disa komunistë të rinj do ta kishin të vështirë të përballonin debatet politike me Ballin Kombëtar, parinë e qytetit dhe nacionalistët e pavarur. Për të realizuar qëllimet e tyre, ata zgjodhën vrasjet politike. Të nesërmen, më 25 shkurt 1943, u bë mbledhja e dytë e celulës ku u vendos vrasja e Dervish Mekos.

Dervish Meko ishte nga familjet më të pasura nacionaliste të Përmetit, me mjaft ndikim në krahinë, kryesisht në komunitetin mysliman. Komunistët e kishin gati akuzën në rastet e ekzekutimit të kundërshtarëve të tyre politikë: “spiunë të fashizmit”. Por ta cilësonin si të tillë Dervish Mekon nuk ishte e lehtë, për më tepër kur deri në shkurt 1943, në zonën e Përmetit, listoheshin të arrestuar politikë vetëm 6 persona, nga të cilët dy u kapën kur shpërndanin trakte pranë kazermave të ushtrisë italiane në Përmet dhe në oborrin e bashkisë, ndërsa dy të tjerët u ndaluan dhe m pas u liruan pasi u ishte gjetur emri në bllokun e Misto Mames, pas vrasjes së tij në Tiranë. Të tjerët ishin dekonspiruar nga shokët e tyre të qarkorit të Gjirokastrës, të kapur gjatë aksioneve për shpërndarjen e trakteve.

Në vitet 1920, Dervish Meko kishte marrë pjesë në lëvizjen demokratike. Nga ana tjetër, nipi i tij e kishte kthyer shtëpinë në Tiranë në bazë të sigurt për krerët komunistë të Tiranës dhe një vatër bujare për studentët përmetarë në kryeqytet.

Nga mënyra se si do të realizohej ekzekutimi i tij do të “gjendej” edhe motivi që do t’i bëhej i ditur popullit. Në një shkresë të organizatorëve të vrasjes, lexohet: “… Kërkojmë pra që ky element të zhduket…dhe mbas vrasjes së tij, duhet që ta paraqesim në popull të zhdukur si spiun të fashizmit, apo misterioze vrasjen e tij…”.

Mëngjesin e 30 majit 1943, Dervish Meko u ekzekutua. Vrasja e tij shënon edhe fillimin e ekzekutimeve politike në Përmet.

Plumba edhe për avokatin Petro Dilo

Më 22 qershor 1943, komunistët vranë avokatin e njohur, 70-vjeçarin Petro Dilo nga një familje e dëgjuar në tërë Shqipërinë. Pasi e ekzekutuan, komunistët shpifën sikur ai kishte qenë spiun i Greqisë, Zogut dhe Italisë. Po kur e ku, e çfarë spiunoi Petro Dilo në favor të Greqisë?-shkruante i vëllai, avokati i njohur Vasil Dilo. -Kush pësoi nga spiunllëku I tij, qoftë edhe më të paktin dëm në pasuri, në nder e në jetë? Ose komunikata është fallco, theksonte av. Vasil Dilo, ose është dhënë me ligjërue një krim privat të guxuem prej privatësh nën maskën e Komunizmit.

Në fakt, av. Petro Dilo dhe të tjerë si Koço Harito, Jorgji Meksi etj., në kohën e pushtimit të dytë të Shqipërisë së Jugut, autoritetet e ushtrisë greke I dënuan me vdekje. Po kështu, në kohën e Zogut, Petro Dilo, ishte pushuar nga puna si nënprefekt dhe ishte internuar në Lezhë. Nën pushtimin e Italisë fashiste, Petro Dilon e burgosën 4 muaj, ndërsa vajzën e tij mësuese e transferuan në Peshkopi, e më pas e pushuan nga puna. Gjatë luftës italo-greke i dogjën shtëpinë.

Avokat Vasil Dilo i drejtohej Partisë Komuniste duke i parashtruar se “…nderi, burrëria, sinqeriteti, serioziteti dhe interesi moral e material I kësaj Partie lyp që kjo: ose të marrë ajo vetë dhe zyrtarisht përgjegjësinë e kësaj vrasje ose të denoncojë solemnisht komunikatën, me të cilën vrasësit I kanë vënë vulën e spiunit një të pafajshmi….”.

Ai theksonte se familja e tij kishte mbrojtur elementin mysliman të Prefekturës së Gjirokastrës kur “…dhe pasuria e tyre, dhe nderi personal dhe familjar dhe jeta e tyre vetë ishte në rrezik të madh”.

Ata që paraqiten si mbrojtës t’Atdheut, vinte në dukje Vasil Dilo, të bëjnë detyrën e tyre, “tue dalluar të mirën nga e keqja dhe çpifjen nga e vërteta dhe interesin e Atdheut nga demagogjia, që e bën këtë objekt tregtie dhe mjet begatie të ndyrë…Por dikur do të vijë dita që të ndrijë e vërteta”.

Ai u bënte apel bijve të tyre të ishin kryelartë pasi që: “Vëllezërit Dilo bënë gjithë botën armiq se dashuruan me gjithë shpirt e me gjithë zemër, përmbi çdo gjë, atdhenë dhe vetëm atdhenë”.

 

Marrë nga: “Skenarë të përgjakur (Përmeti 1943-1990)”, i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK, Tiranë 2016. Autori ka përdorur burime nga Arkivi Qendror i Shtetit, ku ruhej edhe letra e  av. Vasil Dilos, “Apologji e Petro Dilos nga i vëllai, avokat Vasil K.Dilo” që Vasil Dilo i kishte dërguar qarkorit të PKSH-së.

Fotot: Ilustruese

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here