Të dënuarit në komunizëm cilësoheshin “punëtorë të detyruar”. Ky përcaktim fshihte përcaktimin e drejtpërdrejtë të tyre si të dënuar. Të dënuarit, ordinerë dhe politikë punonin në kanalizime, ndërtim e artizanal, miniera dhe bujqësi. Po ashtu, shfrytëzohej edhe puna intelektuale në përkthime. Kjo punë e rëndë vazhdimisht u kritikua edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Në këtë rast, mund të kujtojmë se në fillim të vitit 1955, kur përpjekjet e qeverisë komuniste për anëtarësim të Republikës Popullore të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ishin rritur, paraqitet raporti për punën angari në RPSH.
Pas miratimit të Kodit Penal të vitit 1952, gjykatat komuniste nuk dhanë më vendime me punë të detyruar. Aktet juridike të kësaj fushe konsideroheshin me karakter sekret dhe nuk botoheshin në “Gazetën zyrtare”.
Dekreti nr.1782, datë 14.12.1953 “Mbi pagimin në të holla të të burgosurve që punojnë dhe llogaritjen e afatit për zbritjen e dënimit”, sillte përfitime të vogla financiare dhe në uljen e kohës së vuajtjes së dënimit për të dënuarit në këto forma:
-Zbritje dënimi në masën 0.1% të ditës, kur realizonin normën 100%, baraz me 2.6 ditë në muaj. Kur e realizonin normën 225% përfitonin 0.6% të ditës, baraz me 15.6 ditë në muaj. Kur nuk e realizonin normën 100% nuk u bëhej asnjë zbritje.
-Shpërblim mesatar në të holla në masën 9%, kur realizonin normën 100% (rreth 40 lekë). Kur e realizoni normën 110% rreth 50 lekë; me 120% rreth 63 lekë.
Këto stimuj u hoqën me dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.4412, datë 16.7.1968 “Mbi shfuqizimin e dekretit nr.1782, datë 14.12.1953 mbi pagimin në të holla të të burgosurve që punojnë dhe llogaritjen e punës në dënim”, duke përcaktuar kritere të tjera, të cilat u detajuan me VKM-në nr.120, datë 9.9.1968.
Në bazë të kësaj VKM-je, të dënuarve u jepej 7% e pagës bazë të punëtorit të thjeshtë, pavarësisht nga kategoria dhe specialiteti. Atyre që punonin në miniera, për realizim të normës 100% u jepej 36.4 lekë në muaj, ndërsa atyre mbi sipërfaqe u jepej 32.8 lekë, atyre në bujqësi 26.8 lekë dhe atyre në ndërtim 30.3 lekë. Nga të dhënat rezultonte se norma në vitet 1968-1972, e cila duhej të ishte e lartë, nga të dënuarit ishte zbatuar 80%.
Për këtë arsye doli dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.5011, datë 9.12.1972 “Mbi zbritjen e dënimit të të dënuarve me heqje të lirisë”, me dy nene gjithsej. Ata që realizonin normën 100% do përfitonin zbritje 0.1% të ditës, ndërsa për çdo 5% të normës do u bëhej zbritje në 0.2%. Për çdo rast, zbritja nuk duhej të kalonte 0.2% të ditës.
Shënim: Skicat janë realizuar nga Ina Elezi dhe janë pjesë e ekspozitës "Jeta në Spaç", projekt i Hartës së Kujtesës dhe Kujto, mbështetur nga KAS Albania.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.