“Ne pionierët e kampit "Nazmi Dervishi" katundi Labinot, të gjithë njëzëri brohorasim: Kriminelët në litar sa më parë”
Një grup fëmijësh që quheshin pionerë, nga katundi Labinot, janë zyrtarisht autorë të një letre shkruar më 20 shtator 1947. Përmes asaj letre ata kërkojnë dënimin me varje në litar të grupit të deputetëve të akuzuar si tradhtarë të atdheut vjeshtën e vitit 1947. Është koha kur në Tiranë në kinema "17 Nëntori" zhvillohej gjyqi komunist ndaj grupit të deputetëve, intelektualët e shquar të asaj kohe që u shpallën armiq të popullit dhe Partisë, pa bërë asnjë faj. Një tjetër letër e ngjashme vinte edhe nga pionerët e Durrësit.
Letra e fëmijëve të Durrësit dhe Labinotit ishin ndër të tjera letra që vinin nga të katër anët e Shqipërisë. Pa dyshim që këto letra ishin hartuar nga drejtuesit komunistë në të gjitha rrethet e vendit, të cilët ishin angazhuar të mobilizonin sa më shumë nga shtresat e popullsisë për të legjitimuar vendimin e diktatorit Enver Hoxha për ekzekutimin e elitës intelektuale shqiptare. Është makabre edhe ta mendosh që një grup fëmijësh janë përfshirë në një histori të tillë propagande të diktaturës e që iu kërkohej të nënshkruanin e të brohorisnin: tradhtarët në litar...”.
Gjyqi i deputetëve është një ndër ngjarjet më të rënda të diktaturës komuniste sepse shënon valën e parë të zhdukjes së elitës politike dhe kundërshtarëve të mundshëm të regjimit. Procesi i njohur si “Gjyqi i Deputetëve” u zhvillua në 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga Major Niko Ceta -Kryetar, Kapiteni I-Nexhat Hyseni, anëtar dhe Kapiteni II-Mustafa Iljazi, anëtar, shpallën vendimin e dënimit të grupit të deputetëve të Legjislacionit të Parë të zgjedhur në vitin 1945. Përveç deputetëve të zgjedhur, para ekzekutimit dhe dënimeve të rënda me burg shkuan edhe persona të tjerë që iu përfshinë këtij gjyqi tërësisht të trilluar. Ishte periudha kur Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe po shtrinin maksimalisht diktatin e tyre duke mbjellë terror dhe eliminuar kundërshtarët e mundshëm politikë. Nga të gjykuarit, 15 prej tyre dënohen me vdekje dhe forma e ekzekutimit ishte edhe më makabre kur shkuan në litar dhe para togës së pushkatimit.
Më poshtë botohen pjesë nga letrat që vinin nga populli ku kërkohej dënimi me vdekje i deputetëve opozitarë.
Kryetari i Këshillit të Gjykatës së Lartë Ushtarake Niko Çeta:
"Gjyqi kundër këtyre tradhëtarëve e sabotatorëve ndaj Pushtetit Popullor po ndiqet me interes në të gjithë Shqipërinë. I madh e i vogël po dëgjojnë me veshët e tyre se si këta maskarenj kishin planifikuar të rrëzonin pushtetin e popullit të fituar me gjakun e dëshmorëve. Në shumë ndërmarrje, qytete e fshatra, populli ka dërguar telegrame të indinjuar nga veprat e ulëta të këtyre tradhëtarëve. Disa nga këto letra e telegrame kanë mbërritur në sallën e gjyqit dhe është shprehur dëshira të lexohen këtu."
Pionerët e kampit "Nazmi Dervishi" katundi Labinot
"Nëpërmjet gazetës sonë "Bashkimi", ne pionierët e kampit "Nazmi Dervishi" Labinot, mësuam se përpara gjyqit të popullit po japin llogari tradhëtarët e vendit, armiqtë e popullit e partisë, armiqtë e pushtetit tonë demokratik. Pushteti popullor po punon për ta bërë jetën tonë sa më të lumtur, ndërsa armiqtë e popullit po e sabotojnë lumturinë tonë, lumturinë e mbarë popullit. Për këtë, ne pionierët e kampit "Nazmi Dervishi", të gjithë njëzëri brohorasim: Kriminelët në litar sa më parë!"
20.9.1947
Arsimtarët e Kurveleshit
"Ne arsimtarët e Kurveleshit, të mbledhur në Kuç pasi diskutuam për organizatën tradhëtare të lidhur me agjenturat e huaja e në të cilën ndodhen edhe arsimtarë, shfaqim urrejtjen më të madhe kundër këtyre njerëzve dhe kërkojmë ndëshkimin gjer në vdekje. Ne jemi me popullin të udhëhequr nga Enveri. Ne do të jemi deri në fund vigjilent të gjithanshëm për çdo akt kriminelësh që do të guxojë të minojë pushtetin popullor.
Arsimtarët e Kurveleshit, më 20-10-1947"
Punëtorë t’arsimit e kulturës në Ministrinë e Arsimit
Shokut Josif Pashko, prokuror i popullit në Gjykatën e Naltë
"Të revoltuem nga veprat e poshtra e kriminale të armiqvet të popullit, grupit të deputetëve tradhëtarë dhe agjento-sabotatorë që japin sot llogari përpara drejtësisë së popullit, ndjejmë nji urrejtje të pakufij dhe kërkojmë çfarosjen e këtyne mbeturinave tradhëtare.
Të revoltuem nga veprimtaria kriminale e tyne, e cila drejtohej kundra jetës dhe mirëqënies së popullit tonë, në sabotimin e veprës së madhe të rindërtimit dhe në ngritjen e jetës së re e të lumtur të gjithë popullit tonë punëtor, do ta forcojmë edhe ma tepër vigjilencën dhe do të mobilizojmë të gjitha forcat që ta ngrejmë sa më parë jetën tonë të re, të realizojmë 100% planin e shtetit, në luftë, pa rezerva me të gjitha mbeturinat e reaksionit në vëndin tonë.
Tue studiue me vëmëndje aktakuzën dhe tue ndjekë me kujdes zhvillimin e gjyqit, jemi të bindur se veprimtaria e këtynë armiqve dhe agjentëve sabotatorë drejtohej kundra lirisë, indipedencës dhe integritetit tokësor të atdheut tonë. Ju drejtohet juve shoku prokuror dhe kërkon t'u jepet atyre pa përjashtim dënimi me vdekje, siç meriton vepra e tyre kriminale.
Dega sindikale e punëtorvet t’arsimit e kulturës në Ministrinë e Arsimit"
Të rejat e brigadës “Urani Pano”
Prokurorisë së gjyqit special.
"Ne të rejat e brigadës “Urani Pano” të mbledhura sot më datë 16.IX.1947, në një konferencë politike rreth zhvillimit të atij gjyqi, njëzëri dhe me këmbëngulje kërkojmë dënimin më të rëndë me vdjekje, për kriminelët e vëndit tonë që janë duke dhënë llogari përpara popullit."
Vullnetarët e brigadës VII të studentëve Gjirokastër
"Ne të rinjtë e brigadës së VII të studentëve të Gjirokastrës, shprehim mejtimin tonë karshi sabotatorëve të pushtetit tonë që kanë dalë sot në gjyqin dhe kërkojmë dënimin e tyre me vdekje.
205 vullnetarët e brigadës së VII të studentëve Gjirokastër
Vdekje Fashizmit / Liri Popullit"
Studentët shqiptarë të Beogradit
"Zotërinj gjyqtarë! Ne studentët shqiptarë në Beograd, ndjekim me kujdes zhvillimin e gjyqit të tradhëtarëve dhe spiunave që pranojnë pa turp tradhëtinë e tyre. Ata janë turpi i Shqipërisë. Ne nuk i duam as në burg, por kërkojmë vdekjen e tyre dhe kur nesër brezi i ri do të gëzojë jetën e lumtur, do të thonë se prindërit tanë ditën jo vetëm të luftojnë dhe të punojnë, por ditën t'u japin dënimin e merituar edhe tradhëtarëve dhe spiunëve. Me nderimim dhe me besimin e plotë se do të jepni dënimin kapital."
Shërbyesi i komitetit të Zerqanit
Telegram drejtuar Gjykatës së Naltë.
"Unë shërbyesi i komitetit të Zerqanit, me kambëngulje kërkoj dënimin me vdekje të tradhëtarëve.
Haxhi Alimani"
Katundarët e 28 katundëve të Kastriotit
"Ne katundarët e 28 katundëve të Kastriotit, të nënprefekturës Peshkopi, të mbledhur në një miting për të njohur më nga afër gjyqin për deputetët tradhëtarë, mësuam se gjyqi i popullit nxori me fakte tradhëtinë e tyne e veçanërisht ish-përfaqësuein e krahinës tonë Faik Shehut, tradhëtarit. Duke pasur urrejtejn më të madhe ndaj tij, të gjithë ne kërkojmë dënimin e tij me vdekje."
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.