“Sytë e Shpirtit”/ Dokumentari për Osman Kazazin e miqësinë me holandezin Paul Luijf

0
183

Paul Luijf, një okulist holandez, po lexonte gazetën në shtëpinë e tij,  kur u njoh me historinë e Osman Kazazit, i quajtur “Nelson Mandela” i Shqipërisë, që sapo kishte shembur murin e diktaturës komuniste.

Vendi ynë sapo kishte shembur murin e diktaturës komuniste dhe gazetarët nga gjithë bota kishin zbarkuar këtu për të kuptuar çfarë kishte ndodhur me izolimin gatë gjysmëshekullor.

Paul, në atë kohë 34 vjeç kishte hapur dyqanin e tij të syzeve.

“Të burgosurit e harruar” titullohej shkrimi ku flitej për Kazazin. Kjo histori e preku aq thellë sa i tha gruas së tij Elian: Dua të iki në Shqipëri, dua të dëgjoj nga ky njeri që ka vuajtur kaq shumë se çfarë ka për t’i thënë botës.

Takimi i tyre i parë ishte dhe lindja e një miqësie speciale mes tyre, që tejkalonte diferencën në moshë, kombësitë e tyre dhe historitë aq të ndryshme të jetës.

Osmani do të bëhej një  “baba shpirtëror” për Paulin dhe Paul do të bëhej për Osmanin “djali që nuk pati kurrë”.

Historia erdhi e ekranizuar të premten në Kinema Millenium në dokumentarin “Sytë e Shpirtit”, me skenar të gazetares Blerina Gjoka nga fondacioni Kujto.

Osman Kazazi është heroi që unë e zbulova sot, 24 vite nga ikja e tij fizike nga kjo bote. Ai ishte një intelektual, një luftëtar për lirinë, një humanist.  Ai është një prej figurave emblematike të qëndresës antikomuniste”- tha Gjoka para të pranishmëve.

Ndërsa ambasadori holandez në Tiranë, Reinot Vous e përshkroi Kazazin si një njeri të vendosur, i cili, – ”ruajti idealet dhe ëndrrat e tij, ishte si një baba dhe shembull për të rinjtë e burgosur dhe kur më në fund u lirua, vitet e tij të mbetura i kaloi duke promovuar kauzën e të përndjekurve politikë në Shqipëri”.

Humanizmi i Osmanit e frymëzoi Paulin që të qëndronte në Shqipëri gjatë, deri në vitet 2000 duke ndihmuar sa më shumë njerëz të mundej, fillimisht duke vizituar ish-të përndjekurit politikë për shikimin, duke dhuruar syze për ta.

Shtëpia e Osmanit u kthye në një klinikë ku priste pacientët e tij, por më vonë nisi udhëtimet nëpër fshatra, në shkolla, në jetimore në gjithë vendin.

Luijf financoi vendosjen në një shesh të Tiranës të një busti (të punuar nga artisti Niko Thana), për të nderuar vuajtjet dhe qëndresën për të gjithë njerëzit që ashtu si Kazazi ëndërruan për lirinë dhe demokracinë.

Kazazi konsiderohet një prej figurave emblematike të qëndresës antikomuniste, jo vetëm në Shqipëri, po i pazakontë në gjithë Lindjen komuniste. Regjimi e dënoi tri herë, duke i rrëmbyer lirinë plot 33 vjet, 6 muaj, 4 ditë. Nëse kësaj mungese lirie do i shtojmë edhe 5 vitet e internimit, shifra del edhe më e frikshme. Osmani u arrestua kur ishte i ri 28 vjeç dhe doli prej andej 69 vjeç, pa shijuar pjesën më të bukur të jetës. Dhe e gjitha pa bërë asgjë.

Pasi në vitin 1940 mbaroi studimet në gjimnazin e Shkodrës, nisi studimet e larta në Itali për farmaceutikë. Në vitin 1942 u bë anëtar i Ballit Kombëtar. Në qershor 1943, pas 3 vjetësh studime u kthye në Shqipëri duke zhvilluar një aktivitet politik që konsistonte vetëm në propagandë, veprimtari e cila pushoi në qershor 1944. Osmani ishte kryetar i parë i Shoqatës së ish të Dënuarve Politikë në vitet 1991-1993. Vdiq më 3.3.1999 në Tiranë.

Në dokumentar vijnë dëshmitë e gazetarit holandez Joop Holthausen, i cili shkroi për herë të parë historinë e Kazazit për mediet e vendit të tij dhe e këngëtarit të njohur Stef Bos, i cili i frymëzuar nga historia vjen në Tiranë në ceremoninë e vendosjes së bustit dhe kompozon këngën “Liria”, si homazh për jetën e këtij njeriu.

Disa prej vargjeve te kenges:

“Unë pashë sytë e njeriut,

të cilin e varrosën për së gjalli,

Njeriu që për 42 vite

jetoi në errësirë.

Dhe në fund të shekullit

dhe në fund të ditëve të jetës

pa me sytë e tij dritën

dhe blatoi dashurinë,

të cilën nuk ia kthyen kurrë të tjerët.

Unë qëndroj në krahë të së vërtetës,

që detyrohet të heshtë

kur askush nuk e dëgjon

dhe asnjëherë s’merr të drejtën e saj.

Dhe unë thërras me zë të lartë:

Liria…Liria..Liria

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here