Unaza e fejesës mes baltës së kuqe në gropat e Mënikut

0
1295
blank

Unaza ishte shenja e parë që iu shfaq Hysen Shehut, në qershor të vitit 1993 kur po gërmonte në kërkim të eshtrave të të atit Tefik Shehu. Z.L., ishin inicialiet e  Zydi Herrit dhe bashkëshortes Liri. Pas shfaqjes së unazës, Hyseni do të vazhdonte gërmimet me kujdes për të avancuar deri te fundi i gropës ku preheshin ende mes plumbave dhe telave me gjemba, eshtrat e 22 intelektualëve të vrarë nga diktatura. Unaza e fejesës së Zydi Herrit, do të gjendej pas 40 vitesh në gropën e madhe në kodrat e fshatit Mënik në Tiranë, atje ku ishte pushkatuar në vitin 1951, bashkë me 21 intelektualë të tjerë. Rrëfimi i dhimbjes së Hysen Shehut për gjetjen e eshtrave të të atit bashkë me 21 intelektualët e pushkatuar padrejtësisht nga regjimi komunist, të akuzuar për bombën në ambasadën sovjetike. Sivjet u mbushën 71 vjet nga koha e ekzekutimit dhe 29 vite prej kohës kur u gjetën eshtrat e tyre.

Nga Luljeta Progni

Hysen Shehu kundronte menduar gropën tek zmadhohej. Dëgjonte me durim kërkëllimën e kovës së eskavatorit që ngulej në tokë e nxirrte dhe të kuq në një kodër buzë lumit të Erzenit në fshatin Mënik në Tiranë. Ishte ditë qershori në vitin 1993. Përreth vendit ku hapej gropa kishte edhe persona të tjerë, por Hyseni ishte më afër vendit ku po punonte eskavatori. Priste me padurim të shihte shenja. Në një moment, thërret me sa kishte në kokë:  Ndal...Ndal…! Në gjithfarë lloj mënyrash po përpiqej t'i bënte shenjë drejtuesit të eskavatorit, i cili nuk po arrinte të dëgjonte thirrjen e tij nga zhurma e makinerisë. Nga lartësia e kovës së eskavatorit, Hyseni kishte pikasur rrezet e diellit tek përplaseshin në një objekt të vogël dhe i ktheheshin si reflektim ndër sy… ishte një unazë floriri. Dukej gati e pabesueshme që në të gjithë atë masiv dheu të arrije të shquaje një unazë floriri. Por fati e kishte çuar t’i drejtonte sytë pikërisht aty si një shenjë që do ta çonte drejt thellësisë së gropës ku gjendej kafka e babait të tij. Po kërkonte eshtrat e të atit, Tefik Shehu dhe 21 intelektualëve të tjerë të pushkatuar në shkurt të vitit 1951.

Hyseni vrapoi drejt vendit ku kova e eskavatorit lëshoi dheun dhe gjeti aty një unazë. Pa që në të ishin shënuar dy iniciale. Z.L. E dinte me siguri që unaza nuk ishte e të atit, por kishte një siguri që unaza duhet të ishte patjetër e dikujt prej 21 të pushkatuarve të tjerë që mund të gjendeshin në atë gropë.

blank

“Ndërpreva punimet, e mora unazën dhe ia tregova menjëherë nënës sime. Ajo i njihte të gjithë familjarët e të pushkatuarve që gjendeshin në atë gropë. Sa e pa unazën, e njohu. Sepse kishte parë të njëjtën unazë te shoqja e saj e vuajtjes në internim, Liri Herri, e cila mbante unazën me inicialet Z.L. Ishte unaza e Zydi Herrit, njërit prej të pushkatuarve me grupin e ambasadës sovjetike. Zydi Herri ishte bashkëshorti i Lirisë me të cilën ne kishim jetuar në internim. Ndaj e njohu menjëherë nëna, unazën sepse e dinte mirë historinë e saj. Kishte qenë unaza e fejesës së Lirisë dhe Zydiut. Në unazën e Zydiut gjendej iniciali i parë i emrit të Lirisë dhe pastaj Z, i emrit të tij. Ndërsa në unazën e Lirisë gjendej e kundërta, iniciali i bashkëshortit Zydi dhe pastaj i emrit të saj L”, e ka treguar këtë pasazh, Hysen Shehu në një intervistë në emisionin: ”Histori me zhurmues” të gazetarit Pandi Laço. Është një ndër dëshmitë më të dhimbshme që rrëfejnë krimet e  diktaturës komuniste.

Hysen Shehu shfaqet në atë emision ndër të tjerë pasardhës të intelektualëve të pushkatuar pa faj në shkurt të vitit 1951. Ai nis e tregon kalvarin qysh në fillime.

“Ishte natë shkurti në vitin 1951 kur forcat e Sigurimit të Shtetit rrethuan shtëpinë e Tefik Shehut, babait tim. Trokitën në derë me zhurmë e krisma dhe para tyre u shfaq Tefiku bashkë me Gjorgjinën, vajzën e mitur. Pas tyre ia behën te dera edhe bashkëshortja shtatzënë dhe nëna e Tefikut. Forcat e sigurimit e morën  me dhunë duke e rrahur dhe kërcënuar dhe pas pak ditësh, e pushkatuan. Akuzohej si pjesëtar i hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike”, rrëfen Hyseni.

Por dhuna e diktaturës ndaj familjeve të 22 intelektualëve të pushkatuar, nuk do të ndalej aty te akti i ekzekutimit. Kalvari i vuajtjeve do të vazhdonte për familjarët, gra, fëmijë e pleq.

blank

“Me datë 1 mars 1951, para shtëpisë sonë do të shfaqej një kamion. Unë isha në barkun e nënës sime dhe historinë ma ka treguar nëna. Forcat e Sigurimit, nxjerrin me dhunë nga banesa gjyshen time, nënën e babait Tefik Shehu, e cila ishte në moshën 82-vjeçare, bashkëshorten shtatzënë, nënën timë që ishte në moshën 21- vjeçare si dhe motrën time, Gjorgjinën, e cila ishte fare e mitur në moshën 2-vjeçare. Në kamion, i prisnin edhe familjet e të pushkatuarve të tjerë të akuzuar si pjesëtar të bombës në ambasadën sovjetike.

Linda në internim në Vlorë. Nënën time nuk e pranuan as në maternitet për të kryer aktin e lindjes me arsyetimin që ishte gruaja e armikut të popullit dhe nuk meritonte këtë shërbim. Jeta vazhdoi shumë e vështirë mes mundimeve varfërisë e punës shumë të rëndë. Jetuam në internim për 22 vite”, rrëfen Hysen Shehu.

Nuk e kishte parë kurrë babanë. E kishte njohur përmes kujtimeve të gjyshes, nënës e motrës së tij. Do të mbetej brenga e madhe që do ta shoqëronte përgjithmonë.

Për Hysen Shehun, liria erdhi vonë. Ashtu si dhe për mijëra familjarë të viktimave të diktaturës komuniste. Në vitin 1990, kur ra diktatura komuniste, Hysen Shehu ishte duke mbushur 40 vjeç.

blank

“Me rrëzimin e diktaturës, gjërat ndryshuan dhe frika u largua disi. Nuk e kisha njohur babanë tim dhe ndoshta edhe për këtë arsye isha njeriu më i interesuar për të kërkuar eshtrat e intelektualëve të pushkatuar nën akuzën e vënies së bombës në ambasadën sovjetike.

Uran Jegeni është mjaft i rëndësishëm për t'u përmendur. Kishte një firmë për pastrimin e inerteve dhe ai do të më ndihmonte. Ishte gjithashtu i interesuar për të gjetur eshtrat e këtyre fatkeqëve pasi kishte aty dy xhaxhallarët e tij, Gafurr Jegeni dhe Myftar Jegeni. Atje ishte edhe babai im Tefik Shehu.

Nisëm kërkimet në fshatin Mënik të Tiranës, atje ku dihej se ishin pushkatuar dhe groposur intelektualët e Tiranës të akuzuar për hedhje të bombës në ambasadën sovjetike. Takuam dy persona në Mënik, Kadri Hysën dhe Selim Hysën. Kadri Hysa na tregoi si ka qenë ngjarja. Atë natë kur kishte ndodhur pushkatimi, Kadriu kishte qenë kryetar këshilli i fshatit.

Atë natë, në ora 12.00 po kthehej nga një mbledhje që zhvillohej në një fshat tjetër. Kishte parë gjatë rrugës dy kamione me njerëz dhe shumë forca policie dhe ishte ndalur. Duke qenë kryetar i këshillit, punonjësit e Sigurimit që ishin aty për të kryer krimin, e kishin porositur që ditën tjetër kur banorët e fshatit Mënik të pyesinin për krismat e armëve, Kadriu t’iu thoshte që krismat ishin për shkak se u vranë disa kuaj të sëmurë e të ngordhur të ushtrisë. Pas këtij komunikimi, Kadriu është nisur drejt banesës së tij. Pas pak minutash, kishte dëgjuar zhurmën e zinxhirëve me të cilët ishin lidhur 22 intelektualët dhe krismat e armëve gjatë ekzekutimit. Ai kishte dëgjuar edhe zërin e një gruaje… ishte Sabiha Kasimati. Kadri Hysa e mbante mend shumë mirë vendin ku ishin pushkatuar e më pas varrosur 22 intelektualët e pushkatuar të akuzuar padrejtësisht si autorë të vënies së bombës në ambasadën sovjetike”, rrëfen Hysen Shehu.

 

blank

Rrëfen se e pati mjaft e vështirë të gërmonte dheun për të gjetur më pas vetëm eshtrat e babait. Por ishte e vetmja gjë që i kishte mbetur për të bërë për babanë që s'e njohu kurrë.

Unaza me inicialet e Zydiut dhe Lirisë ishte shenja e parë. Hyseni do të vazhdonte gërmimet me kujdes për të avancuar deri te fundi i gropës ku preheshin ende mes plumbave dhe telave me gjemba, eshtrat e 22 intelektualëve të vrarë nga diktatura.

“Zoti më dha forcë dhe me një shkop të vogël vazhduam me shumë kujdes për të mos dëmtuar mbetjet kockore të 22 intelektualëve. Me anë të atij shkopi të vogël mund të kem nxjerrë disa metër kub dhe deri sa u shfaqën të gjitha eshtrat. Aty kam parë poshtërsinë e regjimit. Mirë që i kishin pushkatu, por brenda gropës, kafkat ishin të thyera… kishte rreth 40-50 metra kabëll dhe tela me gjemba… gropa ishte plot me plumba të kalibrave të ndryshëm… punova me kujdes dhe m'u duk se atë ditë i nxora prej errësirës… Është kollaj sot të hapësh arkiva, është kollaj t'i lexosh ato, por është shumë e vështirë të hapësh atë arkivë në tokë..”, rrëfen mes lotësh Hysen Shehu.

blank

Në fund të rrëfimit të tij shumë të dhimbshëm, Hysen Shehu shfaqet me një fotografi që jep mijëra mesazhe drejtuar shoqërisë shqiptare.

Apeli i Hysenit i drejohet specifikisht njërit prej drejtuesve të Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i cili ato ditë kur Hyseni jepte intervistën, me sa duket kishte dalë me mesazhe që vlerësonin elemente të diktaturës komuniste. Është drithërues mesazhi i Hysen Shehut. I kërkon Pandeli Majkos t’u kthehet fotografive të fëmijërisë me babanë e tij, momenteve të lumtura pranë të atit…ndërsa shfaqet në ekran fotografia e Hysenit me kafkën e të atit, në takimin e tij të parë me të.

“E vetmja fotografi e imja me babain është kjo: unë me kafkën e babait në tavolinë…”, thotë Hyseni.

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here