“Shhhht! Pusho, se po luajnë Bet’hovenin”

0
157
blank

Koço Plasoti, tenori korçar që iu mohua e drejta për të kënduar dhe vuajtjet nëpër burgje, kampet e internimit në komunizëm

Në kampin e Vlashukut mbi Kuçovë, ishin mbyllur brenda telave me gjemba qindra intelektualë të shquar të Shqipërisë, të shpallur armiq të popullit prej vitit 1944 e në vazhdim. Kundërshtarët e regjimit u shpërndanë nëpër burgje e kampe pune ku shfrytëzoheshin në mënyrë shtazarake. Një prej tyre ishte edhe kampi i Vlashukut, ku të burgosurit hapnin kanale dhe bënin punë të rënda dhe shpesh vuanin edhe torturat nga xhelatët e diktaturës.
Brenda kampit gjendeshin intelektualë të fushave të ndryshme, ndër të cilët edhe tenori korçar, Koço Plasoti. Ai vuajti dënimin me burg dhe më pas, vuajti në kampin e internimit në Savër, bashkë me familjen, me nënën e tij Sofije Plasoti, bashkëshorten Evgjeni, si dhe vëllain, Llambi Plasoti.

Bashkëvuajtësi i Koço Plasotit në kampin e burgut, Reshat Kripa, ka rrëfyer një moment mjaft interesant, kur në radio transmetohej muzikë klasike dhe Koçoja qëndronte fshehurazi afër altoparlantit për ta shijuar muzikën. Padyshim, i ishte mohuar gjithçka, ai nuk mund të këndonte më.

“Në kamp kishim të burgosur edhe një tenor, Koço Plasoti quhej, i cili kishte punuar në opera dhe njihte edhe Hysenin, kunatin tim, dhe nëpërmjet Hysenit, njihte dhe Dritën. Kishte zë të mrekullueshëm. Një ditë shkova te vendi ku shtrihej dhe nuk e gjeta. Pyeta për të se ku mund të ishte dhe më thanë: “E ke te vendi!”. Ne kishim një altoparlant në oborrin e kampit dhe çdo mbrëmje, në ora 7, Radio Tirana transmetonte muzikë klasike. Koçoja kishte shkuar atje dhe dëgjonte muzikë. “O xhaxhi Koço, po hajde brenda se është shumë ftohtë këtu jashtë”, shkova dhe i thashë. “Shhhht! Pusho, se po luajnë Bet’hovenin”, më tha".

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here