Vrasja e dëshmorit të parë të demokracisë Josif Buda

0
226
blank

Më 10 korrik 1990, në Kavajë u vra nga forcat sampiste, Josif Budo, duke u bërë dëshmori i parë i lëvizjes antikomuniste në Shqipëri në fillim të viteve ’90. Ky krim e nxiti dhe më shumë protestën e kavajasve ndaj regjimit në pushtet dhe në qytet zbarkuan tankse dhe forca të shumta për të ruajtur rendin. Sofika Cara, dëshmitare okulare e ngjarjeve, sjell zhvillimet e atyre ditëve tronditëse

Nga Sofika Cara

Sapo isha kthyer nga puna, djalin tim nuk e gjeta në shtëpi. Tek lagjja e çobanëve dëgjoheshin zëra me tone të lartë, zhurma sa vinte e shtohej. Vonesa e djalit më bëri merak e dola ta kërkoja. Zbrita poshtë nga pallati e takova Sifin. Jemi komshinj e ai më pyeti:

-Ku shkon, teta Sofika?

-Tashti erdha nga puna,-iu përgjigja e shqetësuar. Nuk e gjeta benin në shtëpi e po dal ta kërkoj.

-Kthehu ti, se e gjej unë e ta kthej në shtëpi, më tha ai.

-Jo! Jo! Ti vonohesh e unë rri në merak, më mirë të vij vetë. Po dëgjohet zhurmë e madhe tek lagjia e çobanëve, i thashë unë. Po ti ku po shkon?- e pyeta.

-Tek dajot, të shikoj sportin, më tha ai. Ato ditë në Itali luhej Kampionati Botëror i Futbollit. Televizorët ishin të paktë dhe shumë futbolldashës shkonin për t’i parë ndeshjet tek njerëzit e tyre. Sifi kishte marrë një copë të madhe buke, me një gjysmë domateje dhe pak djathë. Ai ishte larë e veshur mirë, ishte bërë si dhëndër! Duke ecur te rrugica e vogël, që dilte në rrugën kryesore, takuam një komshie që quhet Nini. Ajo, sa e pa Josifin, i tha:

-O Sifi, po ti qenke bërë tamam si dhëndër! Ai qeshi si fëmijë. -Mos ha bukë rrugës, se do të zihen krushqit, kështu thonë pleqtë,- bëri shaka komshia. Të tre po qeshnim.

Kur dolëm në rrugën kryesore, pamë njerëz shumë te lagjja e çobanëve. Vendi aty gumëzhinte si koshere bletësh. Nxituam e shkuam atje. Jemi afër. Sampistët po silleshin si egërsira…Vëllai i Sifit, Koli, po kacafytej me një nga forcat speciale me maskë. Sifit i kishte mbetur edhe pak bukë në dorë, por, kur pa vëllanë, menjëherë e la atë në një qoshk e u sul drejt sampistit egërsirë, që po qëllonte me grushte e me shkelma të vëllanë. Si shkëmbyen disa fjalë bashkë, gjendja u acarua shpejt e, duke përfituar nga momenti, sampisti nxori armën dhe e qëlloi Sifin . Djaloshi i pafajshëm ra i gjakosur në këmbët e turmës, që dha ulërimën. Plot njerëz të tjerë, të zemëruar, u mblodhën. Sampistët, të frikësuar, e morën menjëherë dhe si plumb pushke e çuan në spital, që t’i jepnin ndihmën e parë. Po djaloshi, trimi i nënës, Josif Budo, i kishte mbyllur sytë përgjithmonë. Ai që e kishte vrarë u fsheh nëpër terrin e natës në tarracën e shtëpisë së lindjes. I plagosur lehtë kishte mbetur edhe i vëllai i Sifit, Koli. Kolin e sollën shpejt në shtëpi, e futën në një dhomë, pa ia vënë veshin britmave të tij therrëse. Banorët e lagjes së çobanëve u sulën mbi sampistët e armatosur, derisa ata u detyruan e ikën drejt sheshit. Rrugës qëllonin me shkopinj gome cilindo që u dilte përpara syve. I qëllonin si të ishin armiq, sikurata njerëz nuk ishin vëllezërit e tyre shqiptarë. Rinia e Kavajës u dynd në spital. Ca çuna morën një çarçaf të bardhë në maternitet, mbështollën trupin e pajetë të Josifit dhe marshuan drejt qendrës së qytetit, duke qëndruar për disa minuta aty. Pastaj e ngritën prej andej dhe nisën ta shëtisnin nëpër qytet të heshtur. Heshtja e atyre të rinjve kishte një domethënie të madhe. Ajo heshtje sikur u fliste qytetarëve, prindërve kavajas: zgjohuni, ejani me ne, se bisha komuniste kërkon gjak nga që është në orët e saj të fundit! Trupin e Sifit e sollën vonë në shtëpi; atë e vendosën te çimentoja e pusit për t’i larë gjakun, që kishte rrëshqitur në formë shiritash të kuq. Në shtëpi filloi gjëma e madhe. Nuk dije cilin të mbaje më parë nga njerëzit e shtëpisë: mëmë Silën, që kishte humbur fare, babë Kiçon, që shkulte flokët e tij, vëllezërit, motrat, xhaxha Koçin, që I binte kokës me grushte, xhaxheshën Liri, me djalin dhe vajzat e saj, sepse ata ishin rritur bashkë në një shtëpi e në një sofër! Unë vetë kam qenë dëshmitare okulare, kur vranë Josif Budon dhe plagosën të vëllanë, Kolin. Nga dhimbja për Sifin, Kolin e gjorë e harruan fare, koka sa vinte e po i enjtej, sepse plumbi kishte mbetur brenda. Dhimbjet i shtoheshin. Kërkuan një mjek, po nuk vinte njeri nga frika. Të bërtiturat e tij nuk duroheshin. Aty nga ora 2-3 e natës erdhën një mjek dhe një infermiere e urgjencës, që ia hoqën plumbin e ngecur. Nuk i harroj ato çaste dramatike, të bërtiturat e mëdha rrëqethëse, kur ia hoqën. Nga ato që ndodhën në Kavajë, gjarpri në pushtet, nisi forca të shumta ushtarake në këtë qytet për t’u hakmarrë. Kështu ai tregoi fytyrën e tij shtazarake sikur donte të thoshte: “Jam ende i fortë e nuk dorëzohem!”

Të nesërmen në të gjitha ndërmarrjet u dha urdhri: asnjë të mos marrë pjesë në varrimin e Josifit! Por gabuan rëndë. Varrimi i Josif Budos ishte madhështor. Jo vetëm nga qyteti, por dhe nga fshatrat kishin ardhë për t’i bërë nderimet e fundit e për t’i dhënë lamtumirën heroit të demokracisë. Arkivolin e Josifit e çuan në kishë, që u hap për herë të parë, pas prishjes së fesë. Meshën e bëri dizenjatori i komunales, Petraq Isaku, ish-klerik, që kishte qenë shok klase me Papa Vojtilën. Kisha, pas prishjes më 1967, ishte bërë pallat kulture. Atë ditë u rihap për herë të parë e nga ajo ditë u kthye në origjinë. Arkivoli qe mbuluar me një copë të bukur e me buqeta lulesh dhe shokët e mbajtën në krahë, deri në banesën e fundit. Kavaja ishte e gjitha në zi.

Nëpër ballkone e porta nënat e motrat kavajase qanin nga larg djalin dhe vëllanë e tyre. Kortezhi, para se të merrte rrugën për në varreza, eci drejt lagjes Sharrë. Nuk kishte humbur vetëm familja Budo të dashurin e tyre, por e gjithë Kavaja kishte humbur djalin e saj. Fati i takoi Josif Budos që të bëhej ai kurban në themelet e fortesës së demokracisë. Pas varrimit të Josifit, në ditët në vijim revoltat u përshkallëzuan, pa ndërprerje. Populli dilte nëpër rrugë dhe kërkonte me zërin e protestës largimin e Ramiz Alisë e kukullave të tij nga pushteti. Dhe ashtu ndodhi.

Josif Buda mban titullin “Dëshmor i parë i Demokracisë” dhe është shpallur “Qytetar nderi i Kavajës për çështjen kombëtare”, një rrugë në Kavajë dhe një në Tiranë mban emrin e tij.

Nga libri “Të falësh… Fisi i vjetër kavajas Cara”, botim i ISKK

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here