Shuhet Kostandin Gjordeni i revoltës së Qafë-Barit

0
150
blank

U nda nga jeta këto ditë Kostandin Sotir Gjordeni. Lindur më 2.4.1957 në Durrës, ai provoi burgjet e diktaturës qysh në moshë të re. Punonte manovrues në hekurudhën e Durrësit, kur nisi të mendojë largimin nga atdheu për të shkuar te daja në Republikën Federale të Gjermanisë. U ndaluan nga çobanët më 6.8.1982 në vendin e quajtur Stanet e Çajes në Kukës. Komunikata ditore e Ministrisë së Punëve të Brendshme thotë se u ndaluan Kostandin Gjordeni, 25 vjeç; Kristaq Babi, 32 vjeç dhe vajza e tij Alma 12 vjeç. Personi i tretë (Nebi Koka) nuk njihej dhe vijonin kërkimet për kapjen e tij. Të dy të përmendurit, sipas komunikatës, ishin punëtorë në hekurudhë. Vajzën e vogël, Almën, për të cilën Gjordeni dëshmon se ishte 8 vjeç, e zinte gjumi. Tre personat e mbanin në krah herë njëri e herë tjetri. Rreth orës 21.00, thotë komunikata tre veta të armatosur të hipur në kuaj të fshehur pas pemëve u kërkuan të ndaleshin. Pasi u siguruan se kishin armë, i lidhën me tela. Natën i futën në vathën e bagëtive dhe i mbajtën aty deri në mëngjes. Në mëngjes, i dorëzuan te ushtarët e kufirit e më pas në Degën e Punëve të Brendshme të Kukësit, ku i mbajtën një javë për t’i përcjellë në birucat e Degës së Punëve të Brendshme në Durrës.

Por zbritja në Durrës u shoqërua me një skenë. Të tre të rinjtë i lidhën me litar nga duart, ndërsa makina ecte me shpejtësi të ulët. Kjo skenë bëhej që populli të shikonte se “armiqtë” ishin kapur dhe ky fat i priste të gjithë ata që do mendonin të arratiseshin. Hetuesia u zhvillua për 8 muaj nga hetuesi Bilbil Mete. Procesi gjyqësor u zhvillua në prill 1983 në bazën mekanike të hekurudhës. Prokuror ishte Kiço Simaku, ndërsa trupi gjykues i Gjykatës së Rrethit Durrës drejtohej nga Mirjan Kapo. Ishte mbledhur tërë baza mekanike dhe qytetarë të ndryshëm të cilët duhej të shikonin e dëgjonin. Në proces, u shtua edhe vëllai i Kristaqit. U akuzuan në bazë të nenit 47/gj të Kodit Penal, d.m.th. për tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes. Kostandini u dënua me 11 vite heqje lirie, Nebi Koka me 10 vjet, Kristaq Babi me 13 vjet.

Nga Spaçi në Qafë-Bari

26 vjeçari Gjordeni u dërgua për të vuajtur dënimin nëpërmjet punës së detyruar në Repartin nr.303 Spaç. Pas disa muajsh, e zhvendosën për të vuajtur dënimin në një kamp më të tmerrshëm, në Repartin nr.311 Qafë Bari në Pukë. Në këtë kamp, Kosta u bë protagonist në revoltën e 22 majit 1984. Ai u plagos në revoltën e njohur të Qafë-Barit. U akuzua si edhe të tjerët në bazë të neneve 50/1 në kombinim me nenin 13 dhe 31/a, b të Kodit Penal, pra të “terrorizmit në bashkëpunim”.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i drejtuar nga Lili Bare, me pjesëmarrjen e prokurorit Skënder Breca, në formë të prerë dhe në një shkallë, me vendimin nr.3, datë 3.6.1984, e deklaroi fajtor dhe e dënoi në bashkim të dënimeve (8 vjet, 5 muaj, 13 ditë të ngelura nga dënimi i parë) me 15 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 29.3.1991 nga Reparti nr.305 Përparim, me dekretin nr.7483, datë 27.3.1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke qenë nga të dënuarit e fundit politikë të liruar.

blank

Kostandini e mbajti në krah plumbin e revoltës, deri në vitin 2010, kur për arsye shëndetësore e hoqi. Çështja e revoltës së Qafë-Barit nuk u rigjykua. Për fat të keq, nga kjo mungesë, ai nuk mundi të përfitojë dëmshpërblimin në masën e duhur sepse neni 50/1 nuk ishte përfitues. 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here