Valentin Pervizi: Takimi pas 5 vitesh më nënën dhe gjyshen në internim

1
464
blank

Jeta e vështirë në kampin e Beratit dhe letrat e kartolinat me bashkëshorten italiane

Pas qëndrimit dy vjet në burg, drejtori e kishte thirrë Valentin Pervizin në zyrën e tij për ti komunikuar që të bëhej gati se ndoshta të nesërmën mund të nisej për në Berat. Shtoi se atje do të gjente gjyshën dhe nanën që sigurisht «do të gëzohën shumë. Besoj se je i kënaqun, a po jo ? -Po zoti drejtor, nuk di si me e shpreh gëzimin tim duke mendue se do t’i takoj jashtë murëve të burgut dhe pas pesë vjet ndarje prej tyne.

Dhe në fakt të nesërmen u nis i shoqnuem nga një polic që u suell mirë gjatë rrugës, ndryshe nga disa të tjerë turizëz e kapadai, që ua binin në majë të hundës me sjelljet e tyne të ashpra njerëzve si Valentini, për të tregue se ishin të lidhun me partinë dhe i luftonin ata që ishin kundër saj.

Polici e përcolli deri te Dega e Brendshme e Beratit, kur arriti aty dalloi disa fytyra të këqia të sigurimit, me uniformë oficerash. Ishin të lajmëruem me telefon për ardhjen e tij, e kishin dalë për ta pa, e në ato çaste dolën edhe të gjithë të tjerët nga zyrat sikur t’ishte një përsonalitet.

Oficeri që merrej me të internuemit, pasi i kishte regjistrue të dhanat i tha se do të paraqitej në zyrën e tij dy herë në ditë, në mëngjes deri ora nandë dhe në darkë deri ora 19.

Kur Valentini doli nga zyra, para degës, iu afruen disa vetë duke e pyetë se kush ishte e nga vinte. Valentini e kishte kuptue nga të folunit dhe nga pamja se ishin të internuem. U tregoj se vinte nga Shkodra dhe se kush ishte, dhe se aty në Berat kishte gjyshën e nanën. Ata u gëzuen shumë dhe pasi i treguen se kush ishin i banë urimet për lirimin nga burgu. Ndërkaq një djal i ri u nda prej tyne për me lajmerrue nanën e Valentinit. Kështu u nisën gjithë se bashku.Pas pak takohet rrugës me nanën që i kishte dalë para sa mori vesh ardhjën e tij. Një takim i përmallshëm pas pesë vjet ndamje. Nuk munguen lotët prej gëzimit.

U përshëndetën me shoqnuesit dhe u nisën drejt banesës ku priste me padurim gjyshja. Takimi me gjyshën ishte dhe ma emocionues, ajo e përqafonte dhe e prekte në trup si për me u bindë se ishte ai vetë, nipi i saj i dashun. Banesën që u kishin dhanë në Berat ishte krejt e prishun e vendosun sipër një stalle. Një dhomëz prej 14 metra katrore pa tavan e me një çati ku mungonin binarë e tjegulla. Kështu që shiu pikonte kudo. Edhe dyshemeja ishte e prishun e i mungoni disa dërrasa. Era hynte nga te katër anët, sepse muret ishin ça e në disa vende pa tulla. Kështu që në ato ditët e para iu desh me ba vetë disa riparime, me mbeturinat që kishin mbetë nga lufta që kishte kalue edhe aty, ku e ndihmuen edhe shokët e ri të internuem. Kështu disi e rregulloi dhomëzën.

Këtë qytet të njohun për antikitetin e tij, ku spiskaste kalaja me mure të fuqishme, me kisha të vjetra, ku ishin ruejtë ikona, mozaike e libra deri dhe kodi i famshëm me shkronja të arta, regjimi komunist e kishe caktue si qëndër internimi për familjet e mëdha dhe plot të tjera nga krahinat e veriut. Shumë nga këto familje rrinin edhe në lagjën e kalasë, si dhe lagjet e tjera, si Mangalemi. Familjet dhe individët ishin internue për shkak të pjestarëve të tyne të arratisun në mal ose jashtë shteti. Kur ata vritëshin ose kapëshin ua lironin familjët. Por kishte nga ato familje që quhëshin të mëdha e të randësishme që nuk u liruen kurrë, edhe kur njerëzit e tyne u vranë apo vdiqen. Duke qenë se qyteti ishte damtue nga lufta, banesat e shkatërrueme u ishin dhanë për strehim të internuemve, të cilët mundohëshin me u rregullue në ato ndërtesa gjysmë të shembuna.

Komanda ishte mjaft larg, nga ana tjetër e qytetit, e megjithatë si nana ashtu gjyshja duhet të paraqitëshin dy herë nënё ditё. Kjo pёr gjyshё, plakё 85 vjeçe ishte njё torturё. Kështu që pa kurgja mbas shpirtit, fërguhëshin ma racionin e bukës së misrit që u kishin dhanë, prej nji kile buk në ditë. Racionin e gjyshë që hante fare pak, e shisnin, sepse edhe beratasit vetë vuenin nga buka prej krisës ushqimore që kalonte vendit, ku të gjithë tokat bujqësore kishin mbetë pa u punue, prej dy vjetësh. Kështu vepronin të gjithë të internuemit e tjerë që regjimi komunist i kishte debue nga vendet e pasunitë e tyne pa u lejue të merrni asgja me vete. Me ato pak lek të bukës ato mundohëshin me shtye përpara në atë gjëndje të pa shpresë ku i kishin pllakosë.

Me ardhjën në Berat Valentini pati mundësi t’i niste dy kartolina grues tij në Bolonja, ku e njoftonte se ishte transfërue nga Shkodra në Berat ku ishte bashkue me gjyshën e mamën. Ai përdori kartolinat pse e dinte se letrat çensurohëshin rreptë nga sigurimi. Për fat kartolinat kishin mbrritë atje, sepse pas një muej ai mori përgjigje, po ashtu me një kartolinë, ku e shoqja shprehte gëzimin e saj për transfërimin e tij në Berat, ku ishte bashkue me familjarët e tij. Kështu u hap një far mundësie që qifti të merrej vesh sado perciptas, se ishin mire, ku nuk mungonte shpresa e një përmërismi të gjëndjës që të mundësonte ardhjen e Gorit në Shqipni. Këto ishin ma tepër dëshira dhe andrrime, sepse realiteti ishte tepër i pa shpresë në atë drejtim. Ata që mendonin se situata do të qetësohej pas stuhisë fillestare që kishte ba gjithë ato masakra e shkatërrime, do te mbentëshin të zhgënjyem sepse terrori do të vazhdonte i pamëshirshëm, me gjyqe e pa gjyqe, duke mbjellë vazhdimisht viktima të tjera, ndër shtresat ma të mira të popullsisë. Internuar nӫ maj 1945 ne Berat, e pasta mӫ 1948-j nӫ Tepelenӫ ku gjyshja Mrika Pervizi vdes mӫ 1950, nӫ moshӫn 90 vjeçe. E ama, Ana Pervizi pas 32 vjet internim vdes ne Pluk tӫ Lushnjӫs mӫ 1977, nӫ moshӫn 77 vjeçe.

Berati nga 1945 deri 1948 u ba qender internimi per familjet e mӫdha tӫ Veriut e shumӫ familje tӫ tjera qӫ kishin njerӫz tӫ arratisur nӫ mal ose jashtӫ shtetit.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here