“Ishte një burrë me taban dhe i shkathët, me flokë gështenjë e me një sjellje të përzemërt; ai njihte çdo njeri, fliste shumë mirë anglisht, turqisht, italisht dhe frëngjisht; njihte gjithashtu persishten dhe i pëlqente të lexonte poetë të vjetër. Ngiste një veturë origjinale Ford V8”, kështu e përshkruan Rexhep Jellën kolonel Dayrell Oakley Hill, anglezi që erdhi në Shqipëri në vitet 30 për përkthimin e rregullores së futbollit. Çfarë shkruante media më e rëndësishme amerikanë e kohës dhe pjesëmarrja domethenëse e Jellës në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1918
Në faqen numër 13 të The Neë York Times Magazine, të datës 15 qershor 1919, gazetari Merton Emerson, korrespondenti në Konferencën e Paqes, përshkruan ndër të tjera një profil interesant të një shqiptari, ndër më të rinjtë anëtarë të delegacioneve që ishin ato ditë në Konferencëne paqes në Paris.
...Gjatë Konferencës së Paqes, një grup burrash jashtëzakonisht të gjatë dhe të dobët u shfaqën në rrugët e Parisit, të veshur me fustanella të shkurtra dhe rroba të qëndisura e të ngushta, të cilat nuk na dukeshin aspak si të përshtatshme për motin ose për veshjet e rrugës. Disa thanë se ishin shqiptarë dhe askush nuk kishte guximin të rrezikonte kontaktin me këta njerëz me shikim vrastar. Ndaj ishte lehtësim të zbuloj, kur takova Rexhep Bej Jellën, se jo të gjithë shqiptarët veshin kostume të tilla. Ai u shfaq “i veshur pa të meta” me kostumin e mëngjesit në mëngjes, me veshjen e pasdites pas drekës, një smoking në orën 18:30 dhe me rrobat e mbrëmjes për Operën.
Unë tërhoqa vëmendjen për dështimin e tij për të veshur kostumin kombëtar, dhe ai tha se moda kishte ndryshuar dhe se veshjet evropiane siç i njohim ne, nga kominoshe blu xhins e lart, ishin adoptuar në mënyrë universale dhe se çdo gjë që pashë në kostumin që përshkrova ishin ndoshta grekë, të cilët ishin gjithsesi të prapambetur.
Në mënyrë që ta kuptoni plotësisht se sa vend i vogël dhe i bukur jemi ne, më lejoni të përmend se Shkodra ka një popullsi prej 75.000 banorësh dhe Durrësi ka një popullsi prej 30.000. Janë edhe shtatë qytete të tjera me përmasa të mira : Tirana, Berati, Elbasani, Vlora, Korça, Peja dhe Gjakova.
Ne jemi një popull vetë-mbështetës, që mbledhim gjithçka që na nevojitet në ushqime dhe praktikisht ushqejmë malazezët më pak kursimtarë. Ne kemi nevojë vetëm për zhvillim. Kemi lëndë drusore, qymyr dhe bakër. Ne kemi shkolla, hekurudha dhe shtëpi të bukura dhe ndiejmë se një e ardhme e shkëlqyer është para nesh”.
Disi në dyshim se cila ishte historia e ndarjes së Shqipërisë pas luftërave ballkanike, bëra pyetje dhe Rexhep Beu më dha planin e mëposhtëm që ishte përgatitur nga Partia Kombëtare si një deklaratë zyrtare:
“Dëshira e sinqertë e Shqipërisë është të bëhet një element i rendit dhe paqes në Gadishullin Ballkanik; por për këtë është absolutisht e nevojshme që uniteti i saj kombëtar, i cili u ruajt dhe u mbrojt në mënyrë të shenjtë gjatë kaq shekujve luftërash, të shenjtërohet me restaurimin e Shqipërisë, dhe me një ripërshtatje të tillë të kufijve të saj që do të siguronte ekzistencën e saj në të ardhmen dhe zhvillimin e saj të lirë. Ristaurimi i Shqipërisë nuk mund të ketë një status tjetër politik nga ai i një shteti të pavarur, politikisht dhe ekonomikisht, sepse vetëm në një status të tillë ajo do të jetë e lirë nga të gjitha intrigat e huaja.
Lënia ose vendosja e territorit dhe e popullit shqiptar nën dominimin e huaj, përbën përjetësimin e farës së përçarjes dhe trazirave në Ballkan”, shkruan gazetari ndër të tjera. Siç duket nga analiza e artikuluar e Rexhep jellës në vitin 1918, bëhej fjalë për një ndër personalitet me potencialin të rëndësishëm si politikan në Shqipërinë e asaj kohe. Ky artikull është përkthyer dhe publikuar nga Arenc Bebja, i cili ka një kontribut shumë të vlefshëm në zbardhjen dhe publikimin e personazheve dhe ngjarjeve shumë të rëndësishme të historisë tonë.
Përshkrimi i britanikut
“Ishte një burrë me taban dhe i shkathët, me flokë gështenjë e me një sjellje të përzemërt; ai njihte çdo njeri, fliste shumë mirë anglisht, turqisht, italisht dhe frëngjisht; njihte gjithashtu persishten dhe i pëlqente të lexonte poetë të vjetër. Ngiste një veturë origjinale Ford V8”, kështu e përshkruante Rexhep Jellën, kolonel Dayrell Oakley Hill, anglezi që erdhi në Shqipëri në vitet 30 për përkthimin e rregullores së futbollit. Ishte koha kur po hidheshin themelet e ndërtimit të federatës shqiptare të futbollit ku president i saj do të ishte Rexhep Jella.
Nuk ishte sportist por lidhja e tij me futbollin e kishte origjinën në kohën e studimeve në Londër në Kembrixh ku studionte shkenca politike dhe ku ishte angazhuar në klubet e sportit të universitetit. Rexhep Jella shfrytëzoi lidhjet me bashkëstudentët e tij e miq në Londër duke u bërë nismëtarë për krijimin e Federatës së Futbollit Shqiptarë. Më pas do të angazhohej në hapjen e federatës së atleikës e sporteve të tjera duke hedhur kështu themelet e një traditë të rëndësishme. Është ky një ndër detajet e angazhimit të tij si një ndër figurat më të rëndësishme të historisë së intelektualëve të Tiranës por edhe të Shqipërisë.
Kush ishte Rexhep Jella
Rexhep Jella lindi në vitin 1895 në një prej familjeve me të vjetra tiranase. Pas arsimit fillor në Tiranë ai do të vazhdonte kolegjin në Stamboll dhe në vitin 1914 Rexhepi do t’fillonte studimet e larta në universitetin Kembrixh ku dhe u diplomua në Shkenca Politike në Fakultetin Jurisprudencës.
Pas diplomimit u kthye në atdhe ku dhe do të angazhohej intensivisht në jetën politike. Në vitin 1918 do të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris për të qënë një ndër më të rinjtë e delegacioneve të asaj konference dhe një ndër më aktivët për të drejtat e shqiptarëve. Në vitin 1920 ishte pjesmarrës në Kongresin e Lushnjes, u zgjodh dy herë deputet i Parlamentit Shqiptarë, prefekt i Gjirokastrës, Elbasanit, Durrësit, Beratit, i Tiranës. Më pas do të zgjidhej kryetar Bashkie i Tiranës (1930-1933)
Rexhep Jella e refuzoi dy herë postin e kryeministrit, në vitin 1937 kur ia ofroi Ahmet Zogu si dhe në vitin 1943 kur ishte qeveria e Regjencës. Kur Shqipëria u pushtua nga nazifashistët, ai u tërhoq tërësisht nga jeta politike duke u angazhuar me studime dhe pronat e tij në Tiranë. Rexhep Jella nuk gjeti asnjë arsye që të arratisej kur komunistët erdhën në pushtet sepse nuk kishte asnjë dritëhijë në jetën e tij intelektuale e politike.
Fati tragjik në komunizëm
Në vitin 1944 kur bota kishte dalë nga lufta e dytë e përgjakshme, shqipëria e varfër dhe e pazhvilluar, me një histori pvarësie prej vetëm 34 vitesh, kishte mjaft pak intelektual në raport me numrin e popullsisë. Por diktatori e pati luksin ti vrasë e ti burgosë ata, thuajse të gjithë. Padyshim që një prej tyre do të ishte edhe Rexhep Jella. Kishte qëndruar tërësisht jashtë çdo angazhimi gjatë pushtimit të Shqipërisë por diktatori do ta gjente një mënyrë për ta asgjësuar ashtu si qindra intelektualë të tjerë. Regjimi e akuzoi Rexhep Jellën si agjent anglez e amerikan. Fillimisht iu konfiskua e gjithë pasuria bashkë me vilën e tij si dhe një numër i madh librash. Në vitin 1945 u dënua me dy vite burg si agjent i anglo-amerikanëve. U arrestua edhe vëllai i tij Ramazan Jella i cili nuk i përballoi dot torturat në hetuesi dhe ndërroi jetë. Do të burgosej i biri Jusuf Jella gjithashtu. Sapo përfundoi dy vitet e burgut, Rexhepi do të arrestohej sërish në vitin 1947 me grupin e deputetëve. Në gjyqin e deputetëve Rexhepi ishte projektuar nga regjimi të kishte fatin e shumicës që u pushkatua ose me 25 vjet burg. Por shumica e banorëve t lagjes së tij në Tiranë pranë Urës së Tabakëve, firmosën një peticion, ku dëshmohej se Rexhep Jella nuk kishte kryer kurrë një veprimtari që binte ndesh me ligjet e shtetit komunist në fuqi. Peticioni i trembi zyrtarët e diktaturës dhe e ulën dënimin në 5 vite. Në vitin 1952 u dëbua në periferi të qytetit të Kavajës. Atje u angazhua me punë të rëndomta dhe nuk e pati asnjëherë të drejtën e triskës së frontit. Vitet e fundit të jetës, rreth shtatë vjet Rexhep Jella mori një vendim ekstrem duke u izoluar tërësisht brenda fshatit ku ishte dëbuar nga diktatura. Me qëllim kishte vendosur të mos kthehej në Tiranë sepse çdo lëvizje ishte i detyruar ta deklaronte në Degën e Punëve të Brendshme dhe për këtë arsye ai nuk donte të vinte në pozitë të vështirë të afërmit dhe miqtë.
Fundi Tragjik i një intelektuali, politikani e patrioti të spikatur
Një ditë të ftohtë dhjetori në vitit 1974, kortezhi i vogël ndiqtë pas arkemortin që drejtohej tek varrezat publike buzë moçalishteve në periferi të Kavajës. Ishte trupi i Rexhep Jellës që qetësisht e pa zhurmë po shkonte në banesën e fundit. Do të mbyllej në krye të 80 viteve jeta e tij duke lënë pas një histori të pabesueshme, dinamike e gjithaq tragjike.
Rexhep Jella do të mbahet mend si një ndër personalitet më të ndritura e më të pastra të historisë tonë. Ai është dekrëtuar nga presidenca me titullin “Nderi i Kombit”. Shumë tituj të tjerë nderi mori pas vdekjes e rrugë në Tiranë e gjetkë mbajnë emrin e tij.
Por historia e Rexhep Jellës e të ngjashmëve të tij na tregon udhëtimin tonë të mbrapshtë, sjelljen brutale të pushtetit me intelektualët një veti që u trashëgua nga elitat që dolën prej diktaturës e që Shqipëria e vuan edhe sot në vitin e 34 të tranzicionit.
Shënim: Të dhënat për artikullin janë marre nga:https://www.darsiani.com/la-gazette/the-new-york-times-magazine-1919-intervista-me-rexhep-bej-jellen-ne-paris-i-derguar-per-te-treguar-mizorite-dhe-shtypjet-serbe-ndaj-shqiptareve-ne-konferencen-e-paqes/ dhe:https://najdeni.wordpress.com/2018/11/24/rexhep-jella-presidenti-i-pare-i-federates-se-futbollit-shqiptare/
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.