Homazh për birin e Fiqiri Dines që shkoi 7 vjeç në internim dhe u lirua prej andej në moshën 53 vjeç… Apeli i orës 6 të mëngjesit dhe i orës 8 të darkës, nuk iu nda për 45 vjet qindra fëmijëve, grave e familjeve të kundërshtarëve të regjimit komunist
Nga Luljeta Progni
Çfarë ishte më e vështirë për një fëmijë në kampin e Tepelenës? Kësaj pyetje i përgjigjen të gjithë thuajse njësoj: Uria! E kur i pyet më tej çfarë ka mbetur në mendjen e tyre si fëmijë në atë kamp, është edhe apeli i përditshëm. Simon Mirakaj ishte një fëmijë në kampin e Tepelenës dhe mik me Sazan Dinen, për të cilin sot shkruajme disa rreshta homazh. Përmes një telefonate, Simoni na tregoi se kish qënë bashkë me Sazan Dinen qysh fëmijë nëpër kampet e internimit. Vuajtën në të njëjtat vende internimi dhe u liruan në të njëjtën ditë…
***
5 korrik 1989, për Sazan Dinen ishte dita e parë, që nuk do ta dëgjonte zërin e ashpër të policit të diktaturës tek i thërriste emrin. Apeli i orës 6 të mëngjesit dhe i orës tetë të darkës, nuk iu nda për 45 vjet Sazan Dines dhe qindra fëmijëve grave e familjeve të kundërshtarëve të regjimit komunist.
E kishte dëgjuar për herë të parë zërin e vrazhdë të xhelatit në kampin e Beratit. Ishte maj i vitin 1945 kur Sazan Dine, i biri i Fiqiri Dines bashkë me të ëmën Rukien, të vëllanë Tomorin e motrën Anën, u morën me forcë nga policët e diktaturës dhe u internuan në kampin e Beratit. Atje do të gjenin qindra fëmijë, gra e pleq të familjeve të kundërshtarëve të regjimit komunist. Sazani ishte djali i Fiqiri Dines, i cili kishte mbajtur për pak kohë postin e kryeministrit. Fiqiri Dine ishte shpallur armik i popullit dhe ishte arratisur kur komunistët erdhën në pushtet. Për këtë arsye, regjimi i internoi familjen.
***
“Për çdo dite si falke zoti, pa dale hala drita , u dashke me dalë në oborr t’kapanonit e me u përgjigj kur t’përmenej emni… fmitë e vegjel u dridhshin si thupra në ujë prej t’ftoftit se n’Tepenele ish ngricë e acar… ishin zhveshe e zbathë….kurrë skam me e harrue…” mu kujtuan këto fjalë të nënës time Zojës, që vuajti internimin në atë kamp. Apeli kishte lënë gjurmë si një ndër momentet e vështira të jetës në internim edhe për më të rriturit.
Sazan Dine e njohu heret klithmën e diktaturës tek i thërriste emrin e kur duhej t’i përgjigjej se ishte ende aty, se nuk ishte larguar asgjëkundi për të kryer ndonjë akt kundër pushtetit popullor… Mu kujtua apeli si një ndër momentet e trishta të jetës së atyre fatkeqëve që në kampet e internimit u përballën me anën më të egër të diktaturës.
Sazan Dine është njëri prej qindra fëmijëve të kampit të Tepelenës që e kaloi shumicën e jetes në kampet e internimit në diktaturë.
Bashkë me vëllezërit, Skënderin, Xhelalin, Tomorin, motrën Hanën dhe nënë Rukie, vuajtën egërsinë e diktaturës për 45 vjet. Sazani shkoi fëmijë në internim dhe shëtiti nëpër të gjitha kampet e Shqipërisë. Nga kampi i Beratit shkoi në atë të Kuçovës. Më vonë e çuan në Shijak, pastaj në Valias dhe përsëri në Berat. Nga Berati shkoi në kampin e tmerrshëm të Tepelenës në vitin 1949. Më vonë u transferua në kampin e Porto Palermos dhe pas disa kohësh u kthye në Tepelenë. Në vitin 1953 kur u mbyll kampi i Tepelenës bashkë me qindar familje të internuara, Sazani me familjen e tij, vazhduan internimin në Savër të Lushnjes dhe në vitin 1969 bashkë me familjen vazhdoi internimin në Gjazë të Lushnjes. Gjatë qëendrimit në Gjazë, ndërroi jetë e ëma Rukie Dine. Tre fëmijët e Fiqiri Dines ndërtuan familjet e tyre në internim. Atje u martuan dhe lindën fëmijët e tyre, fëmijë që sa dolën në këtë botë, ishin të dënuar po ashtu me internim.
Sazan Dine bashkë me të motrën Hanën, vëllanë Tomorrin dhe familjet e tyre qëndruan në kampin e Gjazës në Lushnjë, deri më 4 korrik 1990 kur u liruan nga internimi.
Pas rënies së diktaturës, Sazan Dine u largua nga Shqipëria dhe jetoi në SHBA 30 vitet e fundit të jetës. Sazan Dine ndërroi jetë në New York një vit më parë, pas një sëmundje të rëndë. Sazani mungon sot në apelin e të gjallëve. Dritë i bëftë shpirti. Por si shumë fëmijë të tjerë “armiq të popullit” që u rritën kampeve të diktaturës, u burrëruan e dolën pleq prej andej, lanë pas historinë e qëndresës me dinjitet deri në fund.
“Sot, do të duhet të të lëshojmë drejt përjetësisë, duke të qarë, fëmijërinë, rininë, jetën që t'a vodhi komunizmi, i dashur mixha Sazan ... Ti jetove vetëm 30 vjet mixha Sazan! Nuk përjetove, as femijëri, as rini.... Cilët shenjtër, vuajtën më shumë se ty, mixh? Ti e ke fitu xhenetin mixh... se u cfilite për 47 vjet, i robëruar, krejt i pafajshëm...”, - shkruante një vit më parë Ermira Dine, bijë e familjes Dine, mbesa e Sazan Dines.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.