Tingulli i heshtjes, dënimi i tenorit dhe pritja e pianistes

0
2042
blank

Interpretoi në shumë opera derisa u detyrua të kthehej në skllav në operën pa muzikë që diktatura përgatiti për të. Historia e dënimit të tenorit dhe skenografit, Stavri Rafaeli, por edhe pianistes hungareze që e priti për 15 vite duke mos e braktisur për asnjë çast bashkëshortin e saj

Shqipëria krenohet me disa nga artistët e saj operistikë, fama e të cilëve, është shpërpjestimore me përmasat e atdheut të tyre, por ka qenë një kohë, jo dhe aq e largët, kur këtyre artistëve, Shqipëria, jo vetëm ua ndalonte mundësitë që iu ofroheshin në skenat botërore, por i mbyllte në burgje dhe i shndërronte në skllevër pune të rëndë. Vendi ynë bëhej me një artist të madh më pak dhe me një të burgosur më shumë dhe duartrokitja e këtij vendimi mbyllte përfundimisht karrierën e artistit që kish dëgjuar deri në atë kohë ovacionet e teatrove më të njohura. Një përmbysje të tillë ka pësuar dhe jeta dhe karriera e Stavri Rafaelit, i cili duhet t’i kujtonte thuajse çdo shqiptari tenorin dhe skenografin e talentuar të operës shqiptare, por që, për shkak të goditjes që mori në vitin 1963 pas së cilës arti dhe emri i tij u censurua, tashmë ai përmendet vetëm si artisti që nga skenat botërore përfundoi në burgjet e komunizmit.

blank
Gjate operes Madama Butterfly

Stavri Rafaeli, ka dhënë në 2010-ën, një vit para se të ndërronte jetë, një intervistë për Pandi Laçon dhe programin “Histori me zhurmues”, ku ka përmbledhur historinë e jetës së tij të pazakontë, të cilën e gjen edhe në disa shkrime që janë botuar në media gjatë këtyre viteve, por ajo që nuk gjen në këto shkrime dhe që sheh në atë intervistë televizive, është një 87-vjeçar me çiltërsi fëminore që e trajton me thjeshtësinë më të madhe gjenialitetin e tij artistik dhe që kur flet për vuajtjet, tregon se, më shumë sesa vitet e burgut e ka plagosur humbja e bashkëshortes, pianistes hungareze, Maria Rafaeli, e cila ndërroi jetë pesë vite para bashkëshortit.

Ishte ajo që ia bëri disi më të lehta vuajtjet e burgut, ku e vizitonte çdo muaj kudo që e çuan, pa iu bindur kërkesës së tij fillestare: Maria mos më prit. “Një herë në 15 ditë vinte nëna, një herë në 15 ditë Maria”, ka thënë ai. Ishte ajo që, siç ka thënë Stavri, e bëri thuajse t’i harronte vuajtjet në vitet pasi doli nga burgu. Jo se ato vuajtje ishin të vogla. Tenori dhe skenografi ka treguar se në fillim punoi në bibliotekën e burgut ku vizatonte parrulla, por pasi nuk pranoi të bashkëpunonte me Sigurimin e dërguan në kampe pune të rëndë. Punonte në ndërtim në kampin e Laçit; i zhytur deri në brez apo gjoks, në kënetën e Vlorës; në miniera, në Laç, ku pikat e piritit nëse të binin mbi trup, të gërryenin lëkurën. Aq më tepër që ai u fut në burg me dhimbjen e pushkatimit të të vëllait të cilit, si ushtarak që ishte, nuk ia falën tentativën për arratisje. Pasi u spiunuan, ata u kapën. 7 veta dolën para gjyqit. Thoma Rafaelin e pushkatuan, bashkë me Trifon Xhagjikën, i cili sipas Stavrit nuk mori pjesë në arratisje, Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon i dënuan me 25 vjet, ndërsa Stavri Rafaelin me 15, edhe pse as ai, as Fadil Kokomani nuk arritën të shkonin në vendin e arratisjes. Ato vuajtje nuk ishin kurrsesi të vogla, por ishte e madhe forca që i jepte dashuria e asaj gruaje fisnike që zgjodhi të vuante bashkë me të dhe që diktatura nuk mundi t’ia merrte.

Ata ishin njohur në Budapest, ku Maria kishte shoqëruar Stavrin gjatë një koncerti dhe pas një korrespondence të gjatë, ajo kishte vendosur të vinte në Shqipëri, ku u martuan. Ai nuk u nda me të kur martesat me shtetas të huaj po prisheshin dhe as ajo nuk u nda me të kur ai u dënua me 15 vite burg edhe pse jeta e saj do bëhej e vështirë. Nga pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve e çuan në Fier, bashkë me djalin e vogël, Adin, ku edhe pse ishte e vetmja pianiste e kualifikuar, herë e vinin në punë në Estradë dhe në shkollën e muzikës dhe herë e hiqnin. E megjithatë ajo rezistoi duke mos e humbur për asnjë çast qëndrimin e saj fisnik, duke detyruar, në fund, të mirë e të ligj, siç thotë Pëllumb Kulla, ta respektonin në atë qytet ku në vitin 2001 i dhanë titullin “Qytetare Nderi”. Për të marrë çmimin në atë kohë, ajo erdhi nga Hungaria, ku kishte shkuar të jetonte pas viteve ’90, me Stavrin, djalin dhe vajzën që u lindi pasi Stavri doli nga burgu, si një festë për jetën dhe familjen që diktatura nuk mundi ta shkatërrojë.

blank

Në intervistën e vitit 2010, Stavri Rafaeli ka treguar që nuk e dinte ku e kishte shtëpinë, kur doli nga burgu. Marian nuk e kishin lënë ta priste. Ai mori trenin për në Fier dhe më pas pyeti banorët ku ndodhej rruga e shtëpisë së tij. Më pas e caktuan në ndërmarrjen pyjore dhe i dhanë kazmën për të punuar. Bëri punë krahu deri sa doli në pension. Dënimi i tij vazhdonte ende edhe pse kishte dalë nga burgu.

Tashmë pak e dinin që ai burrë i moshuar kishte shkëlqyer si skenograf dhe si tenor në Pragë, ku u diplomua shkëlqyeshëm në të dyja degët dhe ku ngriti në këmbë komisionin e pranimit në degën e kantos; që kishte bërë stazhin në Teatrin Balshoi, ku i propozuan të interpretonte edhe në shfaqje premierë, për të cilën Ambasada Shqiptare në Moskë nuk i dha lejë; që kishte ngritur në këmbë publikun e Festivalit të Rinisë Studentore në Vjenë ku kishte marrë çmim të dytë dhe kishte mahnitur publikun e disa vendeve aziatike, ku mediat e cilësuan “solisti shqiptar me dhunti të jashtëzakonshme”.

blank

blank

Pak e dinin që kishte qenë në skenat shqiptare dhe botërore Knjazi te “Rusalka”, Alfredo te “La Traviata”, Duka te “Rigoletto”, Pinkertoni te “Madama Butterfly”, Almaviva te “Berberi i Seviljes” dhe skenograf i disa shfaqjeve të TKOB, si “Evgjeni Onjegin”; apo i skenave nga operat “Dasma e Figaros”, “Il trovatore”; “Mrika”; “Lulja e kujtimit”; baleti “Lola” etj.. Por Maria e dinte mirë. Për të ai ishte jo vetëm artisti i madh, por edhe djali i çiltër me sy blu që nuk do të ndryshonte kurrë. Një artist që vendi i tij e dënoi, por dashuria e një gruaje të huaj e mbajti në jetë.

a.çano/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here