Veterineri i diplomuar në Paris, në “Fermën e kafshëve” të Shqipërisë

0
1539
blank

Në vitin 1963, pasi ishte kishte studiuar në Francë dhe kishte punuar si veteriner qarqesh në Shqipëri, Petrit Zenelhoxha burgoset dhe dënohet me 12 vjet burg. Që nga ai çast fermat e kampit të punës së detyruar ku e dërguan, do të kishin për veteriner një të diplomuar në Paris, ndërsa veterineri dhe familja e tij do ta ndienin nën lëkurë mënxyrën e alegorizuar nga George Orwell, që Shqipëria e përjetonte prej gati 20 vitesh

 

Prej rezultateve të larta në Liceun Kombëtar të Korçës, Petrit Zenelhoxhës iu akordua një bursë studimi në Shkollën Kombëtare të Veterinarisë të Alfortit, ku i riu elbasanas mbërriti në vitin 1934. Universiteti i rëndësishëm, i themeluar që në vitin 1765 dhe i lokalizuar, një vit më pas,  në atë vend ku është edhe sot, ndodhej pak kilometra nga qendra e Parisit, shkëlqimi i të cilit, edhe pse me siguri e ka prekur shpirtin e djalit 20-vjeçar nga Shqipëria, nuk ia zbehu interesin për studime. Si dikur, në liceun e qytetit juglindor të Shqipërisë edhe në universitetin prestigjioz në juglindje të Parisit, ai nisi të dallohej për rezultatet e larta, me të cilat edhe i përfundoi studimet.

blank
Petrit Zenelhoxha, i dyti djathtas, gjate studimeve ne France

Qëndroi në Francë rreth 7 vjet dhe nëpër Evropën e përfshirë në luftë, në vitin 1941 mori rrugën e kthimit për në Shqipëri, tashmë me gradën Doktor në Veterinari. Punësohet menjëherë në institucionin më të rëndësishëm të fushës së tij në Tiranë, në Laboratorin Bakterologjik të Veterinarisë. Pas një viti, e caktojnë veteriner në qarkun e Pejës, ku Petrit Zenelhoxha, apo Hoxha, si bëhet mbiemri i familjes së tyre më vonë, angazhohet me grupet antifashiste, ku bënte pjesë dhe bashkëshortja e tij e mëvonshme, me origjinë malazeze. Kthehet sërish në Shqipëri dhe punon si veteriner qarku në Tiranë e Shkodër. Në këtë kohë bëhet baba i djalit të parë, Agimit, që më pas do i shtoheshin edhe një motër dhe një vëlla. Në korrik të 1946-ës, kalon edhe një herë kufirin për në Kosovë, i caktuar nga Ministria e Bujqësisë për të drejtuar një kurs në gjuhën shqipe për infermierët veterinerë shqiptarë në Prishtinë dhe Prizren.

 

Në 1947-ën kthehet në Shqipëri dhe për një vit drejton Qendrën e Studimeve Zooteknike në Shkodër, për të shërbyer më pas si veteriner qarku në Durrës dhe Elbasan. Në vitin 1951, nis të shërbejë në reparte të ndryshme të Ushtrisë, por për shkak të gjendjes shëndetësore në vitin 1958 del në lirim si invalid dhe caktohet veteriner në vendlindjen e tij në Elbasan.

Pas pesë vitesh, në fund të vitit 1963, veterinerin që kishte kontribuar mbi 20 vjet me dijet dhe punën e tij në institucione dhe ferma kafshësh, do e arrestonin. U dënua me 12 vjet burg me dy akuzat klasike që regjimi u akordonte armiqve imagjinarë dhe viktimave të tij të vërteta: agjitacion dhe propagandë dhe tradhti ndaj atdheut, të cilat kishin zakonisht në themel paranoja ose ndjenja të ulëta hakmarrjeje të pushtetarëve ndaj intelektualëve, për të cilat, në jetën e Petrit Zenelhoxhës, kishte më shumë sesa një faktor nxitës. Ai ishte diplomuar në Perëndim, ishte martuar me një shtetase malazeze dhe mbi të gjitha, jeta e tij ishte kryqëzuar me atë të udhëheqësit absolut të Shqipërisë komuniste në disa vende: në vite të ndryshme në Liceun e Korçës, ku gjurmët e Hoxhës nuk ishin pozitive dhe më pas në Paris, ku Hoxha, që kishte ndërprerë në Montpelier studimet e larta që nuk i përfundoi kurrë dhe Zenelhoxha që nisi studimet që do i mbaronte shkëlqyeshëm, mbërritën në të njëjtin vit.

E ndërsa dënimi i një njeriu pa faj qetësonte trazimin e porositësve dhe ekzekutesve nga një anë, në anën tjetër jeta e të dënuarit merrte rrokopujën duke tërhequr me vete njerëzit e afërt me të cilët i ishte lidhur shpirti dhe jeta.

Për shkak të nevojave për veteriner, por edhe të gjendjes së tij shëndetësore dërgohet në burgun e Lezhës, ku shërben për 4 vite në fermat e Shëngjinit, Badresë, Gjadrit etj..

Jashtë la tre fëmijë, më i madhi i të cilëve, Agimi sapo kishte filluar shkollën e lartë në degën e Matematikës. Pas humbjes së nënës dhe burgosjes së babait, megjithë moshën e re, atij i duhej të bëhej baba e nënë për motrën dhe vëllain më të vogël dhe veç këtyre barrave shpirtërore të mbante dhe përndjekjen e regjimit që fillimisht i caktoi një shërbim dyvjeçar ushtarak në xhenio dhe më pas e emëroi mësues në fshatin e largët të Mallagjeshit. Ndërsa babanë e tij, pasi u lirua nga burgu, megjithë moshën dhe shëndetin që nuk është më si dikur, e caktuan veteriner në kooperativën e Bradasheshit.

Jeta e tij dhe e fëmijëve nuk do të kthehej më në normalitet deri në fund të regjimit komunist, të cilin mjeku veteriner nuk arriti dot as ta shihte zyrtarisht të përmbysur. Ai ndërroi jetë pak para zgjedhjeve të para pluraliste të marsit 1991, të cilat, gjithsesi, e zgjatën dhe për një vit pushtetin e PPSH-së,  që do të rrëzohej një vit më vonë. Në atë parlament të 1992-shit, do të ishte deputet edhe i biri i Petrit Zenelhoxhës, Agimi, sot qytetar nderi i Elbasanit.

“Ferma e kafshëve” kishte dalë edhe nga trupi i Shqipërisë për t’u kthyer brenda kapakëve të romanit, që shtetasit jashtë bllokut lindor, madje dhe shumë shqiptarë të kësaj kohe, nuk mund ta imagjinojnë si të vërtetë.

Shtysa dhe të dhënat e këtij shkrimi për Petrit Zenelhoxhën dhe familjen janë marrë nga Arkivi Digjital i Elbasanit. Fotot e z.Petrit Zenelhoxha nuk i përkasin kujto.al, por janë marrë nga Google, pas publikimit ekskluziv në: elbasaniad.org.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here