Rustem Lezemerja/ Të pushkatuarit padrejtësisht të shpallen Dëshmorë të Demokracisë

0
125

Rustem Lezemerja, që mban emrin e gjyshit të pushkatuar në vitin 1951, tregon për kujto.al vrasjen e gjyshit, internimin në Tepelenë të gjyshes dhe të të atit dhe përndjekjen që vazhdoi edhe me atë vetë, duke mos iu dhënë e drejta e studimeve të larta. E megjithatë, për Rustemin, drejtësia nuk është vendosur as sot, kur të pushkatuarit padrejtësisht, sipas tij, duhet të kishin statusin e Dëshmorit të Demokracisë

 

Dëshmia e plotë

 

Jam Rustem Lezemerja, lindur në Ishëm të Durrësit, nipi i Rustem Fejzullah Lezemeres, pushkatuar nga diktatura komuniste.

Përse u pushkatua gjyshi juaj?

Gjyshi im ishte inkuadruar me detyrim në forcat e divizionit të ndjekjes që ishin të përqendruara në Ndroq të Tiranës dhe nën ndikimin e ideologjisë antikomuniste, u largua bashkë me disa shokë të tij nga divizioni i Mbrojtjes së Popullit dhe u rreshtua në forcat antikomuniste të Komitetit të Maleve.

Ku vepronte?

blank
Rustem Lezemerja, i pushkatuar nga regjimi komunist

Vepronte në zonën e Ishmit të rrethit Durrës. Në momentin që ai largohet nga forcat e Divizionit të Mbrojtjes, bashkëshortja e tij, Feride Myrteza Lezemerja, që kishin dhe një fëmijë 6-muajsh, Petrit Lezemerja, internohen në kampin e Tepelenës. Bashkëshortja e Rustemit, në moshën 18-vjeçare dhe i biri, në moshën 6-muajshe internohen në kampin e Tepelenës.

Çfarë ju ka treguar gjyshja për kampin e Tepelenës?

Kampi i Tepelenës, nga tregimet e gjyshes, ishte një skëterrë. Ato mbanin dru në krahë, çdo ditë, për Degën e Punëve të Brendshme të Tepelenës. Fëmijët i linin…me dhjetëra fëmijë, më ka treguar, që kanë vdekur. Në kushtet më çnjerëzore, në krevate me tre kate. Ushqimi ishte, më tregonte gjyshja, nga dy kokrra patate, se as bukë nuk kishte, nga dy kokrra patate si ushqim. Lanin rrobat në lumë, diku aty kalonte një lumë. Dhe periudha e internimit zgjati rreth 5 vjet e gjysmë.

blank
Feride Lezemerja, bashkeshortja e Rustem Lezemeres. Ne moshen 18 vjec u internua ne kampin e Tepelenes me te birin

Në çfarë rrethanash u vra gjyshi dhe çfarë ndodhi më pas?

Sipas, edhe komunikatës së Ministrisë së Brendshme, në dhjetor të 1951-shit, gjyshi vritet nga forcat e ndjekjes bashkë me xhajën e bashkëshortes së tij në zonën e Ishmit. Lihet dy ditë për të terrorizuar popullin, i vrarë dhe aty gjyshen e marrin nga internimi dhe e çojnë te i shoqi dhe i thonë që “pështyje, armikun e popullit”. Ajo u thotë: Ai ka vdek si burrat. Edhe pasi e mbajnë dy ditë aty, e groposin në një vend që mua ma ka treguar gjyshja dhe që eshtrat e të cilit, bashkë me xhaxhain e gruas së tij i groposin. Pas kësaj, gjyshja shkon për të hyrë në shtëpi dhe shtëpia ishte e mbyllur me…ato thoshin atëherë me “dyll të kuq”, por e vulosur dera: nuk hynte dot as në shtëpi. Ndenji për një muaj te një i afërm i saj bashkë me të birin dhe pastaj, theu derën se e kishte mbyllur qeveria dhe aty ka rritur të birin që erdhi në moshën 5 vjeç e gjysmë nga internimi. Ne nuk kishim të drejtë të merrnim eshtrat e gjyshit, ishte e ndaluar me ligj dhe eshtrat e tij, i kemi gjetur në 1991-shin.blank

Si i gjetët eshtrat e gjyshit?

Vendin e varrimit na e tregoi gjyshja, se ku i kishin varrosur bashkë me xhaxhanë e saj…privatisht, pa asnjë lloj leje se nuk kishim çfarë prisnim më leje ne për këtë punë. Veprimi më monstruoz ishte që ata, edhe në varr, ishin hedhur përmbys. Dhe mbasi morëm eshtrat, bëmë një varrim të thjeshtë dhe ata kanë një vend që prehen në vendin e varrezave.

Nuk mund të lë pa përmendur, që direkt dy javë pas vrasjes së gjyshit, i vëllai mbahej peng në birucat e Durrësit, i akuzuar për vrasjen e një marshalli të Sigurimit, që s’kishte lidhje fare për atë lloj vrasje, pushkatohet dhe ai dhe eshtrat e tij, dhe sot, nuk dihet se ku janë.

Si quhej?

Shaban Fejzullah Lezemerja.

Kthehemi te gjyshja me babanë tuaj të vogël. Si vijoi jeta e tyre pas kthimit nga internimi?

Gjyshja, me shumë mundim, arriti ta rriste të birin. Ai u martua. Dihet problemi i luftës së klasave. Ai nuk kishte asnjë lloj të drejte, as ai, as fëmijët e tij. Ne lindëm, që më mirë mos të kishim lindur. Sa që në shkollë, duke filluar që nga klasa e dytë, siç bëjnë ndonjë prapësi fëmijët e vegjël, më kapte mësuesja nga veshi dhe më thoshte: “E di kush je?”. Një fëmijë tetë-nëntë vjeç dinte se kush ishte apo…Arrita të mbaroj arsimin e mesëm. Kam mbaruar shkëlqyeshëm në maturë dhe madje në provimet e lirimit (nënkupto maturës) kundërshtova një notë 9 dhe i thashë që “vetëm Durrësi më pret”. Ma kthyen që kam përmendur plumbin, që s’përmendja dot plumb në atë kohë dhe më denoncuan në Prokurorinë e Durrësit dhe kam bërë disa herë gjyqe, në Gjykatën e Durrësit. Për fat shpëtova, sepse e drejta doli, sepse nuk kisha përmendur plumba dhe i kam dhënë provimet e lirimit (maturës) pas një viti sepse më përjashtuan edhe nga provimet e lirimit. Kam dhënë provimet e lirimit…Kam ardhur nga ushtria në Tiranë që kam dhënë provimet e lirimit (maturës), vitin tjetër. Nuk kam gëzuar asnjë lloj të drejte.

Po ndonjë nga vëllezërit apo motrat tuaja, pati mundësi të vazhdonte studimet e larta?

Asnjë, as vëllezër, as motra, nuk kemi gëzuar asnjë lloj të drejte sa që edhe në zboret ushtarake që organizonte regjimi, nuk merreshim as në zbor, jo dhe mbeteshim të diskriminuar, mbeteshim atje në brigadat e bujqësisë, vetëm me gratë se burrat iknin krejt nëpër zbore. Pa llogaritur pastaj që nuk kishim asnjë të drejtë tjetër veç atë lopatën, apo punën e rëndomtë…

Sa vjeç ishit kur dolët në gjyq dhe kush e drejtoi gjyqin?

Unë isha diku afër 18. Në gjyq ishte kryetar i Gjykatës, Hajri Shehu, Vasilika Sotiri dhe Spartak Braho, prokuror ushtarak. Dhe ia kthyen ato letrat, i thanë: çoji në hetuesi, sepse nuk faktohet që ky ka përmendur plumbat dhe për fat, shpëtova.

Keni bërë kërkime për eshtrat e vëllait të gjyshit?

Jemi interesuar me shumë njerëz, ish-policë që kanë qenë në atë kohë, në burgun e Durrësit, por asnjë rezultat. Asnjë rezultat! Kam dëgjuar që poligonet e vdekjes në Durrës ishin diku nga NISH Kimikja, që është në Durrës, në Porto Romano, por atje është bërë plot ndërtime që është e pamundur sepse nuk ka as shenja. Flitet edhe për ish-kampin e Italisë, po në Porto Romano, por dhe atje nuk është që të kenë vendosur shenja për groposjen e tyre dhe kështu që e kemi pasur të pamundur t’i gjejmë eshtrat e tij.

Babai juaj ka ndonjë kujtim nga kampi i Tepelenës?

Ai ruante një kujtim që policia e asaj kohe kishte goditur gjyshen dhe (babai) i kishte shpëtuar nga duart…Ai ruante një kujtim që e kishte mjekrën e dëmtuar, i çarë në mjekër sepse i kishte shpëtuar nga duart gjyshes, nga goditja. Dhe nuk ruan kujtime më tepër. Vetëm di që ka ardhur që andej dhe fliste labçe. Kishte mësuar gjuhën labçe nga andej.

Ju sot, 30 vjet pas rënies së komunizmit, keni ndonjë peng?

Pengu më i madh është pengu moral që në Shqipëri, për mua, vazhdon regjimi, prej 30 vjetësh…Pengu më i madh që këta akoma vazhdojnë të jenë “armiq të popullit” sepse asnjë vendim i këtij Parlamenti…nuk kam pritur nga ata që vijnë nga origjinë tjetër, por ata deputetë që kanë ardhur nga shtresa jonë, që kanë qenë apo mund të jenë në Parlament nuk kërkuan një herë të bëhet një ligj i veçantë që këta të paktën të ishin Dëshmorë të Demokracisë. Kur në listën e Dëshmorëve të Atdheut, ka emra që nuk e meritojnë fare emrin e Dëshmorit të Atdheut se mirë ata që kanë luftuar me gjermanin e me italianin për çlirimin e vendit, ata e meritojnë dhe duhet të jenë të nderuar, por nuk miratuan një ligj për këta persona që u pushkatuan padrejtësisht, për fjalën e lirë, për mendimin e lirë dhe jo vetëm kjo, por edhe dyert e zyrave për ne, vazhdojnë të jenë të mbyllura në 30 vjet.

Unë, vëllezërit dhe motrat, i kam të larguar jashtë shtetit. Jam shumë i penduar që s’jam larguar as vetë sepse për shtresën tonë, ky vend është i huaj. Dëgjoj dhe nga deputetë, gjoja të djathtë, që kërkojnë lustracion. Nuk e di për çfarë i vlen ai lustracioni, kur ata persekutorë kanë vdekur ose kanë dalë në pension, kërkojnë lustracion. Nuk kërkojnë që këta të jenë Dëshmorë të Demokracisë, por kërkojnë lustracion. Nuk e di për çfarë e kërkojnë. Dhe më e turpshmja…ne nuk na intersojnë fort ato shpërblimet që na kanë dhënë dikur, 49 milionë për këta të pushkatuarit… nuk është njohur as kampi i Tepelenës, kampi i internimit. Dhe tjetra: Për ne akoma, zyrat, qoftë për një hall, për një punë dhe në qoftë se ke një fëmijë të arsimuar, për ne janë të mbyllura të gjitha. Për ne këtu, të paktën për shtresën time, akoma demokraci nuk ka.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here