Trauma e një 22-vjeçareje/“Flisja me vete në rrugë: Nuk e ndaj, nuk e ndaj”

0
317
blank

Mund të mos jenë në listat e të përndjekurve politikë, por edhe ato kanë qenë viktima si bashkëshortët e tyre të burgosur. Pas dënimit të burrave, detyroheshin të bënin punët më të rënda, të rrisnin të vetme fëmijët e të përshkonin kilometra të tërë, në vapë e acar, drejt kampeve e burgjeve, duke duruar ftohtësinë e familjarëve e miqve të dikurshëm dhe përçmimin e zyrtarëve që kishin në dorë fatin e tyre. Kjo është historia e Sofika Carës, shkruar prej vetë asaj në librin “Të falësh…Fisi i vjetër kavajas-Cara”, nga kujto.al sjell disa nga pjesët kryesore që përshkruajnë vuajtjet e kësaj gruaje, që kur ishte 22 vjeç dhe shtatzënë me fëmijën e dytë, i dënuan bashkëshortin me 15 vjet burg.

Nga Sofika Cara 

Akuza e parë

(gjyqi në lagje i Bardhi Carës)

…U ngjita shpejt në ballkonin ku ishin personat e gjykimit të burrit tim. Ia fillova të flisja për Bardhin, qe e kishin lënë pa punë e që ishim pa bukë në shtëpi. Hetuesi, i skuqur flakë në fytyrë, ma preu fjalën duke më bërtitur dhe nuk më la të vazhdoja.-Ulu, ulu, shoqe!-më foli me ton urdhërues.-Ulu poshtë e mos fol më! Unë mendova se do të shtoje ndonjë gjë tjetër për t’i treguar vendin këtij armiku! Në radhë të parë, ai është armik, në radhë të dytë, ty me dy fëmijët donte të braktiste (një nga akuzat e rreme për Bardhi Carën ishte se donte të arratisej te i ati, në Australi-shënim i kujto.al), atë që ke dhe tjetrin që po të vjen në jetë! Ti je shumë e re, 22 vjeçe, jetën e ke përpara, tashti duhej të kërkoje ndarjen nga ky. Ik, ik, mos fol më! Ta dish, se një ditë do të pendohesh për këtë gabim të madh që po bën, që po i del në mbrojtje  një armiku të partisë sonë, i cili nuk të ka dashur dhe nuk ka menduar për ty e fëmijët e tu! Mos fol më, ik!

…O Zot, të qofsha falë, nuk e di si më mbrojte, që nuk më doli fëmija nga barku ato ditë! Isha në muajin e tetë të shtatzënisë; kur po prisja gëzimin e lindjes së fëmijës së dytë, prita hidhërimin e madh të fatit të burrit, që po e dënonin si armik! Kur zbrita nga shkallët, kisha marrë çehren e verdhë të një të vdekuri.

…Aty pashë një polic, që po bisedonte me një grua, e cila ishte shefe kuadri në NSHN, kuptohet ishte komuniste dhe e kishte burrin ushtarak, komisar, nga Tepelena. Ajo nuk ishte banore e lagjes sonë, ishte nga lagjja “Konferenca e Pezës”. Shefja e kuadrit, ashtu siç pritej, u tregua shumë e gatshme të kryente detyrën që i dha polici, menjëherë u ngjit lart te shkallët, në ballkon dhe ia filloi si papagall, siç ia kishin mësuar mësimin të tjerët. Ajo foli gjithë servilizëm për ato që bën partia dhe shoku Enver për popullin e, pasi e shau Bardhin si një rrugaçe, tha:

-Unë jam grua dhe po të vepronte burri im kështu si ky, ju betohem, për idealin e partisë, do të isha unë e para që do ta denoncoja, do t’i jepja dënimin më të rëndë dhe do ta ndaja! Ajo e mbylli fjalimin e saj me këto fjalë: Propozoj që të merret masë edhe për të shoqen e tij, sepse edhe ajo ka qenë bashkëpunëtore me burrin! Kësaj shoqes i ka ardhur mirë, që burri t’i arratisej jashtë shtetit, sepse jeta atje bëhet më e mirë se këtu, dhe ai do t’i dërgonte dollar, prandaj e mbron burrin ajo.

Unë isha 22 vjeçe, po bëhesha nënë me dy fëmijë, kurrë nuk do ta çoja ndër mend të më ikte burri! Ne ishim vetëm burrë e grua dhe nuk jetonim dot pa njëri-tjetrin. Në fakt, ajo shefja komuniste ra vetë në grackë, duk bërbër vetë “agjitacion dhe propagadnë”, kur tha se “jeta jashtë shtetit bëhet më e mirë se këtu”… vetë “agjitacion dhe propagadnë”, kur tha se “jeta jashtë shtetit bëhet më e mirë se këtu”…

Pasojat e dënimit

(Bardhi u dënua me 15 vjet burg. Gjatë kohës që atij i zhvillohej hetuesia, Sofika lindi fëmijën e dytë, një vajzë shënim i kujto.al)

blank
Sofika me nxenesit e saj te klases se katert. Ne foton kryesore, kur ishte mesuese ne Ferras

Qeveria komuniste e Enver Hoxhës përdorte presione e premtime të shumta, për të imponuar vullnetin, që t’i dorëzoheshe…Këto presione nisën fill pas dënimit të burrit tim, duke më kërkuar me ngulm që ta ndaja. Më çuan të punoja te duhani, por edhe aty iu duk punë e privilegjuar. Më larguan prej aty! Të mendosh që isha 22-23 vjeçe, me dy fëmijë të vegjël; duhej çdo ditë të shkoja të punoja në kooperativë bujqësore, 4-5 orë larg shtëpisë (në atë kohë ishte ligji të shkoje çdo 3 orë te fëmija, derisa të bëhej 1 vjeçe)! Me gjithë këto vështirësi që po më sillnin, ata nuk hoqën dorë nga presionet për të më ndarë nga burri. Në ndërmarrje kishim një shefe kuadri, “shoqen” Marika Leka, kurse nga komiteti i qytetit ishte kryetare një farë Kristina Aleksi. Të dyja më ishin qepur e s’më ndaheshin, kohë pas kohe. Kështu, erdhi një çast, kur kalova në depresion. Kur më lajmëronin të shkoja në komitet, m’u bë fiksim të flisja me vete, duke mërmëritur “Nuk e ndaj, nuk e ndaj!”, duke ecur në rrugë.

Një herë tjetër më thonë që më kërkon kryetarja e komitetit. U nisa për atje; për të shkuar te godina e komitetit ndodheshin dy rrugë paralele, ku njëra të çonte te porta e fushës së sportit, tjetra te komitetit. Mirëpo isha hutuar krejt dhe gabimisht mora rrugën drejt fushës së sportit. Ecja dhe sytë dritë nuk më bënin, nuk pashë fare që kisha arritur te porta e hekurit, e cila ishte e mbyllur. Vetëm u shkunda kur i rashë hekurit me kokë e ndjeva shumë dhimbje, sepse isha me nxitim, se mos po më kalonte ora kur do më priste kryetarja. Atëherë erdha në vete…Në ballë, nga goditja m'u bë një gungë e madhe. Nuk shkova atë ditë në komitet.

…Të nesërmen, kur shkova në punë, shefja e kuadrit më shigjetoi me sy e më tha: -Po ti përse nuk shkove te kryetarja dje?

Unë ia tregova ngatërresën e rrugëve, por ajo as që ma vari fare.-Shko sot në orë 10 se të pret kryetarja!

Në orën 10 u nisa të shkoja në komitet, por përsëri e ngatërrova rrugën dhe mora atë që të çonte për në Tiranë. Kisha arrtiur tek ura e Sheqit në të dalë të Fierit. Për fatin tim të mirë, se kush e di ku do të kisha shkuar, disa fqinj, bashkë me ta edhe babai im, kishin zënë radhë për të blerë domate. Tek ura e Sheqit ka qenë një barakë, ferma e Sheqit prodhonte domate për eksport, aty bëhej seleksionimi dhe ato kokrra që ishin jashtë standardit i binin aty dhe i shisnin për njerëzit. Më përpara merrnin punonjësit që punonin aty, pastaj shkonin edhe nga qyteti. Radha duhej të zihej nga ora 12 e natës, zgjatej e zgjatej në mëngjes, kurse shitja e tyre bëhej në orën një apo dy të drekës!

Njëra prej komshijeve si duket më njohu e i tha babait tim me zë të ulët, duke i treguar me kokë nga unë: - O Petro! Shiko pak Sofijen tënde, se diçka po flet me vete…Pyete një herë se ku po shkon.

Kishim gjashtë vjet pa folur, që kur mora Bardhin për burrë (për arsyen se ai i përkiste një familje nacionaliste dhe e kishte babanë të arratisur-shënim i kujto.al) dhe arrestimi i tij bëri që të gjithë njerëzit e mi, kur më shihnin, të ndërronin rrugën, kishin frikë, ruheshin nga unë, sepse isha e infektuar nga sëmundja e lebrozës (lufta e klasave). Arsyetoja e u jepja të drejtë në heshtje, ndonëse më vriste në shpirt qëndrimi i tyre, por nuk doja t’u bëja keq atyre njerëzve.

Babai m’u afrua me ndrojtje, më zuri nga krahu e më tha:

-Sofije, moj bijë! Ku po shkon kështu?

Unë, si u largova pak nga ai, si të ishte i huaj për mua, i thashë:

-Mos më prek mua! Shko prek çupën tënde! Në komitet, te Kristina po shkoj!

-Po nuk është këtej Kristina, moj bijë! Ke gabuar rrugën!- më tha ai me ton gati vajtues.

-Po ku është?- e pyeta unë e nervozuar.-Nuk e ndaj jo, nuk e ndaj!

-Jo, jo, qetësohu, bijë, nuk do ta ndash! Qetësohu!-më foli im atë sypërlotur, se, duke më parë në atë gjendje, vetë ai e diti se çfarë ndjeu. Të tjerët aty më shikonin në heshtje e me keqardhje. Lotët e babait rrëshqitën nga sytë e u shpërndanë nëpër faqet e fishkura. Më pyeti me zë të dridhur:

-Ku e ke vrarë ballin? Jam babai yt, dëgjon? Hajde të çoj unë te Kristina.

E bindur, s’di se si, shkova pas babait si manare (pa u kujtuar që ai njeri ishte babai im). Ai më çoi në shtëpinë e tij, nga që shtëpia e prindërve të mi ishte më afër, rreth 20-25 minuta larg nga ura e Sheqit, kurse e imja ishte shumë larg.

…Pas gjashtë vjet e gjysmë, ja ku kisha hyrë në shtëpinë e prindërve, ku kisha lindur e u bëra gjashtëmbëdhjetë vjeçe! Por kisha hyrë në atë derë pa vetëdije, si e huaj, gjithmonë me mendimin se isha futur në komitet. Mendja ime nuk funksionote mirë, isha bërë skllave e fiksimeve. Merrni vesh, apo jo?! Nuk njoha prindërit e mi, që t’i përqafoja! Gjendja ime shëndetësore nuk ishte aspak e mirë. Po mbyetesha në dallgët e fiksimeve, që më shfaqeshin orë e çast, vend e pa vend. Kunati im më çoi te mjeku i ndërmarrjes, i cili më dha tre e nga tre, deri në nëntë ditë, pushim. Më pas dhjetë ditë m’i dha komisioni, me rekomandimin për te neurologu. Fieri atëherë nuk kishte neurolog, kështu që na duhej të shkonim në Vlorë.

Spitali psikiatrik

Të nesërmen u nisëm e shkuam në Vlorë me kunatin dhe, kur mbërritëm, në spital, kunati çuditërisht më kërkoi leje e hyri i pari te mjeku. Më pas më thirrën mua për vizitë. Doktori ishte mesoburrë, i qetë, e nisi të bëjë disa pyetje…

Si përfundim, mjeku neurolog më dha tre muaj pushim. Ishte korriku i vitit 1967. Mbarova pushimin tremuajsh e fillova punë, disi më e qetësuar. Por prapë filluan ngacmimet, thirrjet, provokimet e unë u hallakata prapë. Kunati më çoi përsëri te mjeku i ndërmarrjes, ku mora tri herë tri ditë pushim. Më pas 10 ditë të tjera e më dhanë prapë rekomandim për tek neurologu. Atyre të spitalit u vinte shumë keq për mua dhe donin të më ndihmonin. Këtë herë, kunati më çoi në Durrës, tek doktor Vokopola, në shtator të ’67-ës. Ky, pasi bëri vizitën, më dha tre muaj pushime prapë, ilaçe e i tha kunatit: “Le të pijë nga tri, katër ose pesë cigare në ditë”…

Me ne ishte dhe goca e tezes së Bardhit…Zimja, kështu quhej ajo, ishte shumë e dashur…Kur po shkonim në shtëpinë e saj e kaluam afër një dyqani, ajo shpejt hyri brenda dhe bleu një stekë cigaresh "Partizani" që ishin të modës në atë kohë. Sapo zbritëm e hymë në shtëpinë e saj, Zimja hapi një paketë dhe tha fare çiltër:

-Ta ndezim nga një edhe ne për qejfin tonë!-dhe më zgjati mua një cigare. Një e ndezi vetë (as ajo nuk e pinte cigaren), por unë e kuptova që këtë veprim e bëri për mua. Po më vinte turp në atë situatë e kundërshtova:

-Jo, jo, nuk e pi.

-E di që nuk e pi, por do ta pimë nga një bashkë!-ajo këmbënguli shumë dhe e ndezëm. Tamam si macja që pi uthull! Në moshën 22-vjeçare kisha filluar cigaren!

Shënim: Marrë nga libri “Të falësh…Fisi i vjetër kavajas-Cara” i Sofika Cara (Priftit), botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë 2014.

Vazhdimi i historisë është publikuar në vijim.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here