Tri telegrame, për dy vrasje

0
212
blank

Korrespondenca e diktatorit Enver Hoxha me gjeneral Spiro Moisiun në tri telegrame për dy vrasje. Si u gjymtua, u vra dhe u zhduk kleriku Dom Lazër Shantoja. Kujto.al publikon telegramet e vitit 1945

Në arkivat e pluhurosura të vitit 1945, aty ku fjalët peshojnë më shumë se plumbat, ruhen tri telegrame që përcaktojnë një ndër vrasjet më të dhunshme të diktaturës komuniste. Janë vetëm disa rreshta, por brenda tyre është ngjeshur një nga historitë më të errëta të krimit shtetëror shqiptar. Një emër përmendet pa hezitim, pa gjyq, pa mëshirë: Dom Lazër Shantoja. Prift katolik, intelektual shkodran, poet dhe përkthyes, njeri i fjalës dhe i lutjes, i shpallur martir nga Vatikani pak vite më parë, por i trajtuar nga regjimi i ri si “çështje tepër urgjente”.

Në muajt e ferrit të vitit 1945, kur veriu i Shqipërisë po shndërrohej në një laborator shfarosjeje për çdo kundërshtar real apo të imagjinuar të pushtetit, Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu ndjekin personalisht fatin e dy emrave: Dom Lazër Shantoja dhe Sulçe Beg Bushati. Dokumentet e ruajtura në Arkivin Qendror të Shtetit, në fondin e Partisë Komuniste, tregojnë qartë se ekzekutimi i tyre nuk ishte një procedurë rutinë, por një çështje me rëndësi të veçantë politike, që kërkonte vëmendjen direkte të kupolës së regjimit.

Telegrame të shkruara me ngut, por të menduara në mënyrë kriminale, dëshmojnë zinxhirin e plotë të krimit: urdhrin për transferim, aprovimin e dënimit me vdekje dhe njoftimin e ekzekutimit. Asnjë fjalë për mbrojtje, asnjë dyshim, asnjë mëdyshje morale. Vetëm vula e pushtetit dhe nënshkrimet e atyre që e ndërtuan terrorin si metodë qeverisjeje.

Pas arrestimit, Dom Lazër Shantoja u shkatërrua fizikisht, u gjymtua prej torturave ekstreme të xhelatëve të diktaturës. Torturat çnjerëzore që iu ushtruan e nxorën përtej kufijve të imagjinatës: krahë të thyer, eshtra të sharruar, trup i gjymtuar që zvarritej mbi bërryla e gjunjë. Regjimi e dinte se kishte përballë jo një armik të armatosur, por një simbol: një klerik, një zë kulture dhe besimi, një figurë që duhej shembur publikisht për të mbjellë frikë.

Edhe në atë gjendje, terrori nuk mjaftoi. Xhelatët e kuq e thirrën të ëmën për ta parë të birin, në një nga aktet më të ulëta të dhunës psikologjike që njeh historia e burgjeve komuniste. Lutja e nënës: “Vriteni, kini mëshirë për të” – ishte klithma e fundit e një nëne të shkatërruar dhe dëshmia më e fortë e çnjerëzores.

Pushkatimi i Dom Lazër Shantojës në fushat e shkreta të Tiranës dhe zhdukja e trupit të tij në një gropë pa emër, pa kryq, pa shenjë, mbylli një kapitull tragjik të jetës së një prifti, por hapi një kapitull turpi për shtetin që po lindte mbi gjak. Tri telegrame mjaftuan për ta vrarë fizikisht; dokumentet sot mjaftojnë për ta dënuar historikisht regjimin që e urdhëroi.

Kujto.al sjell tri telegrame të gjetura në arkiv, të cilat rrëfejnë krimin shtetëror në nivelet më të larta:

 

Telegram 1 (në foton kryesore)
“1 shkurt 1945
Mehmet Shehut, Shkodër.
Don Lazër Shantoja dhe Sulçe Begu (Bushati) duhet të dërgohen këtu stop. Çështje e tyre është e lidhur me gjithë punën e tradhtis dhe çështjen e tyre kuptojmë kështu dhe ashtu duhet ta kuptosh dhe ti.
Gjeneral kolonel Enver Hoxha”

 

Telegram 2 blank
“10 shkurt 1945
Korpit 3 Gjykatës Ushtarake Shkodër
Gjegje shkresës nr.5 d.2 frur 1945. Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Dom Lazër Shantojas dhe Sulçe Beg Bushatit stop. Na lajmoni datën e ekzekutimit.
Enver Hoxha”

 

Telegram 3blank
“19 shkurt 1945
Mehmet Shehut
Gjegje telit nr.17 dt.17 shkurt 1945. Personat për internim i nisni këtu. Sulçe Begu e Don Lazëri u ekzekutuan.
Gjeneral Spiro Mojsiu”

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here