Lindi më më 12 mars 1912, në Krujë. I biri i Mahmut dhe Fatime Kaloshit, Xhemali vinte nga një familje e cila merrej me tregtinë e vajit të ullirit dhe lëkurave dhe me rrënjë trungu familjar nga Dibra. Xhemali mbaroi shkollën për mësuesi dhe ishte njohës i disa gjuhëve të huaja. Ishte libërdashës, volejbollist i talentuar për kohën, intelektual dhe përcillte një kulturë elegante demokratike të frymezuar nga ekspozimi që kishte pasur gjatë udhëtimeve jashtë Shqipërisë dhe nga vetë familja e tij. Prej 9 marsit 1947 deri më 27 prill 1949, Xhemali vuajti dënim shumë të rëndë në burg për motive politike, i cili pati pasoja për shëndetin. Pas daljes nga burgu, me një shëndet tepër të dobët prej torturave të disa llojeve, internohet/dëbohet në fshatrat e Beratit ku njihet me Adije Vrionin, vajzë dhe mbesë e familjes Vrioni. Së bashku me Adijen, zhvendosen në disa fshatra të Shqipërisë së mesme, ku më në fund vendosen në Fushë-Krujë. Përveç mësimdhënies, Xhemali ishte dhe trajner volejbolli në shkollat fillore ku jepte mësim. Krenaria e tij ishin pesë fëmijët të cilët, së bashku me Adijen, arritën t’i nxirrnin me shkollë të lartë megjithë vështirësitë tej mase të mëdha dhe jo pak pengesave. Xhemali ndërroi jetë në Fushë - Krujë më 31 gusht 1982. Ai arriti të bëhej dy herë gjysh para se të ndërronte jetë nga një sëmundje e rëndë ku torturat e burgut patën kontributin e tyre në dobësimin e parakohshëm të shëndetit.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist IV (Tiranë: ISKK, 2015), 137
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.