Si u pikturua flamuri i revoltës së Spaçit

0
414
blank

Mersin Vlashi, lindur në vitin 1938 në Lis të Matit, vuante dënimin nga data 27.9.1966. U pyet në Tiranë më 28.5.1973 nga hetuesi Llambi Bako. Ai është personi që pikturoi flamurin pa yll të kuq dhe që u valëvit në ditët e revoltës. Një pjesë e dëshmisë së tij në hetuesi, është e mëposhtmja:

“Më 21.5.1973, ditën e hënë, unë do të shkoja në punë me turnin e dytë. Në Spaç unë kam punuar si vagonist. Turni im shkoi gati i gjithë në punë, por dua të flas më tepër për atë që ka ndodhur pa shkuar turni i parë në mëngjesin e ditës së hënë datë 21.5.1973. Në mëngjes u çova nga gjumi dhe mbasi u pastrova dola në oborr kur shikoj se ishin grumbulluar disa të burgosur. Me ta ndodhej Sulejman Manoku (drejtori i Degës së Kampeve e Burgjeve-shënim) dhe Xhevdet Balla. Dëgjova se po bisedonin me Pal Zefin pse ishte dënuar dhe dalë nga biruca. Pali i tha se e kish plotësuar kohën e ndëshkimit (në birucë) dhe t’i akuzonte se i kishin bërë tortura duke i dhënë ilaçe për t’i shkatërruar nervat. Sulejmani i tha se këto duhet t’i dokumentonte se ndryshe do ta gjykonin në mes të masës. Theksoj se turni i parë kish kohë që ishte nis në punë. Siç dëgjova, Pal Zefi pasi kishte dalë nga biruca, oficeri dhe nënoficerët bënin përpjekje për ta kapur, por Pali me një hekur në dorë nuk i lejonte të afroheshin.

Pali goditi të dënuarin Mehdi Noku që mbështeste nënoficerët dhe një nënoficer. Sulejman Manoku duke parë se ishin grumbulluar disa të dënuar pyeti në ishte bërë zgjimi i turnit të dytë. Luan Burimi i përgjigjet: zgjimin na e bëjnë kapterët dhe bilbilat që bien në mëngjes dhe zënkat e kapterëve me të burgosurit që vijnë e na rrahin. Sulejmani tha se bilbilat do t’i ndalonin, kurse zënkat do i shihnin. Në këtë kohë hidhet Dervish Bejko dhe i thotë se në krah kishte Xhevdet Ballën që i kish rrahur, se kur vinte Xhevdeti, sikur vinte xhebraili.

Dervish Bejko me sa e kam njohur ka qenë shumë i shëndetshëm, por gjithmonë kundërshtonte të punonte në galeri dhe komanda e izolonte në birucë. Sulejmani premtoi se do të vinte më vonë të bënte një mbledhje në tarracë dhe të sqaroheshin gjërat dhe u largua me Xhevdetin. Ne u shpërndamë, secili në punën e vet. Shkova në dhomën ku flija me nr.3...

Në orën 14.20 turni i dytë ku bëj pjesë dhe unë, u nisëm për në punë. Si zakonisht, edhe këtë ditë bëra dy norma. Rreth orës 23.00 turni i dytë mbaronte punën. U ulëm poshtë. Unë dhe brigadier Zeneli ishim të fundit që zbritëm...

Kur shkruam te porta nuk ndjemë zhurmë, kuptuam se zhurma bëhej nga brenda.

Kur po shkonim për në mensë për të marrë çajin, te sheshi ishin grumbulluar shumë të dënuar që kërkonin hapjen e portës dhe lirimin e shokëve.

Dervishi më kërkoi të bëja shqiponjën. I kërkova një copë sapun, e pastaj fillova ta vizatoj te dhoma e armatorëve. Dervishi më tha që mbi shqiponjë të vizatoja një përkrenare të Skënderbeut. U thashë që nuk dija ta bëja...

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here