Deklarata e dëshmitarit: Dukesh se kjo shoqe nuk tregonte gjë sepse torturat vazhdonin gjithnjë deri sa një ditë ajo u çmend fare. Në këtë gjendje e merrnin përsëri në pyetje... Kështu të çmendur e mbanin në një birucë të tmerrshme.
Tortura gjatë diktaturës, është një ndër pjesët më të errëta të krimeve të komunizmit. Mijëra shqiptarë u torturuan në hetuesi e nëpër qelitë e burgjeve të diktaturës. Studiuesi Kastriot Dervishi, sjell dëshminë për një toruturë çnjerëzore që i bëhej një vajze 18-20 vjeçare. Në këtë deklaratë të dëshmitarit që kishte parë me sytë e tij se si torturohej vajza e re, gjen detaje të frikshme të mënyrës se si sigurimi i shtetit dhunonte ata që i kishte cilësuar “armiq të popullit”.
“Deklaratë e një dëshmitari për torturat ndaj një vajze në vitin 1948:
“Kanë sjellë të arrestuar edhe një shoqe.... Vinin nga Drejtoria e Sigurimit çdo natë oficerë dhe e merrnin në pyetje duke e torturuar. Kështu vazhdoi mjaft kohë. Dukesh se kjo shoqe nuk tregonte gjë sepse torturat vazhdonin gjithnjë deri sa një ditë ajo u çmend fare. Në këtë gjendje e merrnin përsëri në pyetje...
Kështu të çmendur e mbanin në një birucë të tmerrshme. Më është dhënë rasti ta shoh. Ishte katandisur në një gjendje që unë nuk jam në gjendje ta përshkruaj në letër. Dhëmbët e para i kishte të thyera. Ngaqë nuk ishte në vete, ndyheshe me vete. Ishte mbushur plot morra dhe krimba nga ndyrësia. Nuk mund t’i afroheshe nga era e qelbur që nxirrte. Në këtë gjendje, ajo i përngjiste një shtrige dhe jo një vajze 18-20 vjeçare. Por oficerët e Sigurimit vazhdonin ta merrnin në pyetje në këtë gjendje, por sa mësova ajo nuk kish treguar gjë, me gjithë torturat barbare që i bënin...”. shkruan Dervishi në fb.
Kjo dëshmi përkon me atë të ekspozuar në Bunkart përmes raportit të një efektivi të Sigurimit, ku tregohet dhuna e ushtruar ndaj Hatlije Tafanit, çfarë tregon se vajza e re e torturuar është pikërisht ajo. Megjithë përcaktimin e përafërt të moshës nga dëshmitari, familjarët kanë treguar për kujto.al që mosha e vërtetë e Hatlije Tafanit, apo Tafës si figuron në dokumentet e kohës, ishte 27 vjeç.
“I nënëshkruari N/Toger Anastas Dushku, antar partie prej datës 28-VIII-44, efektiv i Seks. Sigurimit Ministris Mbr. Kombëtare, parashtroj atij Komiteti Central, sa më poshtë:
...nga muaj Prill-Maj 1945, në ish Batalionin e IV të Brigadës I M.P. (ish kuestura e vjetër, në rrugën e Barikatave), silleshin të burgosun prej Drejt. Sigurimit dhe mbaheshin në birucat të cilat i kishte krijuar që me kohë fashizmi. Atëhere kanë sjellë aty të arestuar dhe një shoqe, për të cilën mësova që ishte antare Partie. Vinin nga Drejt. e Sigurimit çdo natë oficera dhe e mernin në pyetje duke e torturuar gjith natën. Kështu vazhdoi mjaft kohë dhe dukesh se kjo shoqe nuk tregonte gjë, sepse torturat vazhdonin gjithnjë, deri sa një ditë ajo u çmend fare. Në këtë gjendje e mernin përsëri në pyetje dhe nga jashtë dhomës së pyetjeve digjonja që ajo të përsërisë dendur emnin e Partisë.
Kështu të çmendur e mbanin në një birucë të tmerëshme. Atëhere më ishte dhënë rasti t’a shoh, ishte katandisur në një gjendje që unë nuk jam në gjendje t’a përshkruaj këtu në letër. Dhëmbët e para i kishte të thyera, pastaj nga që nuk ishte në mënt, ndyeshe në vete dhe kështu ishte mbushur plot morra dhe krimba nga ndyrësira. Nuk munt t’i afroheshe nga era e qelbur që nxirte. Me këtë pamje ajo i përgjiste një shtrige dhe jo një vajze 18-20 vjeçare.
Por oficerat e Sigurimit vazhdonin t’a mernin në pyetje edhe në këtë gjendje, por me sa mësova ajo nuk kish treguar gjë me gjith torturat barbare që i bënin, kështu që ata u siguruan që ajo ishte e pa-fajshme.
Por në gjendjen që ajo ishte nuk mundeshe që t’a lironin, prandaj e hoqnë nga biruca ku e kishin dhe e vunë në një dhomë të mirë me ajër dhe diell në katin e sipërm, e ushqenin tashi mirë, me qëllim që ajo të përmirësoheshe dhe pastaj t’a lironin. Por ajo vazhdonte të mos ishte në vehte. Dhe një ditë në atë gjendje anormaliteti që ishte u hodh nga dritarja e dhomës së saj 8-10 metra lart, theu këmbën dhe dorën, dhe në këtë gjendje u çua në spital....
Mbas disa javësh mësova që i kishin prerë në spital një dorë dhe një këmbë dhe së fundi vdiq e çmendur.
Emnin e kësaj shoqeje, e kësaj antareje Partie që kaqë tmerësisht u torturua, nuk munda t’a mësoj, por për këtë dhe për hollësira të tjera reth këtij krimi të pyetyet kapiten i Irë Sh. Skënderi, tash efektiv pranë Komandës Divizjonit Mbrojtjes Popullit, i cili n’atë kohë ish Zv. Komisar i Batalionit IV të Brigadës I M.P. dhe ka marë pjesë në torturimin e saj.”, shkruhej në raport.
Mijëra shqiptarë u torturuan në këtë mënyrë nga organet e hetuesisë e Sigurimit të Shtetit për të mbetur si ngjarje të pazbardhura. Shumë prej viktimave janë ende sot të zhdukur pasi regjimi nuk e dorëzonte trupin e të vdekurit tek familjarët por kujdesej që të zhdukej në vende të fshehta. Shqipëria është një ndër vëndet unike sa i përket çështjes së fshehjes së krimeve të komunizmit pasi janë rreth 6 mijë të zhdukur me forcë gjatë diktaturës, ende të pagjetur e për të cilët institucionet shqiptare refuzojnë të nisin kërkimet.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.