Përmbysja e jetës së politikanit dhe intelektualit të spikatur, Ibrahim Biçaku që në regjimin komunist iu desh të provonte mundimet e punës së rëndë, izolimin, fyerjet dhe urinë e skajshme
Në shtegtimin e vështirë, nga një kamp në tjetrin, në vitet '50-të, mes qindra të burgosurve që shfrytëzoheshin mizorisht për të tharë kënetat ishte edhe Ibrahim Biçaku, ish-kryeministri i Shqipërisë në fund të Luftës, një intelektual i spikatur i jetës politike e shoqërore të viteve '30-'40, i biri i Aqif pashë Elbasanit, i cili nga jeta plot shkëlqim dhe karriera politike, kishte përfunduar në kalvarin e gjatë të vuajtjeve, pasi komunistët e dënuan në gjyqin special, si "kriminel lufte". Një dëshmi rrëqethëse për vuajtjet e tij krahas qindra të burgosurve të tjerë të kësaj periudhe e sjell Eqerem Çapaj në një dëshmi të tij mbi jetën e vështirë në kampet e të burgosurve të ndërgjegjes. Në kujtimet e tij ai rendit disa pasazhe të dhimbshme me Ibrahim Biçakun.
"Ishte vitit 1957, kur na transeferuan nga kampi i Rinasit në kampin e Tërbufit. Do të punonim atje për tharjen e kënetës. Bënim kanale për të tharë kënetën, e për ta kthyer në tokë buke. Në Tërbuf mbretëronte një uri e paparë. Uri, sa askush nuk e linte tenxheren të ziente deri në fund, po e merrnin dhe e hanin gjellën si qull. Në burg, kam patur edhe kryeministrin e vitit 1944, Ibrahim Biçaku.
I ndjeri kishte një trup të madh. Duke punuar në kanal, i fola për urinë që ishte e tmerrshme. Ai qëronte kallamishte nga ato të kënetës dhe i hante. -E mo Eqerem,- më thoshte mua që isha kalama para tij, - këto janë të ëmbla e shumë të mira...I hante si të ishin llokume. Për të shuar urinë.
Por ky ishte veç një episod. E kam fiksuar atë burrë edhe në një rast tjetër. Kur vinim në punë, në rresht, kalonim nëpër ara të mbjella me produkte bujqësore. Ajo zonë ishte fermë.
Kishin mbjellë misër nga ai farë gjeorgjiani. Misër i lartë. Zoti Ibrahim doli nga rreshti dhe mori një kalli misri. Kapter Xhakua, i hyri me bishtin e belit, bam e bam, bam e bam. Por ish-kryeministri nuk e lëshonte kallirin e misrit. E hante me gjithë lëpushkë për të shuar urinë e tmershme që kishim ne në atë kohë".
Eqerem Çapaj i tregon këto dy detaje për të ilustruar kushtet e tmerrshme të jetës në kampin e Tërbufit, ku veç punës sfilitëse të zhytur në baltë, duhet të duronin edhe urinë e tmerrshme që ndienin aty përditë.
I lindur në Elbasan në 1905, Ibrahim Biçaku ishte djali i vetëm i Aqif pashë Elbasanit dhe Ifete hanëm Vrionit. Gjithë jeta e tij kishte kaluar mes luksit. I shkolluar në Vjenë, fillimisht të mesmen dhe më pas dy fakultete, Akademinë Tregtare të Vjenës për Agronomi dhe për Shkenca Politike, zotërues i gjuhëve gjermanisht, italisht, turqisht dhe anglisht, me kthimin në atdhe në 1926, ai merret me administrimin e pasurive. Ishte pronar i disa fermave, fabrikës së prodhimit të cigareve “Elbasani” (Flora) në Tiranë, dhe kafe "Flora", pronar i Shoqërisë tregtare "Ibrahim Biçakçiu", bashkëthemelues i Shoqërisë "Albiger" që merrej me tregtinë shqiptaro-italo-gjermane së bashku me Ahmet Ndroqin dhe Renzo Brunori-n, zotëronte rreth 2500 ha tokë, disa shtëpi rezidenciale dhe disa magazina. Në politikë shfaqet për herë të parë në vitin 1937 si deputet i pavarur i Elbasanit e pas një shkëputjeje disavjeçare, rikthehet në politikë në shtatorin e vitit 1943 si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv. Ndonëse një moment shumë i vështirë politik i brendshëm ashtu edhe në arenën ndërkombëtare kur Gjermania po tërhiqej, më 1944, ai merr nën drejtim edhe Ministrinë e Jashtme dhe atë të Brendshme. Nuk pranoi të largohej jashtë atdheut, pas kapitullimit të Gjermanisë duke zgjedhur të jetojë në vendin e tij. Por forcat komuniste e arrestojnë më 6 dhjetor 1944 në Shkodër dhe prej atij momenti, jeta e tij do të njihte vetëm tatëpjeta.
Në Gjyqin Special të zhvilluar në ish-kinema "Kosova", i drejtuar nga Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu, nga dënimi kapital me vdekje, atë e shpëtoi një peticion i nënshkruar nga elita e kohës në Elbasan, në të cilën shpreheshin se ai rridhte nga një familje patriotike dhe bamirëse dhe se nuk kishte pasur kurrë qëllim të vepronte kundër popullit të tij. U dënua me 18 vjet burgim, pjesën më të madhe në burgun e Burrelit, e një pjesë tjetër në kampet e të burgosurve.
Ishte 57 vjeç kur doli nga burgi në vitin 1962 dhe 15 vitet e fundit të jetës do i kalonte në punë të rëndomta në Elbasan si roje varrezash dhe më pas punëtor në ndërmarrjen komunale.
Një dëshmi për vitet e fundit të jetës së tij në Elbasan ka dhënë kushërira e tij, Dudush Biçaku, në librin e Roland Qafokut mbi jetën e 33 kryeministrave të Shqipërisë.
Ajo kujton: “Ishte e rëndë për ne kur e shikonim Ibrahimin plak që pastronte banjat e qytetit. Sapo vinte në shtëpi, pikërisht ky pastrues, bisedonte në gjermanisht me babën tim. Të dy kishin studiuar në Vjenë dhe bisedat e tyre ishin të nivelit të lartë. Ne gratë kujdeseshim sa të mundeshim për të, duke e pastruar dhe larë. E megjithëse ishte pastrues i banjave, Ibrahimi e mbante veten shik. Pasi lahej, ai shpesh vendoste kravatë”. Ajo tregon se të qenit pastrues i banjave, ishte si dënim që i bënë Ibrahimit, sepse më parë ai punonte roje i varrezave të qytetit. Por, teksa bëhej një ceremoni e varrimit të një personaliteti në një gazetë, doli një fotografi, ku në sfond dukej edhe armiku Biçaku. Kaq mjaftoi që nga roje varrezash, ta “ulnin në detyrë” si pastrues i banjave të qytetit.
Ibrahim Biçaku vdiq në Elbasan më 4 janar 1977. kujto.al