Takimi, pas 32 viteve, i dy burrave që humbën rininë në Qafë-Bari

2
1008
blank

Altin Gjuzi dhe Gjergj Hani ishin të dënuarit më të vegjël të kampit të riedukimit në Qafë Bari, ku futeshin të dënuarit politikë nga regjimi komunist.
Takimi pas 32 vitesh i djemve që ndanë kotheren e fundit të bukës bashkë...

Nga Blerina Gjoka/ Qafë Bari, 22 Maj 2019

Dy burra rreth të 50-ave, njëri nga Durrësi, tjetri nga Tirana, takohen në vendin e vuajtjes së tyre në rini, në kampin e riedukimit për të burgosurit politikë të regjimit komunist në Qafë Bari.

Është data 22 maj 2019 dhe ata kanë 32 vite pa u parë. Me imazhin e njëri-tjetrit të veshur me rrobat e minierës, me kokën të ulur në kraharor nga frika e ndonjë goditjeje që u vinte paprit pas qafe nga policët e kampit, të pangrënë dhe të mërdhihur në 1 metër dëborë, ata takohen sot të veshur me kostum me një jetë të tërë mbi supe, por me të njëjtat kujtime të rinisë së hershme.

Altin Gjuzi ishte vetëm 15 vjeç kur mbërriti për herë të parë në vendin e quajtuar Qafë Bari, disa orë larg Tiranës, në mes të maleve në Pukë. Ishte më i vogli nga të dënuarit e një prej kampeve më të reja, por më i egri i regjimit komunist.

Po atje nuk do të ishte i vetmi i mitur i dënuar me burg për arsye politike, pasi kishte shumë djem të rinj pak më të mëdhenj se ai, nga 16-20 vjeç, që vuanin dënimin në këtë kamp riedukimi. Ai ishte kapur nga policia kufitare shqiptare në tentativë për të kaluar kufirin pranë fshatit Lin, Pogradec.

Kur mbërriti në kamp në vitin 1986, dëgjoi historinë e ngjashme me të tijën të një tjetër djali kurajoz, 16-vjeçarit Gjergj Hani, që po ashtu, ishte kapur një vit më parë, në po atë pikë të kufirit, duke tentuar të arratisej.

Hanin e kishin nxjerrë pasi përfitoi nga një amnisti për të miturit në vitin 1986, por e rikthyen përsëri një vit më vonë, në të njëjtin kamp, ku u takua me Altinin, me të cilin pa u njohur kurrë, kishin pasur të njëjtën ëndërr fëmijënore dhe kishin shkelur të njëjtën rrugë lirie, pa mundur ta preknin atë.

Miqësia e tyre nuk mund të ishte një miqësi normale sepse nuk lindi në kushte normale, lindi aty ku shpirti njerëzor tjetërsohej përjetësisht.

“Ëndrra ime ishte të bëhesha notar. Bëja not çdo ditë në liqenin e Farkës, me shokët e mi. Ishim një grup që diskutonim si të largoheshim nga Shqipëria”. Në Liqenin e Farkës, një nga të dënuarit politikë që sapo kishte dalë nga burgu dhe punonte në ndërtimin e digës, i thotë se ai s’do të kishte të ardhme si notar, ndaj duhej të arratisej. Me guximin e rinisë, bashkë me një mikun e tij pak më të madh në moshë, nisen për në Pogradec dhe natën vonë, kalojnë klonin e kufirit, por patrulla i kap 200 metra brenda kufirit jugosllav. Më pas, 2 javë rrjesht të lidhur me zinxhirë, duke e tërhequr policët, e nxjerrin në mes të qytetit të Pogradecit.

Ishte viti 1986, 5 vite para rënies së komunizmit, kur një fëmijë i rrahur dhe i lidhur u tregohej njerëzve si fytyra e “armikut të atdheut”.

“Kur erdha këtu sot, kisha shumë emocione të përzjera. E shoh këtë vend dhe ndjej gëzim sepse kam fituar, kam dalë gjallë prej këtej. Ky vend, ato vuajtje që kam kaluar këtu 5 vite, kanë qenë me mua gjatë gjithë kësaj kohe, çdo ditë”, thotë ai dhe mbytet nga lotët.

Gjergji ka vetëm kujtime të mira për shokun e tij të vuajtjes.

blank“Kur mbërrita këtu, është e çuditshme, por ndjeva një nostalgji, çuditërisht në ato momente, nuk kujtoja më vuajtjen, dhimbjen fizike, sesa fatin e madh që kam njohur njerëz të veçantë, njerëz që në jetën normale nuk do t’i kisha njohur dot. Kam njohur njerëz që kanë vënë veten në rrezik për një kothere bukë, që t'ua jepte bashkëvuajtësve të tij. Altini është fisnik dhe nuk e tregon, por në kohë kur ai ishte ngarkuar nga komanda që të merrte furnizimin me bukë për kampin, sillte shpesh fshehurazi ushqim për të dënuarit e tjerë, ata më të vjetrit. Njëri prej tyre e denoncoi dhe druri që ka ngrënë nga policët, ishte i tmerrshëm. Dhe për çfarë? Për një gjest human, se u tregua njeri, një djalë me guxim, me zemër të madhe”.

“Po, mbaj mend. Merrja ndonjë konservë me mish për Hamdiun, ishte plak, më vinte keq”- ia pret Altini.

Pasi dolën nga ai vend, që ata e quajnë rrethi i 10 i ferrit, secili vrapoi të jetonte jetën e tij. Nuk patën asnjë kontakt dhe ndoshta asnjë dëshirë të vërtetë për t’u ritakuar, sikur ai takim do t’i kthente pas në kohën më të keqe të jetës së tyre. Në emigracion, duke u munduar të ndërtojnë jetën e re në liri, bënë sikur harruan çmimin e rëndë që kishte pasur për ta kjo liri.

“Na mori rutina, po në asnjë moment nuk harruam ato që kaluam në atë vend. Si mund ti harrojmë? Nuk ka ditë që në një fraksion të saj nuk na përsëritet qoftë dhe një kujtim i asaj kohe. Është e pamundur ta largojmë nga vetja”, thotë Gjergji.

Ai e njohu i pari Altinin, në takimin ku ishin dhjetëra ish të dënuar të tjerë të Qafë Barit, ata që ritakohen dhe ritregojnë dhimbjen, në pelegrinazhin e përvitshëm të 22 majit.

Të dy ndihen keq që ky vend është lënë në harresë nga shteti dhe po rrënohet.

“Ajo është një pjesë e historisë së krimit që kanë bërë kundër nesh. Rrënimi i kampit na dhemb, se e dimë që është lënë kastile për të lënë në harresë këto krime”, thotë Altini.

Mosha kur i kanë dënuar, duket se ka qenë në favor të tyre, kanë pasur më shumë kohë për ta rinisur jetën. Ata e kuptojnë këtë kur shohin ish të dënuar të tjerë që janë po aq të rrënuar dhe të vuajtur sa ç’ishin në kamp. Nuk e kanë rigjetur më veten pasi kanë kaluar nëpër ferr. Janë të lodhur, të rraskapitur nga puna e rëndë dhe torturat që kanë kaluar këtu. Janë të varfër, të frikësuar sikur diktatura të vijonte ende.

Fjalët e tyre që kërkojnë dënimin e kriminelëve i merr era që frynë në këto male, ku dhe pse është maj, era është e ftohtë dhe nata bie gjithmonë më shpejt.

Kriminelët që ua kanë shkaktuar këto vuajtje, janë të lirë dhe ashtu si në atë kohë, bëjnë një jetë më të mirë se ata. Komandanti i kampit Edmond Caja, që të gjithë ata e quajnë xhelat, është sot një qytetar gjerman dhe polici Ludovik Cali, emër që u fut edhe sot të dridhurat, është qytetar kanadez.blank

Dy miqtë e vjetër që shkonin kokëulur në galerinë e minierës, për të mbushur vagonët me mineral, aq sa ishte norma, asnjë gur më pak, se ndryshe futeshin në izolim, që ndanin bukën bashkë e flisnin me pëshpërima nga frika... sot janë ulur dhe diskutojnë bashkë, se si mund ta hedhin në gjygj Cajën dhe Calin. Si mund të venë pak drejtësi në ferr.

Për fat të keq, kjo duket më e vështirë se ëndrrat e tyre për t’u arratisur, në një natë të errët, nga Shqipëria komuniste./kujto.al

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

2 KOMENTE

  1. Fillojeni luften tuaj sot.Dergojuni letra qeverive te vendeve ku fshihen kriminelet.Di qe ka shume te larguar.Strehoen ne vede te lira,shume here me dokumente te falsifikuara,ose duke fshehur te kaluaren e tyre.Jam i sigurt se vendet ku kane shkuar nuk kane dijeni per krimet e tyre.Perpjekje!Ndoshta nje gur i vogel i hequr nga shpirtrat tuaj do te behet nje mal i hequr nga shpirti i semure i shqiperise...

  2. Ju ndjek me zjarr per te vene ne vend drejtesine! Te hapen dosjet nje me nje. Te kthehet njehere rrota para se vdekja ti marre komunistet, pasi edhe ate e kane shime!
    P.s : Tek teksti ka nje lapsus viti 1986 jo 1996.

Comments are closed.