Të kthehesh gjallë nga Maliqi

0
132
blank

Gjysma njerëzish që mezi mbaheshin në këmbë. Këta ishin të dënuarit e kthyer nga kampi i Vloçishtit, ku, sipas Xhemal Kaloshit, 150 njerëz humbën jetën. Xhemal Kaloshi përshkruan takimet me familjarët që nuk i njihnin të afërmit që ishin shfrytëzuar në tharjen e kënetës së Maliqit, ndërsa këta të fundit pyesnin: "A keni pru bukë?"

Pjesë nga autobiografia e Xhemal Kaloshit

Mbasi autokolona kaloi Elbasanin e po kalonte nëpër Peqin ku ndiheshin qente që lehnin nga zhurma e makinave, kaluan nëpër Rrogozhinë e Kavajë e aty nga ora 2 mbas mes nate autokolona ndaloi përpara burgut e si zbritën të gjithë u liruen nga duart e shkarkuen plackat, u hap porta e hekurt e burgut e të gjithë hynë brenda me gëzim të madh a thue se po ktheheshin në shtëpijat e veta, se shpëtuen edhe nji herë si me pasë lindë për së dyti nga vdekja e sigurtë. Në kampin e Vlocishtit në Maliq vdiqën 150 vetë të burgosur nga mungesa e ushqimit, nga stërmundimi në punë e nga kushtet cnjerzore. Para se të rrjeshtoheshin në oborr të burgosurit silleshin si hije a fantazma dhe u merrshin kambët nga ligshtija e ishin gati me ra përdhe nga shtytja ma e vogël. Por disa nga policët ende dojshin me e tregue shpirt ligësinë e vazhdonin me gjujtë me dru mbi të burgosunit, ashtu si nuk mund të gjuhet as mbi kafshët. Kështu Mirushi po shikonte me mall në dritare të nji dhome ku kish pasë fjetë ma parë e tashti ish bosh, kur pa pritë i krisi druja mbas koke e sa nuk e la në vend e iu suell mendja vërdallë e gati sa nuk shtri përtokë po të mos e kishin mbajtë shokët për krahësh. Si mbaruen apele rrjeshtime e formalitete të tjera ma në fund u caktue me disa shokë të hynte në nji dhomë afër derës së hekurit, e kur u futën brenda rranë të gjithë me mbledhë disa therrmija buke të misrit që kishin lanë të burgosurit ordinerë të larguem dhe ndoshta minjtë i kishin shpërnda sa andej këndej. U ulën ashtu në cimento se nuk i mbanin kambët e placket i kishin lanë jashtë se ishin të mbushuna plot me morra që ju kishin pi gjakun në Maliq. Po rrinin të shtrirë ashtu përtoke e mezi pritshin të vinte mëngjesi e ti sillnin ushqime e ma shumë bukë që të hanin e të shuanin urinë, se nuk po duronin ma.

Të nesërmen në mëngjes sa gdhiu u ngitën e dolën me la sytë, nga ata pak të burgosurit e dikurshëm që patën mbetë në burg nuk i njoftën shokët e tynë që erdhën nga Maliqi aq shumë patën ndryshu për 7 a 8 muaj që qëndruan atje në “punë”, por ma mirë me thanë në vujtje e mundime të pa durueshme e të pa pame e ndigjume ndonjiherë. U hap dera e hekurt, filluan takimet, familjarët nuk i njihnin njerzit e tyne qe takonin, e shkreheshin në vajë kur i shikonin në atë gjendje të mjerueshme që as me folë nuk kishin fuqi e kërkonin buke vetëm bukë, vetëm kjo mund tu përmbushte boshllëkun e stomakut për disa muej rrjesht. Duam bukë, duam bukë, vetëm bukë bërtisnin të gjithë ata që takonin njerzit te dera e hekurt, nuk shikojmë për gjellë të mira, po vetëm të ngopemi se po vdesim urije. E disa te tjerë që i kishin familjet larg e nuk u vinte dot kush shilleshin si hije nëpër salon e kënaqeshin vetëm tue i pa me sy ushqimet që hynin, e falenderonin ata që kishin mëshirë e ju jepnin ndonji copë bukë ose ndonji copë byrek.

Bardhoshja e motra e Mirushit e cila kish mbrritë nga Shijaku që pa zbardh mirë, po kish shumë njerëz e kish pritë gjatë, ajo i kish pru gjithë të mirat të vëllait, byrek me qumësht e tlynë (gjalp), bukë të bleme jashtë me rrush të thatë e pak sheqer e plot ushqime të tjera. Por motra nuk e njofti fare të vëllanë kur i doli në derë, mendoi mos ishte ndonji i huej e nuk po i fliste deri sa i foli ma parë Mirushi. U shkri në vaj ajo, e më pas u mundue me e mbajt veten e filluen me u pyetë e Mirushi mori vesht se të gjithë dashamirët ishin shëndoshë e mirë, u përshëndetën e Bardhoshja i tha se do të vinte të nesërmen e ti sillte ushqime prap e mori dengun e plackave me i djeg se kish pru të tjera nga shtëpija të pastra akull. Iku Bardhoshja e deshpërueme e me lot në sy e ndër faqe tue e shikue të vëllanë në atë gjendje të mjerueshme e gati të mbaruem. E gjithë ajo ditë kaloi tue u ba takime e nuk ndigjohej gja tjetër vetëm “a keni pru bukë” e lloj lloj ushqimesh hynin brenda me bollëk. Avokatit Celkupa i kishin sjellë nji kusi të madhe me trahana dhe ai e kish gëlltitë të gjithën ashtu të ngrohtë e kish dalë në oborr ecte rreth manit se gati po plaste nga e ngrana e tepërt e qante e qeshte tue thanë “ah shyqyr që mbrrina me u ngopë edhe njiherë”. Mbas ardhjes nga Maliqi të të burgosurve sikur u “zbut” puna e nuk ish ajo shtrëngesa e parë e dyert e dhomave liheshin hapur gjithë ditën e qe mirë se të burgosurit e zgropun hanin pa kontroll e duhej me e “vizitu” shpesh tualetin. Dy javët e para mbas ardhjes nga Maliqi ishte dhanë urdhër që të burgosunit lejoheshin të takoheshin për ditë me njerzit e familjes dhe lejohesh që familjarët të sillnin ushqime sa të donin e cfarë të donin, me sa duket e kishin kuptue që kishin ba gabim që i kishin trajtu të burgosunit në mënyrat ma cnjerzore sa ishin shpërfyturu e kthye në kufoma sa mos me i njofte familjarët. Ndiheshin ato ditë lloj lloj historish e të gjithë ishin të gëzuar, se shpëtuam edhe nji herë e lindëm për së dyti. Ende nuk u kish kalue urija e madhe sa ngriheshin edhe në mesnatë e hapnin trastat e varuna mbi kokë plot me ushqim e hanin c’të kishte e mbaronin ushqimet që ishin për nji javë brenda 2 a 3 ditëve, po shyqyr që u sillnin familjarët ushqime përditë e me bollëk. Morrat ende banin punën e tyne megjithëse të gjithë u ndërruan me petka të pastra të ardhuna nga shtëpia e gjithashtu edhe shtresat e mbulesat që kishin pasë në Maliq asnjenit nuk ju lejuanë të futeshin brenda në burg, te gjithë u lanë e u shkrymën në banjën e burgut. U qethën të gjithë me makinë me numër zero, se morrat e kishin ngreh folenë edhe në vetulla, prandaj i gjithë burgu u dizifektu me D.T.T që të cfaroseshin kudo që ishin por me shumë vështërsi po zdukeshin e dilnin faret.

Aq lirshëm po hynin ushqimet sa nisën edhe abuzimet e njerzit filluan me pru edhe raki me pretekstin se kishin pru shishe me levando. Budallalliku mbrriti deri aty sa nji të pasuni kur i prunë shtresat e mbulesat i kishin futë lugë e pirunj florini e kur kontrolli i pa ja ktheu mbrapsht, po të gjithë kush e mori vesht u cuditën e thanë , - po pse a nuk mundet me hangër me lugë të zakonshme Vangjel Manushi si të tjerët. Dalëngadalë filloi prap shtërngesa dhe me u vu në zbatim rregullorja e dyert u mbyllën e gjithshka po kthehej si ma parë. Kishin filluar të fliteshin fjalë të mira e thuhesh se nji shumicë e madh të burgosurish do te faleshin, gjoja kishin punuar “mirë” e kishin “tha” kënetën e Maliqit dhe si gjithmonë do të shqyrtoheshin dokumentat e secilit tue u thirrë në drejtori .

U dha urdhër që të gjithë të burgosurit të banin lutje e të kërkonin falje edhe ata që ishin dënuar randë. Lutjet do të baheshin nga të gjithë të interesuarit ne nji dhomë ku ishte caktuar shkruesi dhe avokati që kompozonte lutjen si mbas ligjeve në fuqi e të gjithë paraqiteshin nji nga nji dhe si thonin arsyjet e dënimit kerkonin edhe lirimin e tyne ose faljen e kohës së mbetun për vuajtjen e dënimit. Ishin tre ata që hartonin lutjen, njeni shkruente tjetri e mbarështronte gramatikisht e sintaksisht dhe i treti avokati shikonte anën ligjore si mbas neneve të kodit penal e në fund kur e kryenin lutjen ia dorzonin të interesuarit e i thonin – Shko, se edhe ty të falëm tani – tue e vue kështu në shpoti se dihesh që lutja ishte sa për formë. Kaluen shumë kohë e falja nuk po bahesh si mbas të thanmeve pritesh mbas vitit të ri. Filloi prap puna e të burgosurnit nxirreshin grupe grupe në punë brenda për brenda në qytet për pastrimin e rrugëve gjithë ditën e u jepnin si ushqim noj languriqe gjellë por kur dilnin jashtë sikur u dilte mërzija megjithese lodheshin shumë. Ma vonë i nxorrën me pastru gropat e zeza dy e nga dy e Mirushit i takoi me punue me profesor Pashko Gjecin, që ishte shumë gjakftohtë e nuk ruhesh fare nga ndynsinat e fekalet e ndyente këpucët me fekale pa farë kujdesi edhe pse Mirushi i bante vrejtje të ruhesh, po ai thonte gjithmonë “ani ska gja tani ma s’na prek asnji sëmundje ne se kemi fitue imunitet e nuk na gjen gja”.

Një ditë Prilli , pikërisht me dt. 29. 04 .1949 kur të gjithë të burgosurit ishin të mbyllun nëpër qeli ra këmbana e të gjitha dyert e qelive u hapen, u dha urdhër që të gjithë të burgosunit të dalin përjashta në oborr e gardjanët i rrjeshtuen e po pritesh të bahej konference thuhesh për nënshkrimin e deklaratës së paqes, kur ndodhi krejt tjetër gja. Në oborrin e burgut hynë oficera madhorë nga Ministrija e Brendëshme e policët nxituen me vendosë tavolinë ne hijen e manit dhe karrika rreth saj. U ba qetësi e madhe e asgja nuk pipëtinte, e ma në fund nji nga oficerat madhorë mori fjalën e tha: - Do të bahet nji amnisti ( falje ) e madhe tue marrë para sysh forcimin e Pushtetit Popullor, punën e madhe dhe të mirë e bame për tharjen e kënetës së Maliqit dhe sjellja e mirë e të burgosurve. Ai nxorri nji seri listash e njoftoi se do të lexonte emrat dhe ata që do të ishin të falun do të ndaheshin në nji anë dhe caktoi vendin prapa manit. Filloi leximi i emravet e u pa se ishin falë shumë e ndër ta edhe të burgosun që kishin qenë dënue me 20 a 30 vjet burg, kishte falje edhe për disa që ishin denue me 101 vjet. Të burgosunit dëgjonin e prisnin me ankth, mbas shumë emnash u lexue emri i Mirushit e ai shkoi në grumbullin e të falurvet.

Mirushit në fakt i kishin mbetë edhe tre muej e gjysëm e mbushte afatin e dënimit. Amnistia qe e madhe edhe ata që nuk dilnin nga burgu u falesh 1/3 ose 2/3 e dënimit, prandaj në nji farë mënyre të gjithë dilnin të përfituar. Të burgosurit që u falesh i gjithë dënimi u lanë jashtë derës së hekurit dhe po prisnin placket që ja banin gati tue ia lidhë deng shokët që kishin mbetë brenda e po ia nxirrnin jashtë policët e gardianët. Ndër të falurit ishte edhe profesor Preng Kacinari i dënuar me 101. Kur po punonin bashkë me Mirushin në Maliq në kanal, Sali Vata përgjegjësi i pat kërcnue se do tu thyente kambët të dyve me lopatë sic ia bani para syve të tyne nji të burgosuni plak që ia këputi kambën me lopatë e la shakull në vend në baltë bri kanalit. Profesori e Mirushi u tërhoqën e u fshehën mbas nji pirgu të madh me baltë dhe shpëtuen për mrekulli e nuk e pësuan si plaku i shkretë fatkeq.

Ndërsa Mirushi priste jashtë përpara burgut dengun e plackave, ndiu që e thërritën në emër, ishte profesor Pipa qe thërriste në dritare brenda hekurave e donte me njoftue profesor Kacinarin të fliste me të e me i dhanë disa porosi pasi të dy ishin të prekun nga turbekulozi e kishin ndejtë gjatë në nji dhomë. Të dy profesorët biseduen e kur erdhi koha me u nda e me i lanë shëndenë profesor Pipës, Mirushit e profesor Prengës u erdhi shumë keq e mbetën të prekun shumë që ai mbeti aty brenda e nuk mund ta shikonin në sy e u shkonin lotët rrkajë.

Mirushit po i linte ushqimet që nji ditë ma parë i kish prue e motra shokut të dhomës L.Hoxha.

blank
Xhemal Kaloshi me bashkëshorten Adije Vrioni Kaloshi, dalë ditën e martesës, korrik 1951

Mirushi i tha ti mbante, megjithëse ishte ky shok qe nuk i dha asnji thërrime bukë misri natën që u kthyen nga Maliqi e ish aq i urishëm sa mblodhën thërrimet e bukës që kishin shpërnda mijtë.

E keshtu Mirushi fitoi lirine dhe u nis per ne shtepi tek familjaret.

 

Shënim: Pjesa është shkëputur me shkurtime nga autobiografia e Xhemal Kaloshit, mundësuar për kujto.al, bashkë me fotot, nga familja e tij.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here