Torturat e Sigurimit në Gjirokastër e Tepelenë: Kemi vepruar gabim, udhëzimi ishte vetëm për Veriun

0
762
blank

Dokumenti që zbulon rrahjet dhe torturat  e përdorura gjerësisht nga Sigurimi i Shtetit mes njerëzve të pafajshëm si presion për të dorëzuar armët, por edhe udhëzimin e krerëve të regjimit për t’i përdorur torturat në Malësinë e Veriut…

Një ngjarje e rëndë që kishte tronditur një varg fshatrash të Gjirokastrës dhe Tepelenës, ishte bërë shkak për të diskutuar gjerësisht në rangjet e partisë për metodat e dhunshme që po përdorte Sigurimi i Shtetit sipas udhëzimeve të Ministrisë së Brendshme ndaj popullsisë në fushatën e mbledhjes së armëve. Ngjarja ishte raportuar fillimisht nga disa fshatarë të cilët pasi ishin rrahur e torturuar për vdekje kishin shkuar të protestonin në instancat e larta partiake në Gjirokastër e duke kërcënuar se do të shkonin deri në Tiranë. Ngjarja ishte hetuar nga përfaqësuesit partiakë dhe në një raport të datës 27 tetor 1946, disa ditë pas ngjarjes i bëhej një raport mbi atë ngjarje Komitetit Qendror të Partisë. Në raport shkruhej:

“Pas mbledhjes që kanë pasur përgjegjësat e seksionevet të Brendëshme në Tiranë, ku është shtruar nër të tjerat edhe ç’ështija e çarmatimit, përgjegjësi seksionit të brendshëm të Prefekturës Shoku Abaz Laze ka mbledhur një sasi oficerash të policisë dhe u ka shtruar metodat që do të përdornin në lidhje me çarmatimin e veçanërishtë në zonat që nuk janë të lidhura sa duhet me ne. Simbas thënijevet të Përgjegjësit të seksionit të brendshëm në Tiranë është shtruar se mund të përdoren edhe tortura në raste se do të ketë shumë rezistencë në nonjë fshat për dorëzimin e armëve dhe se mund të harihet edhe në pushkatim në vend, duke pasur gjithmonë parasysh që t’a vlejë dhe se nga një akt i till ne do të kishim më tepër përfitim se sa humbije. Këtë metodë u a ka shtruar Përgjegjësi seksionit të brendshëm edhe oficeravet që dërgoi për të bërë çarmatimin në zona të ndryshme. Këtë ata e kanë marë kallëp dhe kanë shkuar e kanë vepruar. Në mënyrë të veçantë e kanë keq kuptuar këtë disa nga oficerët, ai që ishte dërguar në Lazarat e Fush-Bardhë, ai q’ishte dërguar në Tepelenë, në Këlcyrë dhe më pak ai në Libohovë”.

Më tej në atë raport jepeshin edhe disa për torturave që ju ishin bërë fshatarëve të Fushë Bardhës.

“Më keq është shtruar ç’ështija në Fush-Bardhë. Atje oficeri i dërguar ka grumbulluar popullin në shkollë të fshatit u ka marë dekllarata ku të vërtetonin se nuk kishin armë; është arrestuar më von Kryetari i Këshillit të fshatit Neshat Çarçani i cili pandehej të kishte revolver dhe automatik por që nuk kishte nonjë fakt në se i kishte këto ose jo. Ky është kapur dhe rahur shumë. Pas këtij janë marë 50 bura të tjerë në shkollë dhe u janë hequr sherqet, kjo për t’i frikësuar dhe gjoja për t’i rahur, ndër këta disa kanë ngrënë nga nonjë pëllëmbë dhe prej tyre janë mbajtur 16 veta të cilët janë rahur në mënyrë të keqe e para pse janë rahur në mënyr të bujshëme e përpara të tjerëvet dhe e dyta pse janë rahur shumë aq sa u janë fryrë këmbët...

…Fshatarët e rahur shumë të hypur në kafshë kanë ardhur në qytet për t’u ankuar para autoritetevet dhe kanë kërkuar që të vinin në Tiranë. Është takuar me ta Kryetari Komitetit Ekzekutiv dhe prokurori i qarkut, ata që ishin shumë rahur u dërguan në Spital për mjekime dhe pjesa tjetër mbasi u fol ca me ta u kthyen përsëri në fshat…”

Pas këtij raporti Sekretari i Komitetit të Gjirokastrës, Mihal Bisha, dërgon në Komitetin Qendror në Tiranë një tjetër shkresë ku propozon që të merren masa ndaj oficerëve të Sigurimit në mënyrë që të kenë se si të bëjnë punë bindëse në këto fshatra. Shkresa e dytë, ku zbulohet fakti se për fushatën e dhënë ishin dhënë instruksionet në Ministrinë e Brendshme, duket mes dokumenteve të fondit të partisë në AQSH dhe Kujto.al e sjell të plotë si më poshtë:

Gjinokastër, 18.12.1946

Komitetit Qendror të PKSH

Tiranë

Në lidhje me shkresën tonë nr.973 datë 27/XI/46 ju njoftojmë sa më poshtë:

Në mbledhjen e fundit që pati Komiteti qarkor studioi edhe një herë çështjen e  çarmatimit dhe metodat që ishin përdorur në lidhje me këtë veprim.

Siç është përmendur edhe në raportin e parë mënyra e procedimit në çarmatim nuk ka qenë e drejtë mbasi janë bërë rrahje e tortura të pavend e të tepërta.

Në mënyrë më të paligjshme është vepruar në Fushë bardhë të N/prefekturës së Qendrës. Mbasi u studiua një nga një mënyrat e procedimit në çdo krahinë u shtrua kujdesi dhe puna e madhe që duhet bërë nga ana e organizatës  në këto vende për të vënë në vend gabimin e bërë me rastin e çarmatimit.

Mbasi u studiua çeshtja u vendos  që ti jipesh dënimi respektiv çdo shoku për gabimet e bëra.

1-      Shokut Abaz Laze anëtar i komitetit qarkor dhe përgjegjës i seksionit të brendshëm  t’i hiqet një vërejtje e rëndë duke shënuar dhe në biografinë e tij për këto arsye:

Mbasi shoku ka marrë kallëp mënyra si u shtrua në mbledhjen pranë Ministrisë së brendshme dhe nuk ka ditur tua përshtasë konditave të qarkut tonë megjithëse u këshillua nga shokët e qarkorit dhe ju spjegua se na nuk jemi në konditat e Malsive të veriut.

Mbasi shoku nuk ka skjaruar mirë oficerët që ka dërguar nëpër krahina, duke ditur se këta ishin element të ulët dhe që për sjellje jo korrekte dhe arrogante karshi popullit ishin mbajtur në dispozicion të policisë dhe ishin lënë jashtë kuadrit të ri.

Mbasi nuk ka kontrolluar punën e shokëve dhe nuk i ka qëndruar punës në krye, megjithëse edhe në Tiranë edhe këtu ju spjegua rëndësija e madhe e këtij veprimi.

Mbasi edhe ku i është vënë në dukje mënyra e keqe e veprimit në Fushë bardhë  nuk ka dërguar menjëherë oficerë të t’aftë ose të kishte shkuar edhe vetë për ta korrigjuar shpejt e në vend gabimin.

2-      Shoku Petrit Karkanaqe për veprimet e paligjshme, për rrahjet dhe torturat, për provokacionet që donte të bënte siç u është raportuar edhe në raportin e mëparshëm propozohet përjashtimi i tij nga partia, të propozohet të zhvishet nga funksioni si oficer.

3-      Për Zenel Bellon si u është raportuar edhe në raporte të  veçanta për qendrime te tij të dobëta propozohet përjashtimi i tij nga partia për një kohë të pazaktuar dhe  njëkohësisht t’urdhërohesh të largohej nga katundi i tija meqë qëndrimi i tij atje do na vështirësonte punën tonë për skiarimin e atyre  masavet. Për këtë u mjaftuam me kaq meqë puna e tij e deritanishme ka qenë e mirë dhe pse në këtë gabim ka rënë nga niveli i tij i ulët dhe duke pasur bashkëpunëtor një oficer si Petriti.

blank

Për këta dy të fundit u mendua që mbasi të ktheheshin shokët që i kishte thirrur Ministrija e brendshme si dhe të shikohej çështja edhe atje  dhe të propozohej edhe procedimi i tyre.

Për Dine Merçanin anëtar partije në organizatën e N/prefekturës qendrës anëtar i thjeshtë në celulën e Kardhiqit u vendos ti hiqet një vërejtje mbasi edhe ky nuk ka mbajtur qëndrim të mirë në kohën e çarmatimit.

P.Komitetin Qarkor

Mihal Bisha

Firma

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here