Rrezikoi jetën për mjekët e luftës, e humbi në pushkatimet komuniste

0
297
blank

Misioni i rrezikshëm që mori përsipër pedagogu Kostaq Stefa në shoqërimin dhe përkthimin e një grupi mjekësh dhe infermierësh amerikanë, avioni i të cilëve ishte rrëzuar aksidentalisht në Shqipëri. U shpëtoi forcave gjermane, por u vra nga forcat komuniste kur ata erdhën në pushtet, me akuzën si agjent i Amerikës

Kostaq Stefa ishte një intelektual i kompletuar që kishte trashëguar vlerat e familjes së tij e cila gjithmonë kishte dhënë për atdheun. Kostaqi ishte nip i Gjergj Stefës, përfaqësuesit të Beratit në Lidhjen e Prizrenit; ndërkohë me nisjen e luftës, vëllai i tij i vetëm kishte dalë partizan; ndërsa Kostaqi kishte vendosur prej kohësh që të kthehej në Berat me familjen e tij, për të kontribuar në arsimin e qytetit. Megjithatë as ai nuk mbeti i tërhequr gjatë atyre viteve të vështira kur Shqipëria përballej me pushtuesit gjermanë. Përkundrazi, mori përsipër një mision që ndoshta shumë pak shqiptarë e njohin, por që amerikanët vazhdojnë edhe sot e kësaj dite t’i kushtojnë interes dhe nderim.

Në 8 nëntor 1943, një avion amerikan C-53, me 30 amerikanë në bord, ndër të cilët 13 mjekë, 13 infermiere dhe 4 pjesëtarë ekuipazhi, i cili fluturonte nga Katania e Siçilisë në Bari, për të ndihmuar disa ushtarë të plagosur amerikanë, humbi drejtimin për shkak të kushteve të motit dhe duke qenë se ndiqej nga avionët gjermanë, bëri një ulje të detyruar, në një tokë që fillimisht nuk e dinin ku ndodhej për shkak se busulla iu ishte prishur. Ishite Belshi i Elbasanit. Këtu nis historia e veçantë disamujore, një ndër protagonistët e së cilës është pikërisht Kostaq Stefa.

Siç ka rrëfyer në librin e saj, bashkëshortja e Kostaqit, Eleni, por edhe e bija, Elda në një intervistë për albaniannews.it, ky grup, pasi eci disa ditë, i shoqëruar nga partizanët me në krye Hasan Ginën, ish-nxënës i Kostaqit, mbërriti në Berat ku i ishin caktuar vendstrehimet. “Një mbasdite të ftohtë të javës së parë të nëntorit 1943 Kostaqi u vonua më tepër se zakonisht. Ne të gjithë ishim në merak të madh, sepse ai gjithmonë lajmëronte kur nuk mund të vinte për drekë. Kështu që, sapo hyri në shtëpi të gjithë filluan t’i tërhiqnin vërejtje. Ai na qetësoi, duke na thënë se nuk kishte ndodhur asgjë e veçantë dhe më vonë na tregoi se një avion me 30 amerikanë, ku bënin pjesë edhe infermiere femra, që të gjithë ushtarake, kishte rënë andej nga Belshi dhe pas disa ditë ecjeje në këmbë të udhëhequr nga korrierë partizanë priteshin që të nesërmen të mbërrinin në Berat. Ishte vendosur për shpërndarjen e tyre nëpër baza dhe dy nga infermieret ushtarake amerikane do të strehoheshin tek ne, për aq sa të vendosej largimi i tyre nga Berati. “Ata janë aleatët tanë në luftën kundër gjermanit dhe janë në rrezik të madh po t’i kapin gjermanët ose bashkëpunëtorët e tyre”, - na tha Kostaqi”, shkruhet në librin e Eleni Stefës “Kostaq Stefa martir i demokracisë”.Infermieret Agnes Jensen Mangerich dhe Vilma Lytlle, u strehuan në shtëpinë e Kostaqit dhe Elenit.

Në librin kushtuar kësaj ngjarjeje, Agnes, i kushton një hapësirë të veçantë mikpritjes në shtëpinë mangalemase, në rugën që sot mban emrin “Kostaq Stefa”.blankPas ditëve të vështira dhe të lodhshme në mot të keq, ato nuk mund të mos iu gëzoheshin zjarrit të shtëpisë, shtratit të vërtetë dhe teshave të pastra, por po aq kënaqësi u jepte dhe anglishtja e përsosur e të zotit të shtëpisë, aq sa Agnes e pyeti Kostaqin në kishte studiuar jashtë Shqipërisë. Kjo ishte e vërtetë, pasi ai kishte kryer disa vite studimesh të larta në Firence, por anglishten e kishte mësuar në shkollën teknike “Harry Fultz”, ku kishte qenë nxënës dhe më pas, mësues.

 

blank
Kostaq Stefa ne qender, me nxenesit e Harry Fultz, kur ishte pedagog ne kete shkolle

Nuk kishte dyshime që rolin e përkthyesit dhe shoqëruesit edhe gjatë përcjelljes drejt kufirit do e merrte përsëri Kostaqi. Pasi morën veten për disa ditë, ata u nisën drejt kufirit, nga ekuipazhi do të kthehej në Itali. Në librin “Ikja nga Shqipëria” të Agnes Mangerich-it, përshkruhet itenerari pothuaj i pamundshëm: Berat – Dobrushë – Vërzhezhë – Leshnije – Zhulat – Progonat – Dhoskat – Gjirokastër – Tërbaç – Dukat, të cilin jo vetëm të huajt, por edhe përkthyesi e përshkonte për herë të parë. “Kaluam vështirësi e rreziqe të mëdha, po falë Zotit ia dolëm mbanë. Përshkuam tetëqind kilometra më këmbë, në borë e shpate të thepisura, poshtë fluturimit të avionëve gjermanë që na ndiqnin kudo. Na dha krahë bujaria e fshatarëve, që ndanë bukën e fëmijëve me ne. Trimëria dhe intuita e korrierëve partizanë, u bënë zemra e misionit. Forcë e kurajo na u bë sidomos qëndrueshmëria shembullore e ushtarakëve amerikanë. Dhjetë prej tyre ishin femra, madje në një moshë të re, por asnjëherë nuk thanë “u lodhëm”. Një trupë vërtetë heroike. Kur ecja në krah të tyre më kujtoheshin fjalët e mikut tim Harry Fultz: ‘Mundohu ta bësh veten dhe Atdheun tënd sa më të nderuar dhe të vlefshëm për të jetuar dhe po qe nevoja të japësh edhe jetën për të’. Tek ta e pashë më së miri mishërimin e kësaj filozofie”, ka cituar fjalët e bashkëshortit në librin e saj, Eleni Stefa. Ndërkaq, interesimi i krerëve të Pentagonit për fatin e tyre, për Kostaqin kishte qenë befasues. Ata dhe presidenti amerikan e ndiqnin  hap pas hapi inkursionin e “ushtarëve të humbur”. Si përfundim, ata arritën në kufirin detar, nga ku ekuipazhi u nis për në Itali, ndërsa Kostaqi, i vetëm, nxitoi të kthehej në Berat, ku e priste familja, nga ishte larguar prej dy muajsh. “Ikja e Kostaqit në misionin e caktuar për shpëtimin e ushtarakëve amerikanë në mes të atij dimri të egër të vitit 1943 dhe sidomos rreziku që mbartte ky mision me gjermanët që gjendeshin kudo, për mua në veçanti, por edhe për gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes sonë ishte një gjendje ankthi shumë e vështirë. Megjithatë, kjo ngjarje sikur na bëri më të fortë dhe më të vendosur…”, ka shkruar Eleni në librin e saj.

Pas shembjes së komunizmit, anëtarë të ndryshëm të atij ekuipazhi kanë kontaktuar dhe i kanë shprehur mirënjohjen familjes së Kostaq Stefës, për sakrificën që ai bëri për ta. Jo vetëm përkthente, por i ndihmonte me çfarë mundej deri te rregullimi i këpucëve të njërit prej tyre që rrezikonte t’i gangrenizohej këmba. Agnes Jensen Mangerich madje u kthye në Shqipëri në vitin 1995, kur shkoi në Belsh e më pas në shtëpinë që e kishte mikpritur në Mangalem. Gjatë asaj vizite i kishte thënë Elenit: “Po si e gjetën gjermanët Kostaqin? Ata që pastaj e vranë…”

blank
Fotoja e letres qe nje prej amerikaneve i dergon bashkeshortes se Kostaqit, Elenit eshte marre nga intervista qe vajza e tyre, Elda ka dhene per albaniannews.it

Ajo e kishte mësuar që Kostaqi ishte vrarë, por nuk mund ta mendonte kurrë që atë mund ta vriste ai grup njerëzish që e kishte urdhëruar të shoqëronte amerikanët në kufi, ata që e njihnin shumë mirë sakrificën e tij për luftën, aleatët dhe atdheun, ndaj mbeti e shokuar kur Eleni Stefa i tha që Kostaqin e kishin pushkatuar komunistët. Kur erdhën në pushtet ata i kthyen aleatët në kundërshtarë dhe të gjithë intelektualët shqiptarë që kishin pasur të bënin me ta, i vunë në shenjestër duke ekzekutuar shumë prej tyre. Kostaq Stefa u pushkatua më 3 mars 1948, pas disa muajsh hetuesi. U pushkatua edhe pse pak ditë më parë kishte ardhur vendimi nga Gjykata e Lartë për faljen e jetës. Ishte edukuar në atë mënyrë që do e jepte jetën për atdheun, por komunistët e ndëshkuan me një vrasje të pabesë dhe nuk i dhanë as varr, deri kur eshtrat e tij u gjetën në vitin 1993.

Dhe mbuluan me heshtje për gjithë ato vite, sakrificat që shqiptarët me shpirt fisnik bënë gjatë luftës, ata që sakrifikuan për ideale, jo për pushtet.kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here