Një grimcë e njerëzores në burgjet e diktaturës

0
177
blank

Në korridoret e errëta e të akullta të qelive të diktaturës, mes historive të trishta të mbijetesës prej torturave të diktaturës, gjen herë pas here detaje të njerëzores tek ata që ishin ndoshta të detyruar të tregonin ashpërsinë e regjimit me “armiqtë e popullit”

Ishte 21 vjeç kur u dënua me 21 vite burg. Agim Akcani ishte një ndër tetë të akuzuarit për lopët e ngordhura në fermën e Baldushkut, një ngjarje e montuar nga diktatura për të shpikur një grup armiqësor që do të përdorej për terror në popull. E quajtën “Grupi sabotator i Baldushkut” dhe në atë proces, u pushkatuan dy persona dhe u dënuan gjashtë të tjerë me mbi 100 vite burg gjithsej. Njëri prej tyre ishte Agim Akcani i cili ka rrëfyer antinjerëzoren brenda atyre qelive, por edhe raste shumë të veçanta kur polici ose hetuesi ka dhënë shenja të njerëzores duke i dhënë ndihmë sado të vogël.

“Gjatë kohës që rrija në birucë, kam pasur një polic, të cilit nuk do t’ia përmend emrin se jetojmë akoma në ditë të turbullta. Ai më ka pralajmëruar: “Kujdes nga ata që të vijnë në birucë, se të gjithë janë spiunë!”, ka rrëfyer Agim Akcani për muajt e gjatë në qelitë e errëta kur po hetohej për ngjarjen e Baldushkut, ku inskenohej ngordhja e lopëve në fermë.

***

Agimi rrëfen edhe anën e ashpër të regjimit e përcjellë përmes hetuesve Dilaver Bengasi, Dino Leli. “Për fatin tim të mirë, pati një pauzë. Pasi u largua Dino Leli më erdhi një hetues që quhej Fahri Kraja, ish-kryetar Dege në Burrel siç e mësova më vonë. Ai hetues ishte, dhe derrat kanë të gjithë një turi, por ky të paktën, nuk më ka prekur asnjëherë me dorë. Më ka bërë presion psikologjik, që do ta quaja diçka normale në ato rrethana.

Diku rreth muajit të gjashtë në hetuesi, sollën një hetues tjetër, që ishte një goxha djalë: Bujar Jezenxhiu, për të cilin më vonë mësova se ishte nga Devolli i Korçës. Ai ishte i hijshëm, shumë simpatik, i veshur mirë dhe mbante një copë kadife në xhep me të cilën fshinte këpucët, se ishte merakli pas këpucëve. Në takimin e parë që kam pasur me të, më ka thënë kështu: “Sa vëllezër jeni?”. “Shtatë” - i thashë. “Po motra?” “Një”. Më pa në sy, hapi derën, erdhi rrotull nëpër dhomë dhe dukej sikur u mërzit. Unë me mendjen time thashë se duhej të ishte ndonjë truk hetuesi, se kujt i vinte keq për mua atje? “Dmth, shtatë vëllezër… Kush ka interes të prishet me këta shtatë vëllezër”? E pashë, por nuk dija se çfarë t’i thosha se nuk po kuptoja se çfarë donte të thoshte. Më vonë, më rezultoi se kishte qenë i vërtetë në atë sjellje. Ai do ta pësonte edhe vetë më pas. Kam dëgjuar se ka përfunduar keq dhe arsyeja ishte se dinte shumë gjëra, prandaj u eliminua.

blank

Dmth qe i vërtetë dhe njerëzor në atë pyetje që bëri?

Po, qe njerëzor. Ai doli nga qyrku i hetuesit, duke njohur edhe çështjen që ishte një çështje e stisur prej Sigurimit të Shtetit. Ndërkohë kishin arrestuar edhe gjashtë të tjerë gjë që unë, në atë moment, nuk e dija, kur dy përgjegjësit kryesorë u liruan. Madje njëri u bë edhe deputet në Kuvendin Popullor, sepse i kishte shërbyer mirë regjimit kurse tjetri u kthye në vendin e tij të punës sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Vetëm njëherë ju takoi ky hetues? Ju tha gjë tjetër?

Më tha edhe ca gjëra të tjera. Më tha: “Më vjen keq që do të dënohesh rëndë!”. Por kjo më lehtësoi në një farë mënyre, se mendoja se mund edhe të më pushkatonin. Pas tij, vazhdova me Fahri Krajën, gati duke mbushur 10-11 muaj. Pastaj, hetuesit e tjerë të ardhur, i hoqën prej nesh dhe u rikthyen në bazë hetuesit e parë, këta që kishin bërë arrestimin. Siç dukej, jo të gjithë e mbajtën dot dopio gjashtën. Sepse do të vriteshin njerëz…

Ju mendoni që u tërhoqën apo nuk patën sukses hetuesit e rinj?

Ata nuk vazhdonin dot punën që të na bënin të flisnim. Këtu futet edhe Kraja. Po, po. Bile për mendimin tim Kraja është tërhequr se e njihte mirë çështjen dhe po hetonte një njeri që nuk kishte të bënte aspak me mua.

Pra, u kthye Dilaver Bengasi në bazë. Filloi cikli i hetimeve nga e para. Diku aty kur po mbushej viti në hetuesi, më nxorën një dëshmitar, një njeri që unë as që e dija që ishte arrestuar. Ai quhej Refat Daja. Ishte ndihmësmjek, të cilin nuk e kisha takuar kurrë në jetën time. Kisha dëgjuar që ishte ndihmësmjek në Mustafa Koç. Kur e futën brenda në zyrën e hetuesisë ku ndodhesha unë, dëgjova vetëm kaq prej tij: “Pse këtu e paskeni akoma ju këtë?”. Kam parë pataj hetuesin, Kosta Kazeli, që e ka marrë dhe e ka futur në dhomën tjetër. Edhe pse dhomat ishin të mbyllura hermetikisht, unë e dëgjoja se çfarë po bënin me të. Pas nja një ore, e kthyen. Koka i lëvzite si lavjerrës; sinqerisht më erdhi keq.

blank

Shënim: Pjesë nga intervista e Agim Akcanit është marrë nga libri “Zërat e Kujtesës” publikuar nga ISKK, intervistue Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here