Sipas artikullit të gazetës “Zëri i Popullit” të datës 30 dhjetor 1949, gazetari Namik Mahmeti risjell dënimin e tre tregtarëve të njohur të Shkodrës dhe kujtime personale nga plaçkitja e pasurisë së ndershme dhe përndjekja e familjeve tregtare shkodrane
Pa dyshim që, gjyqi që u zhvillua në Shkodër në dhjetorin e vitit 1949 ndaj tregtarëve të familjeve të njohura qyetare te qyetit verior, ishte një akt i shëmtuar dhe grabitqar ndaj pronës private.
Gjykata e Lartë, anëtar i së cilës ishte edhe Irakli Bozo, autor i këtijë artikulli ne gazetën e Partisë Komuniste, zhvilloi në qytetin verior një gjyq, jo vetëm për të dënuar tregtarët Man Tepelia, Dyl Tepelia dhe Dan Llazani, si "sabotatorë dhe spekullatorë" të pushtetit popullor, por edhe për të terrorizuar familjet qytetare shkodrane që njiheshin për një tregti të ndershme dhe për pasurinë që kishin vënë me djersën e mundin e tyre.
Duke u njohur me përmbajtjen e këtij artikulli, për momentin kujtoj, si fëmijë i moshës 8-9 vjeçare, sesi daja im, i ndjeri Haki Ulqinaku, pasi kishte dorëzuar një pjesë te pasurisë së tij, kishte mundur të fshihe te shtëpia jonë një pjesë të kësaj pasurie, ku gjyshja, nëna dhe nusja e dajës, sa herë që binte rezja e derës dridheshin se mos vinin komunistët për kontroll. Dhe pa dijeninë e dajës, ato gra fisnike dhe guximtare, për të siguruar jetesën, nxirrnin natën nga dyshemetë, kostume e perdesy për t'ua shitur në mirëbesim shkodranëve të ndershëm, apo kthenin në valutë napolonat ar, për të blerë miell e makarona.
Dhe tregtarët Man Tepelia, Dyl Tepelia, Dan Llazani që kishin vënë një pasuri me djersën e mundin e tyre, që kishin ndihmuar edhe shumë familje shkodrane në nevojë, përveçse kishin denoncuar mallin e tyre sipas Urdhëresës Nr.8 dt 13-IV-1946, zemra nuk u thoshte se i gjithë malli që ata kishin fshehur duhej të binte në dorën e komunistëve dhe ishin po aq të bindur se ajo pasuri nuk do përdorej për furnizimin e popullit.
Akuzat në drejtim të tregtarëve të lartpërmendur ishin njësoj si të atyre që i kishin kthyer pushkën në mal komunistëve, duke i etikuar jo më si sabotatorë e spekulatorë, por armiq të betuar të popullit, shfrytëzues të gjakut e djersës së popullit, prandaj ajo pasuri duhej me cdo çmim t'i jepej pushtetit popullor.
Po cila ishte ajo pasuri që iu konfinskua padrejtësisht tre tregtarëve shkodranë?
Sipas shifrave të Zërit të Popullit dhe të vetë autorit, Irakli Bozo bëhej fjalë për më tepër se 100.000 m. basma e pëlhura, një fuçi me rrakela penjsh, 7653 kg gozhdë, 495 kg kallaj, 159 palë këpucë burrash, që, sipas gjykatësit komunist dhe fletushkës së partisë së tij, kapnin vlerën 26.234.000 Lekë.
Gjyqi u transmetua atëherë me autoporlantë. Komunistët e detyronin popullin ta ndiqte atë dhe kishin ndërsyer njerëz të shitur që nuk i njihnin të akuzuarit, duke shpifur se mallin e kanë shitur në treg të zi, me çmime të larta, duke i quajtur ata zotërinj të Shkodrës “gjakpirës, se kishin fshehur mallin, vetëm e vetëm mos me ia dhënë popullit”.
Artikullshkruesi ka guximin si anëtar i Gjykates së Lartë, të mburret në emër të popullit, se përveçse kanë arritur të sekuestrojnë gjithë këtë pasuri, pa e shoqëruar me asnjë dokument ndaj pronarëve, kanë arrtur të sekuestrojnë edhe 5000 napolana flori. Sigurisht që në gjyq është deklauar se e gjithe kjo pasuri është vënë në dispozicion të rritjes së mirëqenies të popullit, se kjo pasuri i takon popullit, pasi i është grabitur atij.
Populli shkodran, i mësuar tashmë më atë politikë grabitqare të komunistëve, nuk pajtohej me propagandën antikombëtare që ndërsenin këta hakmarrës me objektivin për të burgosur, internuar dhe shpronësuar qytetarët shkodranë.
E kam njohur një trashëgimtar të familjes së nderuar Tepelia, Ali Tepelian, ish-futbollist i talentuar i Vllaznisë në vitet '50. Me shumë ndërhyrje që bënin trainerët e atyre viteve të ekipit shkodran, i hapej rruga për t'u aktivizuar dhe sapo ashpërsohej lufta klasave, emri i tij ishte i pari që do të pezullohej nga ekipi. Dhe kur erdhi demokracia, me njohjen që kisha, më tha se në këto faqe letre kishte shkruar biografinë e tij sportive. “Besoj se emri im me këtë foto sportive nuk do t’i shqetësojë më drejtuesit e Partisë dhe të pushtetit”. Ndonëse me vonesë, emri i tij mbeti në librin e artë të futbollit shkodran.
Duke u rikthyer edhe një herë artikullit të Irakli Bozos, i cili jo vetëm si anëtar i Gjykatës së Lartë, por edhe si person jashtë këtij funksioni, tregon urrejtjen që ka brumosur në shpirtin e tij ndaj kësaj klase që për gjysmë shekulli e nepërkëmbi dhe i dha dënime kapitale, deri në varje në litar apo me pushkatim.
Edhe vendimi ndaj tre tregtarëve shkodranë ishte i tillë, ku Man Tepelia u dënua me vdekje e konfiskim të pasurisë ndërsa me dënime 20-25 vjet për Dyl Tepelinë e Dan Llazanin, ku nuk u përjashtuan nga dënimi edhe qyetarë të tjerë që kishin pasur marrëdhënie pune me tregtarët Tepelia.
Namik Mehmeti
Firence
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.