Rrëfimi për historitë e burgut të Spaçit, hedhja në telat me gjemba dhe hapja e tuneleve
Telat me gjemba që rrethonin burgjet dhe kampet e diktaturës, përshkoheshin nga rryma elektrike dhe nëse prekej, do të jepte menjëherë një sinjal, pas të cilit ushtari qëllonte pa paralajmërim. Rrethimi i telave me gjemba ishte vendi ku kishin tentuar vetëvrasje në disa raste të burgosurit politikë.
“Alem Luzi nga Vlora. Di që kaloi telat, dhe ushtari e ka qëlluar. Ka thyer këmbën dhe e morën dhe e kuruan. Ishte i ri”, rrëfen Agim Akcani. Ai e kujton dramën e këtij akti që kishte ndodhur edhe herë të tjera dhe përpjekjet e dëshpëruara të të burgosurve për t’u arratisur nga qelitë e egra të diktaturës.
“Nëse tentoje të kaloje telat, ishte vetëvrasje e sigurt. Kjo do të thoshte që dëshpërimi kishte arritur kulmin. Por ka pasur edhe të tjerë që kanë dalë nga kampi për t’u arratisur dhe ia kanë dalë. Ka qenë njëri nga qyteti i Lezhës, që ka dalë nga kampi pa e marrë vesh askush.
Është futur poshtë telave dhe ka dalë. Ishte mëngjes. Ushtari, me sa duket, nuk e ka vënë re, sepse kishte qenë i hutuar, duke lexuar ashtu i përmalluar një letër që i kishte ardhur nga familja. Ky ka kaluar poshtë kabinës së ushtarit. Dhe shiko se sa interesante është se çfarë ka bërë mbrapa: ka ikur nga kampi i Spaçit dhe ka shkuar e është dorëzuar në kampin e Qafë-Barit. U dorëzua vetë, se nuk kishte nga të shkonte.
Më duket se nuk e dënuan, se kishte dënim të plotë; s’kishin ç’të dënonin më. Thjesht e kthyen prapë në Spaç. Ka ndodhur edhe kështu, raste të rralla sigurisht”, rrëfen Akcani.
Të tjera mënyra të tentativave të të burgosurve për t’u arratisur ishin përpjekja për të bërë tunele nga galeritë. “Dy veta, mbasi bënë normën, arritën të hapnin një vrimë në galeri dhe kanë dalë nga galeria. I rezervonin gjysmë ore çdo ditë, hapjes së një vrime për t’u arratisur. Gati arritën afër kufirit për të dalë në Jugosllavi. Atë kohë, ishte sezon fiqsh. Nga uria gjetën dhe u ndalën në një vend ku kishte fiq. Pasi hëngrën mirë fiq, vazhduan rrugën, por njërit prej tyre, i plasi stomaku. Tjetri që ishte mirë, e mori në shpinë të burgosurin tjetër me stomak të plasur, gjë që imagjinohet, ishte shumë e vështirë. Si pasojë, i kapën ushtarët e kufirit, dhe personin që e mbajti në shpinë, shokun, e dënuan me vdekje, ndërsa tjetrin e kthyen në burg dhe është gjallë edhe sot. Emrat nuk mund t’i them. Tentativa ka pasur shpesh, por gjithmonë të dështuara. Por ishte shumë e vështirë, se vihej edhe alarm”, rrëfen Akcani.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.