Zyber Qazim Alimehmeti (1941-2016), nga Tirana, vuajti mbi 21 vjet në vitet 1966-1987. Ai ishte vetëm 25 vjeç kur u arrestua dhe 46 vjeç kur u lirua. U arrestua më 6.4.1966 së bashku me shtetasit: Ismail Kapllani, Sazan Hadëri (vrarë në Burgun e Burrelit), Veip Hoxha, Avdulla Hyka, Avdulla Sinani. U akuzua “për tradhti ndaj atdheut”.
Midis të tjerash, në vendimin e gjykatës thuhej: “Nga provat që janë administruar, ka dalë e vërtetuar se të gjykuarit Zyber Alimehmeti, Ismail Kapllani e Sazan Hadëri, duke i besuar propagandës armike kundra shtetit tonë, se gjoja këtu nuk jetohet mirë, se në vendet kapitaliste bëhet jetë e rehatshme, ata kanë vendosur të arratisen jashtë shtetit, në Jugosllavi ose Itali”.
Arratisja kishte qenë një mendim, por asnjëherë i konkretizuar në kohë dhe territor. Kësisoj gjykata po dënonte një mendim për arratisje. Është qesharake të mendosh se si mund të rrëmbehej motoskafi i liqenit artificial në Tiranë e të çohej në Durrës për të kryer një arratisje.
Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.81, datë 9.8.1966, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim së bashku me Ismail Kapllanin. U la në fuqi me vendimin nr.59, datë 23.8.1966 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Me dekretin nr.4180, datë 4.10.1966 Presidiumi i Kuvendit Popullor u fali jetën, duke ia kthyer dënimin me 25 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.
U lirua më 13.8.1987 nga Reparti nr.311 Qafë-Bari.
Fotografia i takon viteve të fundit të jetës.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.