Uria në  Burgun e Burrelit, “Na dhanë për të ngrënë një ka të ngordhur, u sëmurëm dhe burgu u qelb i gjithi...

0
916
blank

Tre rrëfime për  luftën e përditshme me urinë në Burrel nga Avni Xhomaqi, Uran Kostreci dhe Kajtaz Çelo. “Ushqimet nga familja na i vidhnin gardianët, për të na i pështirosur fusnin duart deri në fund, thërrisnin qentë pasi ata lëpinin duart i rifusnin duart në ushqim...”

Lufta më madhe në Burgun e Burrelit ishte lufta me urinë, pas saj vinin torturat çnjerëzore dhe izolimi i tmerrshëm.  Në librin “Përtej harrimit”- Abdulla Rami, të studiueses Ermira Xhomaqi kemi shkëputur një fragment ku flet për ushqimin në këtë burg dhe sfidën e familjarëve për ti mbajtur gjallë të dashurit e tyre që ishin dënuar më atë burg të tmerrshëm.

Pyetjes së sa ushqime të dërguara nga familjet, lejoheshin në burgun e Burrelit Avni Xhomaqi i  jep këtë përgjigje:

“-Në muaj lejohej një pako që peshonte 7 kg së bashku me enën. Dhe nëse të sillnin për shembull një shalqi, ata ta peshonin dhe nuk të jepnin ushqimet e tjera, që ishin në pako. Fillimisht na jepnin vetëm 300 gram bukë misri. Kështu që vetëm ndihma e familjes dhe ushqimet që na dërgonin njerëzit tanë na e mbanin shpirtin gjallë. Por për shkak se mungonte transporti, një pako e dërguar nga familja  merrte shumë kohë për të mbërritur atje, kështu që shumë herë ushqimet mbërrinin të prishura dhe i hidhnim në kosh të plehrave se s’mund t’i hanim dot. Njëherë mbaj mend që në burg na dhanë për të ngrënë një kà të ngordhur dhe të gjithë të burgosurit u sëmurën e i zuri barku. U qelb burgu me gjithçka!”

Ndërsa Uran Kostreci tregon një pasazh tjetër:  Kur vinin pakot me ushqime,  për t’ua neveritur edhe atë pak ushqim që u kishte ardhur të burgosurve dhe të mos i hanin. ja se ç’bënin: Gjatë kontrollit të ushqimeve, kapteri fuste dorën në ushqimet e përgatitura dhe thërriste qentë. Kishin dy qen në burgun e Burrelit, që ua kishin vënë emrin njërit Churchill dhe tjetrit Roosvelt. Duart e lëpira nga qentë, kapteri i fuste përsëri në ushqime... dhe duart laheshin nga pështyma e qenve e rifuteshin përsëri në konservat e ushqimeve. Kanë vdekur shumë të burgosur atëherë nga sëmundjet dhe vuajtjet, por numri i saktë i tyre nuk dihet. Aq e madhe ishte uria në Burrel, sa një i burgosur që nuk ia kujtoj dot emrin tani, nuk e tregoi për disa ditë vëllanë e tij të vdekur. I vinte një cigare në gojë që roja mos ta kuptonte që kishte vdekur, vetëm e vetëm që të mund të hante edhe racionin e tij, atë 300 gram bukë misri për të mbajtur shpirtin gjallë. Në ato vite dhe më pas edhe ujë të pijshëm nuk kishim. Pusi në mes të oborrit ishte pa grykë dhe rrëketë e ujërave që rridhnin nëpër oborr, kullonin atje. Të burgosurit nuk arrinin të shuanin etjen. Pusi ishte i pamjaftueshëm dhe uji në fund mbetej gjithmonë me llum. Kur dilnim në oborr, të gjithë të burgosurit kishin nga një gavetë të lidhur me gjalmë çorapesh për të marrë ujë nga pusi. Kushtet në të cilat mbaheshin personat e dënuar ishin çnjerëzore. 

Ndërsa Kajtaz Çelo, shkruan kështu në kujtimet e tij: “Në 25 tetor 1947, na nxjerrin në oborr dhe na marrin të gjitha ushqimet; nuk na lanë as kripë dhe na lanë për dy veta, një tas, një pagure dhe dy lugë. Unë isha në një dhomë me Myslim Çarçanin nga Fushëbardha, Haki Tahirin, Abdulla Ramin e Avdyl Haxhiun. Vuajtjet e të burgosurve në këtë burg nuk mund t’i përshkruash, se nuk mund t’i besojnë dhe vet ata që i kanë bërë, por ja që koha do t’i dënojë dhe Zoti do t’i përçmojë pavarësisht.”.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here