60-vjet nga jetëndërrimi i Hirësisë së Tij Imzot Visarionit. Ishte liruar nga burgu vetëm 3 vite më parë
Nga Ilirjan Gjika
Një nga personalitetet e shquara të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka qenë padyshim edhe Imzot Visarion Xhuvani.
Me emrin Petri ai do të lindte më 1 maj të vitit 1887, në lagjen Kala të Elbasanit, nga prindërit Joan dhe Efthimi Xhuvani. Si përfaqësues i një familjeje të njohur ortodokse të këtij qyteti, Petri i ri, do të kryente filloren në vendlindje, për të vijuar më vonë shkollën e mesme kishtare, ‘’Rizarios’’ të Athinës. Në kryeqytetin e Greqisë do të kryente edhe studimet e larta, ku pas përfundimit të atyre pasuniversitare, në vitin 1918, do të merrte edhe gradën ‘’Doktor i Shkencave Teologjike’’. Një gjë e tillë do t’i mundësonte mësimdhënien në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës, ku paralelisht do të dorëzohej prift, duke marrë emrin klerikal Visar. Me këtë detyrë misionare do shkonte fillimisht në Bullgari dhe më pas në Rumani, ku do të binte në kontakt me kolonitë e atjeshme shqiptare. Ndërkohë zhvillimet politike ndërkombëtare të pas Luftës së Parë Botërore kishin krijuar një rend të ri në Europë. Në kushtet e këtij realiteti, Visar Xhuvani, do të kthehej në atdhe... Në fund të vitit 1919 atë e ndeshim në vendlindjen e tij, ku do të kryejë detyrën e arkimandritit në Mitropolinë e Elbasanit, Tiranës, Kavajës, Shpatit dhe Pogradecit.
Krahas devocionit në shërbim të kishës, arkimandrit Visar Xhuvani, do të jetë edhe pjesëmarrës si përfaqësues i Elbasanit në Kongresin Lushnjes. Do të ishte ky forum që me vendimet e tij do të konfirmonte pavarësinë e Shqipërisë dhe do të përcaktonte organizimin e shtetit dhe sistemit të qeverisjes. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të dalë prej tij, ai, do të zgjidhej edhe anëtar i këtij forumi. Ndërsa përsëri e ndeshim si deputet në legjislaturën e viteve 1922-1923, ku do të zëvendësonte deputetin e mëparshëm Leonidha Koja. Në procesverbalin e mbledhjes nr. 55, dt. 7 shtator 1922, në fletoren parlamentare ‘’Bisedimet e Këshillit Kombëtar’’, lexojmë se kur kryetari ftoi për betim deputetin e Durrësit z. Visar Xhuvanin, ai u prit nga deputetët në mes të duartrokitjeve.

…Ja seç thotë konkretisht ai në një seancë diskutimesh parlamentare për rolin dhe rëndësinë e fesë: “Kombi shqiptar sot ka nevojë për përparim, për qytetnim; por jo për grindjet fetare se për këto populli nuk ka nevojë, se këto janë masa prapanike. Prandaj duke paravështruar një fushatë të këtillë ma vonë e jo prej nesh, këtu n’Atdhenë t’onë, në horizontin e çështjes që po bisedohet, kishe me dashtë të meret para sysh edhe një frazë tjetër që të shtohet që propogandat fetare janë të ndalueme e lirija e fesë është gjëja ma e çmueshme dhe përgëzimi që duhet të ketë kombi jonë’’.
…Roli dhe dhe vepra e këtij njeriu të shquar do të evidentohet në mënyrë të veçantë gjatë punimeve të Kongresit të Beratit në vitin 1922. Në këtë Kongres do të mbidheshin përfaqësuesit më të shquar të komunitetit ortodoks të vendit, ku do të shpallnin krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Do të ishte pikërisht arkimandrit Visar Xhuvani, që do të proklamonte solemnisht përpara kongresit Autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Shqipërisë.
…Nga shfletimi i dokumenteve të kohës konstatojmë një vlerësim të madh në vitet 1920, për figurën e tij nga komunitetet ortodokse, veçanërisht nga ato të Tiranës, Elbasanit dhe Pogradecit. Janë një sërë kërkesash të nënshkruara nga ana e tyre që kërkojnë vlerësimin e veçantë të arkimandrit Visar Xhuvanit.
…Të tilla zhvillime do të sillnin natyrshëm edhe ngritjen e tij në pozitat më të larta të hierarkisë kishtare. Kështu, më 3 maj 1925, në manastirin e Savinës në Kotor të Malit të Zi, do të kryhej dorëzimi i tij si peshkop me emrin Visarion.
…Ndërkohë pas dorëzimit në gradën peshkopale ai do të tërhiqej për disa kohë nga shërbimi klerikal, duke vijuar aktivitetin e tij si intelektual dhe figurë e njohur publike. Gjatë kësaj kohe do të shkruante dhe botonte dy nga veprat e tij kryesore. Të tilla do të ishin librat: "Çashtje politiko-religjoze Kostandinopoli-Tiranë" dhe ‘’Kujtim vepre dhe intrige’’, në të cilat trajtohen një sërë problemesh të besimit dhe të Kishës.
I paangazhuar ai do të qëndronte deri në vitin 1929, kur Këshilli i Naltë Kishtar, do të emëronte si Mitropolit të Durrësit dhe Tiranës, veprim që do ti hapte rrugën vendosjes në krye të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në këtë mënyrë, Visarioni, do ta drejtonte Kishën në vitet 1929-1936, ku nën kryesimin e tij do të shënoheshin një sërë arritjesh, midis tyre edhe organizimi në vitin 1929 i Kongresit Kishtar të Korçës.
…Ndërkohë që të tjera zhvillime dhe arritje të Kishës nën drejtimin e Imzot Visarionit, do të ishin edhe hapja në vitin 1930 e Seminarit ‘’Apostull Pavli’’ në Tiranë, i cili do të niste përgatitjen e klerikëve dhe kuadrove të rinj ortodoksë. Më pas ai do të merrte formën e një shkolle të mesme pesë vjeçare që siguronte përveç studimeve dhe nevojave të tjera shkollore edhe ushqimin dhe fjetjen. Po këtë vit do të niste edhe botimi i revistës ‘’Kisha Orthodhokse Shqiptare’’, e cila në vitin 1934 do të quhej ‘’Predikimi’’. Ndërkohë një punë shumë e mirë do të bëhej edhe në botimin e letërsisë kishtare dhe teologjike.
…Krahas tyre në qytetet e Tiranës, Pogradecit, Korçës, Beratit dhe Durrësit do të ngriheshin edhe koret kishtare, me një repertor të gjerë të muzikës kishtare bizantine dhe asaj moderne. Gjithashtu, në këto vite u vendos rregulli dhe organizimi administrativ në të gjitha pasuritë e kishave dhe të manastireve . Por një punë të madhe dhe të rëndësishme, Imzot Visarioni, do ta bënte edhe për ndërkombëtarizimin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë.

…Pas këtyre zhvillimeve, për t'i hapur rrugën njohjes së Autoqefalisë së Kishës, Kryepeshkopi Visarion, në vitin 1936, do të jepte dorëheqjen....Ky veprim do t'i hapte rrugën Patriarkanës Ekumenike që më 12 prill 1937, të njihte zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Një gjë e tillë do të bëhej nëpërmjet Tomos-it Patriarkal, nënshkruar nga Patriarku Veniamin dhe Sinodi i Shenjtë. Ndërsa në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë do të vinte një tjetër figurë e njohur intelektuale dhe me kontribute, si: Imzot Kristofor Kisi. Ndërsa Imzot Visarioni, do vijonte jetën publike dhe kontaktet me besimtarët, klerin dhe autoritetet kishtare dhe kështu në prill të vitit 1937, ai, do t’i drejtohej me një letër ndjese dhe falenderimi Patriarkanës Ekumenike. Një akt i tillë do t’i hapte rrugën vizitës së tij në Fanar, në gusht 1937, ku do të pritej nga Patriarku Veniamin.
Gjithashtu si një personalitet i spikatur, në mars të vitit 1937, ai do të mbante fjalimin e përmortshëm në vdekjen e Haxhi Vehbi Dibrës, nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë, Kryetarit të Pleqësisë së Kuvendit të Vlorës, si dhe Kryetarit të parë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
…E tillë do të vijonte jeta e tij deri në vitin 1942 kur gjatë periudhës së pushtimit italian të Shqipërisë, do të rikthehej përsëri në shërbim të kishës. Ishte koha kur nën presionin e autoriteteve të pushtimit do të shfaqej në sfond rreziku për ta nënshtruar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në një kishë uniate nën pushtetin papal. Në këto kushte dhe momente të vështira, Imzot Visarioni, do të përgjigjej thirrjes së Kryepeshkopit Kristofor Kisi dhe Sinodit të Shenjtë, duke marrë drejtimin e Mitropolisë së Beratit, Myzeqesë, Vlorës dhe Kaninës. Në krye të kësaj dioqeze ai do të qëndronte deri në vitin më 1947, ku pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist, do të niste edhe kalvari i persekutimit ndaj Kishës Ortodokse.
Duke nisur që nga vera e vitit 1945, shteti komunist, nisi të ndërhynte gjithnjë e më shumë në mënyrë të jashtëligjshme në çështjet dhe punët e saj. Krahas masave të ndryshme që u ndërmorën për ta goditur Kishën, autoritetet komuniste, kishin si synim edhe përndjekjen dhe persekutimin e hierarkëve të lartë kishtarë, një prej të cilëve ishte edhe Imzot Visarioni. Duke e njohur qëndrimin e tij antikomunist që gjatë luftës, nisën veprimet për ta shpronësuar duke e lënë pa asnjë mjet financiar jetese. Më pas organet e sigurimit nxitën dhe detyruan me forcë vartësit e tij, klerikë dhe laikë, që të kërkonin largimin nga drejtimi i Kishës.
Nën këtë vazhdë përndjekjeje do të arrestohej me akuzën si armik i popullit për bashkëpunim me okupatorët italianë dhe gjermanë.
Në dosjen e tij që ruhet në Arkivin e Ministrisë së Brendëshme, gjen akuza të sajuara dhe nga më absurdet, që nisin nga tentativat për rrëzimin e pushtetit popullor, nxitjen e pakënaqësive në radhët e besimtarëve ortodoksë, dekonspirimin e dokumentacionit të Kishës, abuzime financiare, mitmarrje, relacione me misionet e aleate që ndodheshin në Shqipëri, etj.
Ndërkohë asgjë nuk ishte e vërtetë, sepse njihej prej të gjithëve karakteri dhe reputacioni i tij si, qytetar, klerik dhe intelektual. Përndjekja ndaj Imzot Visarionit nisi duke u bazuar tek qëndrimet që ai mbante ndaj reformave të ndërmara gjatë viteve 1945-1946. E tillë ishte edhe Reforma Agrare për të cilën ai kishte shprehur shqetësimin se do të shkatërronte bazën ekonomike të Kishës. Për këtë qëllim, Imzot Visarioni, i ishte drejtuar me disa shkresa Këshillit të Përhershëm Ekonomik të Kishës, të cilat do të raportoheshin në Ministrinë e Drejtësisë. Shtojmë këtu edhe përpjekjet për hapjen në vitin 1946 të shkollës fetare të fëmijëve në Vlorë.
Kështu, arrestimi i tij do të kryhej nga Seksioni i Sigurimit të Degës së Punëve të Brendshme Vlorë, më 2 qershor 1947. Në hetuesi, akuzave të shumta dhe absurde iu qëndroi në mënyrë konsekuente dhe të palëkundura. Dihej botërisht se arrestimi i tij ishte bërë në kuadrin e persekutimit dhe goditjes së Kishës dhe klerit ortodoks shqiptar. Pas një procesi hetuesie që zgjati 7 muaj, Gjykata Ushtarake Vlorë, me vendimin nr. 512, dt. 23-12-1947, do ta dënonte me “20 vjet heqje-lirie, me punë të detyrueshme dhe privim të të drejtave politike për 5 vjet’’. Dënimin e gjatë dhe të rëndë do ta kryente në Burgun e Burrelit në të cilin do të kalonte 15 vjet i izoluar. Ndërkohë edhe këtu do të shquhej për qëndrimin dhe karakterin e tij burrëror dhe të paepur. Janë një sërë dëshmish nga të burgosur të ndryshëm politikë, që në kujtimet e tyre të botuara pas rënies së regjimit komunist, na sjellin të gjalla copëza të ndryshme nga ngjarje të jetuara me të.
Pas disa amnistive do të lirohej në 23 mars 1962 në moshën 75 vjeçare. Vetëm disa muaj pas daljes nga burgu do të vendosej përfundimisht në manastirin e Shën Joan Vladimirit në Elbasan. Pikërisht këtu do të kalonte edhe vitet e fundit të jetës, ku më 15 dhjetor 1965 do të kalonte në amshim dhe do të varrosej në varrezat aty pranë.
Kështu do të largohej Imzot Visarioni, njeriu që ia kushtoi të gjithë veprimtarinë e tij Zotit, besimit dhe Kishës, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme të ndikuara nga kushtet e kohës. Vetë jeta e tij kaloi si një udhëtim i gjatë, jo vetëm përpjekjesh, suksesesh dhe arritjesh, por edhe një kalvar mundimesh, vuajtjesh dhe persekutimi, për të lënë pas një emër të vlerësuar nga besimtarët ortodoksë dhe opinioni i gjerë publik.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Shënim: Shkrimi është marrë me shkurtime nga postimi i Radios "Ngjallja" në Fb.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.