Polici i kampit i portretizuar nga i dënuari politik Uran Kalakulla

0
945
blank

Portreti i Haxhi Xibrakut, policit të kampeve që torturonte të dënuarit

Portretet e efektivave të kampeve dhe burgjeve të diktaturë, janë shpeshherë të panjohur. Kjo sepse ata janë individë që sillen shpeshherë pa emra dhe pa imazh, në mënyrë të çrregullt e deri diku spontane nga ata që kanë vuajtur. Në ndonjë libër të botuar, gjenden portrete të tyre. Një ndër ta ishte polici i Repartit nr.307 (ish Kampi nr.4), Haxhi Xibraku. Kampi në fjalë ndërtoi pallate në Tiranë në vitet 1953-1964 dhe punoi për ndërtimin e uzinës së bakrit në Rubik. Me profesion bujk, në fillim punoi në vitet 1954-1956 në “Pallatin e Brigadave” në Tiranë. E nisi “aktivitetin” në vitet 1956-1959 si ushtar i shërbimit të detyrueshëm në repartet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kampet nr.305 Zadrimë dhe nr.307 Tiranë. Pastaj, në vitet 1959-1962, shërbeu si nënoficer polic në Repartin nr.307 Tiranë, në kohën kur ky kamp ndërtonte pallate në Tiranë. Në vitet 1964-1966 shërbeu po në të njëjtin repart në Rubik, deri sa ky u mbyll. Shërbeu si polic në Durrës e Tiranë deri në vitin 1984.

 

Uran Kalakulla e përshkruan kështu:

“Kështu kapter Haxhi Xibraku sikur nuk e kishte sjellë mbi tokë Perëndia, por vetë dreqi i mallkuar. Se si emrin, ashtu edhe shpirtin ia kishte plazmuar plot me “x”-sa, domethënë me hekura të kryqëzuar e me tela me gjemba. Ky fshatar, në uniformën e policit, kishte gjetur tamam lëkurën e tij të natyrshme që i ngjante lëkurës së gjarprit, e neveritshme, e veshur me luspa të imëta, me një lëmashk rrëshqitës e ngjethës përsipër, e ftohtë si vaji i të vdekurve e deri në makth pështirosës.

Nga ana tjetër, këtij Xhikes sonë fatal, meqenëse Zoti e kishte braktisur, djalli nga ana e tij, nuk i kishte falur tru më shumë se ç’i duhet zagarit për të nuhatur gjahun e vet. E për ta plotësuar siç duhet, në vend të truve i kishte falur një shpirt të zi si katran, që e gjente kënaqësinë vetëm duke bërë keq e duke parë viktimat e tij tek hiqnin vuajtjet e ferrit. Kështu, xhahil, pa tru dhe shpirtkazmë, Xhikja ishte prototipi ideal i policit komunist, i caktuar enkas për t’u marrë me të burgosur.

Më qëlloi të kisha fatin e keq që pos këtij Xhike Xibrakut, të kisha njohur edhe nja dy xhike të tjerë policë në kampet e burgjet e mia, të cilëve për dreq, nuk ua mbaj mend mbiemrat. Që të dy, zuzarë e kriminelë. Sidomos ai Xhikja i Burgut të Burrelit, i cili kur vdiste ndonjë i burgosur dhe na tërhiqnin zvarrë, të mbështjellë me një batanije të vjetër e të ndyrë, ai qen i gjatë zgërdhihej gjithë kënaqësi, duke tërhequr këmbën zvarrë dhe thoshte me plot gojën “ishalla e ndjekin të tjerët nga pas”! A thua se i vdekuri i mjerë e shokët e tij fatkeqë brenda hekurave të burgut të ndryrë, në qelitë e akullta, i kishin bërë nënën këtij kodoshi.

Xhike Xibraku, me pamjen e tij si derr i egër, i ndiqte të burgosurit vrimë më vrimë, kur ata përpiqeshin  për të marrë frymë nga lodhja e madhe. I ndiqte pas si langua edhe në nevojtore dhe mezi priste t’u gjente rastin a sebepin për t’i lidhur me pranga; për t’i lidhur me tel në shtyllë, kur të ngrinte thëllimi apo të digjte dielli i korrikut; t’i rrihte e t’i fuste në birucat e nëndheshme. Dhe vetëm kur e bënte këtë e shihje të kënaqur e të fryhej si gjel”.

(Uran Kalakulla, “21 vjet burg komunist”, Tiranë 2001, faqe 232-233)

Shënim: Në foton kryesore, polici i kampeve, Haxhi Xibraku

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here