Nga burgu në burg/ Dëshmi nga Qani Sadiku

0
662

“Sikur mos kishte ndryshuar sistemi unë do kisha dal nga burgu në 2009. Në Burrel nuk gjeje dot një kunj shkrepse, të shikoje një flet, një bar apo një diçka të gjelbërt. Ishte një mur i bardhë dhe asgjë tjetër. Banjo- dhomë për 10 vjet, 20 vjet”.

Qani Sadiku, dëshmon 18 vitet e qëndrimit të tij në të gjitha burgjet e Shqipërisë.

Rrëfimi i plotë

“Sikur mos kishte ndryshuar sistemi unë do kisha dal nga burgu në 2009. Në Burrel nuk gjeje dot një kunjë shkrepseje, të shikoje një fletë, një bar apo një diçka të gjelbër. Ishte një mur i bardhë dhe asgjë tjetër. Banjo-dhomë për 10 vjet, 20 vjet”.

Në vitin 1973, jam internuar nga Elbasani në Borsh të Sarandës, 5 vjet për aktivitete politike. Unë isha internuar vetëm, jo me familjen. Në internim nuk shkoja në apel se bënin apel në internim. Një herë në mëngjes, një herë në drekë në orën 12 dhe njëherë në darkë në orën 9. Në orën 5 do çoheshe prapë. Unë i thoja: ju më ruani mua apo unë ju ruaj ju? Po më ruajtët mua, hajdeni te shtëpia edhe më shikoni. Më lanë dhe një vit mua ata edhe pastaj më çuan në Spaç. 7 vjet burg i bëra në Spaç. Tani unë pa ngarkuar mirë bëja “llam- llam”, po kur më ngarkuan rëndë filloja dhe bëja “llam- llam” gjithë ditën. Hapur fare pa problem. Kur kisha dhe nja 7-8 muaj për t'u liruar më arrestuan prapë dhe më dënojnë për agjitacion me 10 vjet burg, prapë në Spaç. Më dënuan në Rrëshen, dëshmitarë më dolën tre bashkëvuajtësit e mi. Unë në fakt kisha 23. Ne ishim 20 veta, 30 veta edhe lakoheshim njëri me tjetrin. Ne rrinim bashkë grup.

Sa vjeç ishe në atë kohë?

Isha 23 vjeç. Erdhi puna më çuan në Rrëshen. Nga Rrësheni më sollën në spital se unë isha me stomak, vuaja nga ulçera. Më than edhe për tu operuar. Nga burgu më çuan në Rrëshen aty më dënojnë me 10 vjet burg. Me ato kriza që isha unë më çojnë në hetuesi. I them unë jam për në spital. Këtu shërohesh më kollaj më tha. Më çuan në kaush, nga kaushi në Spaç. I gënjeva në fakt, u thashë kam qenë nëpër biruca se ishin disa të burgosur që vinin për biruca. U thashë: dua dhe unë të iki se u lodha këtu. Më marrin më çojnë prapë në Spaç. Më kishte dalë një dëshmitar, një Myrteza Blushi nga Kruja shok komunist, por i burgosur. Kishte qenë drejtor i foragjereve të Fushë-Krujës, na tregonte dhe i tregoja. Fliste shumë pak, por fliste shumë. I kishte thënë, më tha shoku Qani se shoku Enver udhëtonte me avion bashkë me familjen e tij, Pranvera hapi derën e avionit hodhi një 100 lekë. Enveri i thotë: pse e hodhe atë 100 lekësh? "Babi, e hodha që të gëzohet ndonjë fakir shqiptari". Pse nuk hidhesh vetë me kokë të mësojnë të gjithë shqiptarët.” Ajo ishte barsoletë e Stalinit në fakt, po unë ja futa Enverit. Këtë e dinin shumica e atyre që ua kisha thënë, se më pëlqente dhe mua. Siklet kishte ai se ky hetuesi ynë këtu, ky operativi ishte nga Kruja si origjinë e përpunoi e ma shtoi, i tha: ja ku është ferri, ja ku është parajsa. Unë kisha shumë gjëra, dhe i humba të gjitha, çfarë kërkoja më jashtë unë? Ndoshta ishte dhe ajo se unë s'kisha as fëmijë. Ai ishte i martuar dhe kishte 4 goca.

Si rekrutoheshin bashkëpuntorët e sigurimit në burg?

Unë kam parë për shembull që shumica janë bërë me dhunë. Është rekrutuar me dhunë. Nga 1400 burra, që ishin të hapur ishin 30 veta, tre dëshmitarë më dilnin vetëm mua. Nga këta tre të mitë, i dilnin atij, nga këta dy të atij, katër më dilnin mua. Domethënë po të kishte shumë, s'kishin nevojë të qarkullonin këta që ata ishin fare të hapur. Kurse këta të tjerët me pseudonime.

Shikoje tani: Pastriku, Kasketa, Timonieri, Steka, Plepi, Ylli, Fusha, Pushka, Vullnetari, Limoni, Guximtari, Mali, I penduari, Shkëmbi, Zjarri. Këta janë të gjithë të mitë. Për shembull Kasketa mund të ketë në Delvinë, në Sarandë, në Kondispol.

Ke punuar në burg?

Kam punuar, shikoji duart e mia, unë jam operuar edhe nga nervat. Më janë shtypur nervat dhe jam operuar. Shikoji shenjat, dërrmuar fare. Kaloja në birucë 1 muaj, 2, 5, 6 muaj deri sa ika në Burrel. Në Burrel nuk kishte punë për asnjë. Biruca ishte birucë. Mund të rrije dhe vetëm mund të rrije dhe me shokë. Ishte ftohtë, nuk mund të rrije dot 5 minuta ulur, se ata të zhvishnin, t'i hiqnin pantallonat, brekët e gjata t'i hiqnin, të linin ashtu me një xhaketë edhe një batanije. Kur ishte bërë një amnisti atje në burgun e Burrelit, nuk të fillonte dënimi atëherë kur ishe dënuar për herë të fundit edhe thonë: ti Qani Sadiku, ju fal Prestidiumi i kuvendit Popullor 3 vjet. Është dënuar në mars të vitit 1981. Unë isha dënuar në 74 ai thoshte. "Me leje, i thashë unë, këto ia kam falur partisë, shokut Enver edhe Nexhmies. Nuk i dua." Aty ishin Prokurori, zëvendësministri, ngelën kështu. "Ore maskara, -tha,- partia dhe shoku Enver i ka ditët e gjata, ti do ngordhësh këtu edhe më futi një muaj në birucë". Vetëm për këtë fjalë. Shumë i keq ishte Burreli, por ama shumë i keq ishte dhe Spaçi. Spaçi kishe 8 orë jashtë, ama dilje jashtë, takoheshe me shokë. Qarkulloje me 1200 burra. Ushqimi ishte pak më i mirë se kishte pak bollëk. Kurse në Burrel nuk gjeje dot një kunjë shkrepëseje, të shikoje një fletë një bar, një diçka të gjelbër, ishte mur i bardhë asgjë tjetër. Banjo, dhomë. Mund të dilje dhe një orë në ajrim, dilje dhe mbase nuk dilje. 10 vjet, 20 vjet.

Aty e kishte “Këtu i thonë Burrel ku hyn e më nuk del”. 70% e personave në Burrel i njihja unë se ishin kontigjent i Spaçit. Kishte qenë më përpara ishte ridënuar si puna ime, Hysen Haxhia. I burgosuri është gjithmonë jashtë, me mendje s'do të thotë se je fizikisht në burg. Unë asnjë ditë s'kam qenë në burg, kam qenë jashtë, i lirë, ta them sinqerisht këtë. Unë jam Qani Sadiku, kam bërë 18 vjet e 7 muaj burg. Sikur mos kishte ndryshuar sistemi unë do kisha dal në 2009.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here